« Han në Shkup, Zaev në Beograd, mbledhja e Strumicës » Çfarë po "zihet" në kazanin e Maqedonisë?
Bexheti: Ligji i gjuhës shqipe hap pozitiv por jo përfundimtar
« Analizë » Çereki i qytetarëve të Maqedonisë janë anëtar të VMRO-së, LSDM-së dhe BDI-së
« Analizë » "Dy fytyrat e Zaevit"
Gramoz Ruçi dorëzon sot Saimir Tahirin
auto_ruc1508479739.jpg

Tiranë, 20 tetor - Saimir Tahiri do të jetë edhe disa orë nën mbrojtjen e mandatit të deputetit. Sot në orën 11:00 Kuvendi pritet të dorëzojë Tahirin tek organet policore, bazuar tek kërkesa e organit hetimor. Prokuroria e Krimeve të Rënda  publikoi dje në mesditë një material hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin, ku akuzohej për veprën penale të trafikut të drogës në bashkëpunim dhe korrupsion pasiv. Këto akuza ndaj ish-ministrit u shoqëruan nga prokuroria edhe me kërkesën drejtuar Kuvendit që t’i heqë mandatin e deputetit Saimir Tahirit, për t’i hapur rrugën më pas shoqërimit të tij nga policia dhe kontrollit të banesës. Kjo kërkesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kupton mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, e kryesuar prej Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi. Opozita disa herë iu drejtua Ruçit me kërkesën që ta mblidhte urgjentisht Këshillin për të shqyrtuar faktet dhe kërkesën e organit të akuzës për t’ia hequr mandatin Tahirit dhe për ta dorëzuar atë tek autoritet. Pavarësisht kërkesave Partia Socialiste dhe vetë Gramoz Ruçi gjetën argumentin për të shtyrë sa më gjatë mbledhjen për Tahirin, emri i të cilit është lakuar fort tek dosja e trafikantëve Habilaj.

 

Mbrëmjen e djeshme, në orën 18:50 kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi njoftoi se kërkesa e opozitës nuk do të përmbushej dhe se mbledhja e Këshillit të Mandateve për Tahirin do të ndodhë sot, në orën 11:00. Partia Socialiste u duk se kërkoi kohë për të vendosur si do të veprojë, në një kohë që kryeministri Rama deklaronte në Facebook se do që të vendoset drejtësia. Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka reaguar vetëm në rrjetet sociale me shkrime ku theksonte besimin tek organet e drejtësisë. Këtë mesazh e ndoqën dje edhe funksionarë të tjerë të PS-së, si kundërpërgjigje ndaj kërkesës këmbëngulëse të PD-së për të mos humbur kohë për “dorëzimin” e Tahirit. Gjatë këtyre orëve, pas publikimit të akt-akuzës së prokurorisë, kryeministri Rama priti disa figura të PS-së në Kryeministri. Gjatë pasdites, në zyrën e tij shkoi ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i shoqëruar nga disa ministra dhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Nga ana tjetër, vetë Tahiri deri pasmesdite ka qenë në banesën e tij tek “Kodra e Diellit”. Në një prononcim të shkurtër për gazetarët që ishin vendosur para banesës së tij, Tahiri tha se, “Nuk keni parë gjë akoma”. Nuk dihet se kujt i adresohet ky mesazh i Tahirit, por kjo ishte shprehja e dashur e Ramës drejtuar opozitës kur erdhi në pushtet në 2013-ën.

 

 

 Zvarritja

 

Këshilli për Rregulloren e Mandateve dhe Imuniteteve do të mblidhet sot në orën 11:00. Kërkesa e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit për Saimir Tahirin u bë në mesditë, në orën 13:00. Menjëherë, kryetari i opozitës Basha kërkoi mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, si organi përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave të kësaj natyre, por Gramoz Ruçi nuk veproi menjëherë. Saimir Tahiri është thirrur që të dalë sot para deputetëve dhe do të dëgjojë çfarë do të vendosin për të kolegët e tij. Në daljen për mediat, mbrëmjen e djeshme Ruçi tha se shtyrja e mbledhjes së Këshillit ishte për arsye të njohjes së dosjes së prokurorisë. Ruçi tha se prokuroria e kishte çuar materialin në Kuvend në orët e pasdites dhe anëtarët e këshillit si dhe vetë ish-ministri Tahiri duhet të njiheshin me materialin. Gjatë këtyre orëve anëtarët e majtë dhe të djathtë të Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve kanë qenë në Kuvendi, duket pritur vendimin e Ruçit. Socialistët, përmes Ballës, u shprehën se vota e tyre do të jetë pro drejtësisë. Kjo nënkupton që sot në orën 11:00 anëtarët e PS-së në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit  do të votojnë pro heqjes së mandatit për Tahirin, duke ia “dorëzuar” kolegun e tyre autoriteteve hetimore.

 

“Deputeti pa imunitet”

 

Këshilli i Rregullores dhe Mandateve shqyrton heqjen apo jo të imunitetit. Nëse ky komision voton me shumicë heqjen e mandatit, siç kanë paralajmëruar anëtarët tashmë, atëherë ai do të shkojë për votim në seancën parlamentare, për t’i hapur rrugën më pas ekzekutimit të urdhrit të arrestit. Sipas rregullores, pas mbërritjes së kërkesës nga Prokuroria, kryetari i Komisionit të Mandateve ia dorëzon këtë kërkesë Komisionit dhe më pas vihet në dijeni deputeti. Deputeti ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Pas shqyrtimit, Këshilli harton një raport brenda 4 javësh, harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon rrëzimin ose miratimin e dhënies së autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit. Ky raport u shpërndahet deputetëve dhe shqyrtohet sërish në Kuvend në një seancë plenare, ku i pari që fle është deputeti ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve. Në fund të këtij procesi Kuvendi voton me votë të fshehtë nëse do të jepet ose do të rrëzohet dhënia e autorizimit për fillimin e ndjekjes penale ndaj deputetit.

 

 Akuzat, Tahiri rrezikon deri 20 vite burg

 

Në kërkesën për heqjen e imunitetit për shtetasin Saimir Tahiri, Prokuroria e Përgjithshme rendit dy akuza:  “Trafiku i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, pra neni 283/a/2 i Kodit Penal. Dënimi për akuzën e trafikut të narkotikëve është jo më pak se 15 vjet sipas Kodit Penal.

 

Neni 283/a – Trafikimi i narkotikëve: Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike ose psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet. Akuza e dytë është Korrupsioni pasiv i zyrtarëve të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Dënimi nëse provohet kjo akuzë, është më i ulët.

 

Neni 260 – Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë: Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.

 

Skeda

 

Orët dhe lëvizjet e Tahirit në pritje të arrestit

 

Ora 13:30 Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, me qëllim arrestimin e tij për dy akuza, trafik droge dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë. “Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

 

Ora: 14:00 Basha kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit dhe seancës plenare për të dorëzuar në polici Saimir Tahirin.

 

Ora 16:00 Reagon Kryeministri pas kërkesë së Prokurorisë për ti hequr imunitetin dhe arrestimin e ish-ministrit Tahiri. Në reagimin e tij në Facebook, Rama foli për vendosjen e drejtësisë edhe për një nga personat më të afërt të tij. “Kur them dua një vend me drejtësi kuptoj vetëm drejtësi!”, reagoi Rama.

 

Ora 16:15 Mesazh i kodifikuar i Tahirit. Pasditen e djeshme gazetarë të shumtë u vendosën para banesës së tij për të parë lëvizjet dhe për të marrë një reagim nga ish-ministri, pas kërkesës së prokurorisë.  Duke dalë nga banesa e tij, Tahiri foli shkurt për gazetarët. “Nuk keni parë gjë akoma”, tha ish-ministri.

 

Ora 17:05 Kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme për heqjen e mandatit të Saimir Tahirit mbërrin në Kuvend.

 

Ora 17:20 Mblidhen mbështetës para banesës së ish-ministrit. Shumë prej mbështetësve ishin punonjës policie, të zhveshur nga uniforma.

 

Ora 17:30 Në zyrën e Ramës në Kryeministri mbërrin ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pas tij mbërrin edhe Taulant Balla.

 

Ora 18:00 Basha njoftoi se, shtëpia e Saimir Tahirit dhe mjetet e tij personale, laptopi dhe celulari janë duke u pastruar nga një IT. “Shtëpia po pastrohet e po krihet me thasë! Ernest Dimashi, drejtori i IT-ës po pastron laptopin dhe celularet e Saimirit”, ishte një mesazh që kishte marrë Basha.

 

Ora 18:10 Përfundon takimi i Ramës me Xhafajn. Takimi u zhvillua në Kryeministri dhe në këtë takim ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla.

 

Ora 18:20 Saimir Tahiri kthehet në banesë. Ai nuk jep asnjë prononcim për gazetarët.

 

Ora 18:50 Kryetari i Kuvendit njofton se mbledhja për fatin e Tahirit do të zhvillohet sot, në orën 11:00.

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 20.10.2017, 09:28  | Z.H. | 1,744 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

MË TË LEXUAR
« Han në Shkup, Zaev në Beograd, mbledhja e Strumicës » Çfarë po "zihet" në kazanin e Maqedonisë?
Bekim Jashari në Zajaz: Ali vëlla, jemi në rrugë të mbarë
Eli Fara në këtë foto e le shumë mbrapa vajzën e saj Marinën! (Foto)
Shyhrete Behluli dhe Gold Ag përsëri në duet (Foto/Video)
Kjo është reja e Ardit Gjebreas (Foto)
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.