Ish-ministri i 2001 i VMRO-DPMNE-së, i jep Zaevit përkrahje për qeverinë me shqiptarë..
« EDITORIAL » A duhet pos VMRO-DPMNE `Catharsis` sipas A. Grubit edhe në BDI, LSDM e PDSH ?
Pse BDI, Besa dhe Aleanca nuk i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ndaj Ivanovit ?
« Zhurnal mëson: » Shtetet e BE-së të përçara për sanksione ndaj Maqedonisë
Lufta e papërfunduar
Maqedonia si shtet i pavarur, që fitoi pavarsinë nga ish-Jugosllavia pa luftë, shumëkush e vuri në dyshim pavarsimin e saj, por ajo shpëtoi nga një luftë e tmerrshme, që nuk mund të thuhet njejtë për shumë shtete tjera të ish- Jugosllavisë, duke filluar nga Sllovenia dhe duke përfunduar në Kosovë, edhe pse vet kryetari i atëhershëm Kiro Gligorov u mundua që Maqedoninë ta prezentoj si një oazë të paqes, nuk ishte në të vërtetë ashtu sepse Maqedonia në të njëjtën periudhë u fut në një luftë tjetër me një shtet tjetër, me Greqinë, që rezultoi me një embargo totale më 1993, dhe kjo luftë në të cilën u fut Maqedonia me Greqinë nuk ka përfunduar edhe sot e kësaj dite.
 
Nga Vesel Memedi,
Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare
 
Pas embargos së Greqisë, Kombet e Bashkuara filluan ndërmjetësimin nëmes këtyre dy shteteve dhe pas një periudhe të gjatë përpjekjesh, arritën te një lloj marrëveshje të përkohëshme mes dy shteteve. Gjatë kësaj periudhe pati shumë tentime ndërkombëtare për të lehtësuar procesin, si Grupi Ndërkombëtarë i Krizave, që propozoi një marrëveshje bilaterale nëmes Shkupit dhe Athinës. Njohësit e këtij procesi e kanë të njohur më mirë këtë proces sëbashku me të gjitha pikat konkrete mbi të cilat u arrit kjo marrëveshje. Për ta jetësuar këtë marrëveshje, përfaqësuesit e Grupit Ndërkombëtarë të Krizave propozuan që Maqedonia të lejojë trupat e NATOs në teritorin e Maqedonisë deri më vitin 2002, dhe më pas t’i dorëzohej mandati OSBE-së që të mbykqirë edhe zgjedhjet e vitit 2002. Kjo ide pati përkrahje të madhe edhe nga BE dhe SHBA, dhe në atë kohë drejtori i këtij grupi për Maqedoninë, Edward Joseph pati deklaruar: “Ky propozim duhet zbatuar në përpikshmëri dhe pa asnjë dilemë, dhe se kjo zgjidhje është një kompromis nëmes dy palëve që duhet urgjentisht të zbatohet përshkak të situatës së rrezikshme në vet Maqedoninë.”
 
Me këtë marrëveshje, faktori ndërkombëtarë garantoi integritetin territorial të Maqedonisë, dhe qytetarëve të saj iu dha hapsirë dhe kohë që në qetësi të merren vesh rreth karakterit të shtetit të cilin duhej ta ndërtojnë për të mirën e të gjith qytetarëve që u gjendën mbrenda këtij territori, me dëshirën e Zotit apo nga rrethanat historike. Por, fatkeqësisht karakteri i shtetit u ndërtua vetëm sipas dëshirës së një populli, dhe kjo shkaktoi probleme të mëdha mbrenda shtetit. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë se problemi i shtetit të Maqedonisë nuk përfundoi vetëm me një marrëveshje të brishtë nëmes Maqedonisë dhe Greqisë, përkundrazi, edhe më tutje ngelën shumë dilema të hapura si ajo rreth gjuhës që është kontestuar nga shteti bullgar, i cili insiston se gjuha maqedone është dialekt i gjuhës bullgare, apo dilema e kishës ortodokse maqedonase nga ana e kishës ortodokse serbe, e cila asnjëherë nuk pranoi autoqefalitetin e kishës ortodokse maqedonase, e cila në vitin 1967 u nda nga kisha ortodokse serbe.
 
Nga gjith kjo që u tha mund lirisht të konkludojmë se Maqedonia gjendet në një luftë të papërfunduar, dhe për këtë arsye gjith aktorët politik në vend duhet të kuptojnë kompleksitetin e situatës së krijuar në vend. Nëse kësaj ia shtojmë edhe deklaratën e atëhershme historike të Edward Joseph rreth Marrëveshjes së Ohrit se: ”identiteti maqedonas nuk ka qenë temë diskutimi e marrëveshjes së Ohrit, dhe se nuk është zgjidhur asgjë në këtë drejtim, por është lënë hapsirë që kur të finalizohet marrëveshja e Ohrit të zgjidhet edhe identiteti maqedonas,” atëherë lëhet të kuptohet se do të jemi dëshmitarë të ngjarrjeve dramatike që kërkon të sillen vendime të guximshme dhe shumë të qëndrueshme. Jo rastësisht, BE në kontinuitet ka theksuar se Maqedonia ka nevojë për një qeveri të spektrit të gjërë me qëllim të ballafaqimit sa më të lehtë me këto sfida të jashtëzakonshme.
 
I tërrë zhvillimi i këtij procesi dhe i zgjidhjes së këtyre mosmarrëveshjeve me fqinjët dhe mbrenda vet shtetit, është i përcjellur me shumë kontakte, takime, mundime të faktorit të jashtëm edhe të mbrendshëm për të arritur deri te një zgjidhje paqësore dhe fatlume për të gjithë popujt të cilët patën fatin apo fatkeqësinë që të jetojnë në Maqedoni. Ekziston dokumentacion dhe një histori e tërrë për të lexuar dhe për të kuptuar realitetin e këtij problemi për të gjith ata politikan, analist, gazetar, të cilët nuk duan të flasin në mënyrë paushalle në debatet e tyre, siqë e bëjnë një numër i madh i analistëve kohëve të fundit. Pata fatin që përfaqësuesin e Grupit Ndërkombëtarë të Krizave Edward Joseph ta takoj personalisht në Washington në vitin 2008, në të cilën edhe gojarisht mi vërtetoi ato ngjarrje historike, dhe më sugjeroi se popullit maqedonas, sidomos atij shqiptarë i duhet shumë durim dhe mençuri që të punojnë për ardhmërinë e tyre dhe të mos lejojnë të bëhen monedhë për larrje hesapesh të të tjerëve, por duhet të punojnë për veten dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre, ta ndërtojmë një Maqedoni e cila do të jetë e dëshiruar për të gjithë dhe nuk do të ndjehet në siklet asnjëri.
 
Përkundër problemit të pazgjidhur nëmes Maqedonisë dhe Greqisë, në bazë të informacioneve dhe zhvillimeve mbrenda Maqedonisë, nuk u dëshmua ndonjë involvim direkt apo indirekt i shtetit Grek për destabilizim apo copëtim të Maqedonisë. Përkundrazi, Greqia ofroi mundësi për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë dhe sot lirisht trajtohet si fqinji me investime më të mëdha në vend. Në të njëjtën kohë, edhe përkundër problemeve të mbrendshme dhe pakënaqësisë së shqiptarëve të Maqedonisë, asnjëherë nuk u dëshmua ndonjë involvim direkt i shtetit shqiptarë në copëtimin apo destabilizimin e Maqedonisë, si dhe më vonë edhe të shtetit të dytë shqiptarë të Kosovës. Përkundrazi, ekzistojnë fakte dhe dëshmi ndërkombëtare se dy shtetet shqiptare dhanë maksimumin nga vetja për ruajtjen e stabilitetit dhe qetësisë së Maqedonisë. Gjithashtu, edhe pse shteti bullgar e kontestoi gjuhën, asnjëherë nuk u dëshmua se kontribuan në destabilizimin apo copëtimin e Maqedonisë. Ekzistojnë dëshmi konkrete se edhe shteti bulllgar si fqinj ndihmoi mjaft në rruatjen e paqes dhe stabilitetit të Maqedonisë.
 
Një fakti i tillë nuk mund të thuhet për fqinjin verior Serbinë, sepse edhe përkundër deklarimeve të zbrazëta miqësore ndaj popujve të Maqedonisë, ekzistojnë dëshmi të pakontestueshme për përpjekje të destabilizimit dhe copëtimit të Maqedonisë, sidomos prej kohës së ardhjes në pushtet të Millosheviqit në Serbi dhe deri në vdekjen e tij. Një gjë e tillë nuk mund të thuhet për qeveritë e pas Millosheviqit, të cilat sadopak ishin më demokratike. Elementi proserb mbrenda maqedonasve dhe elementi shërbetorë apo spiun të ish UDB, mbrenda disa shqiptarëve, turqëve, boshnjakëve, thuajse në kontinuitet i shërbyen politikave të Millosheviqit në Maqedoni, por asnjëherë Maqedonisë dhe popujve që jetojnë në të.
 
Projekti armiqësorë i përpiluar në kohën e Millosheviqit për mbajtjen peng dhe destabilizimin e Maqedonisë ka krijuar dhe po krijon edhe sot e kësaj dite konflikte të njëpasnjëshme nëmes vet etnive që jetojnë në Maqedoni, dhe nëmes njëri- tjetrit. Edhe pse shumica dërmuese e popullit maqedonas poashtu edhe populli shqiptar, dhe popujve të tjerë që jetojnë në Maqedoni e kanë krejtësisht të qartë se zënkat, përçarjet, konfliktet nëmes veti, nuk shkojnë në favor të asnjërit nga këta popuj, por se nga kjo politikë edhe më tutje përfitojnë ish mbeturinat millosheviqiane, sot e kësaj dite nuk patën guximin që t’i thonë stop kësaj politike të vjetëruar, dhe të hapin një faqe të re në historinë e tyre. Siqë duket, ende nuk janë shterrur të gjitha burimet finansiare që kanë qenë të dedikuara nëpërmes kanaleve të ndryshme drejt Maqedonisë.
 
Në këtë luftë të papërfunduar kanë marrë pjesë shumë aktorë historik nga tabori ndërkombëtarë si dhe nga figura historike të fqinjëve të Maqedonisë, si dhe nga tabori politik maqedonas, shqiptarë, turq, rom, boshnjak, etj. Të gjith këta aktorë politik kanë pjesën e vet në histori, qoftë në zgjidhjen e problemit dhe të formimit të shtetit funksional të Maqedonisë, qoft në projektet për të penguar zhvillimin normal apo pajtimin e mbrendshëm dhe të jashtëm. Vet fakti i një involvimi të jashtëm, qoft në formë të ndihmës qoft në formë të pengimit, apo qoft atij të mbrendshëm, nga dija apo mosdija, ka sjellë popujt e Maqedonisë në një situatë të dezorientimit politik, edhe pse gati se gjithë energjinë e tyre ia kushtojnë më shumë politikës, sesa mirëqenies së tyre individuale dhe familjare.
 
Tendenca pozitive e shumë faktorëve të jashtëm dhe të mbrendshëm për të arritur paqen nga kjo luftë e papërfunduar, ka bërë që në Maqedoni të kemi shumë herë zgjedhje por pa zgjidhje, dhe besojmë që zgjedhjet e fundit ua kanë bërë të qartë të gjithëve që mos të harxhojnë energji në zgjedhje por të gjith të koncentrojnë energjitë e tyre në zgjidhje. Platforma e përbashkët e subjekteve politike shqiptare ishte pikërsiht me këtë qëllim paqësorë, që ti vihet fund kësaj lufte të zgjatur e të tejzgjatur pafundësisht. Kemi bindjen se këtë e ka kuptuar edhe faktori maqedonas, dhe do të bëjë përpjekje maksimale që në vend të zgjedhjeve të ofrojnë zgjidhje. Për të zgjidhur problemin e përbashkët në Maqedoni asnjëri nuk duhet të ketë dyshim, qoftë nga faktori maqedonas apo shqiptarë, se e ka përkrahjen e paluhatur të SHBA, BE. Nuk ka dyshim se edhe vizita e djeshme e komisionerit Hahn duhet pritur dhe mirrëpritur me një besim të plotë.
 
Të gjith politikanëve në Maqedoni, qofshin të ri apo të vjetëruar në politikë, nuk ju mbetet që të dalin me projekte megalomane kinse për zgjidhjen e problemit të Maqedonisë, sepse dalin tepër qesharak dhe të papjekur në këtë luftë të papërfunduar. Ajo që kërkohet dhe ajo që duhet bërë në të mirë të popujve të Maqedonisë dhe të vet shtetit, është vlerësimi i kontributit madhështorë të shumë politikanëve të cilët dhanë gjithçka nga vetja e tyre për ta përfunduar këtë luftë. Nga politikanët e ri kërkohet që me gjakun dhe energjitë e tyre të fuqizojnë politikën paqësore të politikanëve të vjetër. Nuk duhet në asnjë mënyrë të marrin rolin e mjeshtërve të pakompletuar të cilët prishin shtëpinë e vjetër nga themeli me pretekst se do të ndërtojnë një të re, dhe antarët e familjes së tyre i shndërrojnë në refugjatë të pastrehë. Prandaj, ua bëjë me dije të gjith dashamirëve dhe simpatizantëve të mi që më vlerësojnë dhe që më respektojnë që mos të presin nga unë se kamë në dorë shkopin magjik, dhe se unë do ta bëjë ate që s’kan mund ta bëjnë politikan shumë më vizionar dhe shumë më herrët të kyçur dhe të plakur në vijën kombëtare. Por, do të japi gjithçka nga vetja ime që t’i fuqizojë ata të cilët janë dëshmuar në luftë për ta përfunduar këtë luftë të pafund.
 
Apeloj deri te të gjith intelektualët, njerëzit e mendjes dhe të dijes, që të kyçen në mënyrë aktive në ngritjen e vetëdijes së kësaj popullate, dhe të mos lejojnë në asnjë mënyrë që bajrakun e prijësit ta marrin injorantët, bashibuzukët, mercenarët, apo të përgjumurit, sepse ua kemi borxh pikësëpari prindërve tanë, familjeve tona që na rritën, na shkolluan me djersën e tyre, dhe jo me paret e drogës, paret e jetimëve, plaçkës apo të vjedhura.  Në shpirtin, zemrën, dhe mendjen time kurrë nuk mund të ketë ndikim parulla komuniste: “rroft Vesel Memedi apo vdekje për Vesel Memedin.” Këtë parrullë komuniste ua lejmë si ushqim shpirtërorë atyre të cilët për 50 vite janë mësuar me këto gjella!
 
Për fat të mirë, e gjith kjo luftë e papërfunduar zhvillohet në shekullin 21, ku teknologjia e inçizimit ka arritur kulminacionin, ku nuk mbetet asnjë imtësi pa u regjistruar dhe inçizuar. Prandaj, krekosja, konkurrenca, lavdrimi i pandërprerë i individëve, grupeve, subjekteve politike, organizatave qytetare, humanitare, e gjitha është zhvilluar nën mbikqyrjen e jashtëzakonshme të syrit të mprehtë të kamerës. Edhe pse të gjith mund të lavdërohen dhe të thirren se kanë qenë lokomotivë për të dërguar përpara çështjen kombëtare, fetare, apo të natyrave tjera, rikthimi i vetëm disa skenave të inçizuara të veprimit politik dhe shoqërorë të këtyre figurave publike do të nxjerr në sipërfaqe të gjith ata të cilët kanë bërë zhurmë të madhe se kinse kanë shtyrë përpara çështjen kombëtare, ndërsa në realitet jo vetëm që kanë penguar hovin e lokomotivës kombëtare, por edhe më keq, kanë tërhequr mbrapsht apo edhe kanë sabotuar, me qëllim që treni kombëtarë mos të arrij në destinacionin e duhur.
 
Në konkluzë të gjith kësaj, opinioni publik duhet të mbajë mend dhe mos të harroj kurrë karakteristikat e kësaj lufte të papërfunduar. Nuk duhet harruar asnjëherë trimërinë e rrallë të disa burrave të vërtetë që ballë për ballë kanë luftuar me institucionet e shtetit dhe me kundërshtarët e hapur, qoft me fjalë apo gjoks, me shkrim apo pushkë. Në të njëjtën kohë, nuk duhet harruar kurrë as besnikëria e mbajtjes së fjalës me bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët, si dhe marrëveshjet me miqt dhe kundërshtarët. Gjithashtu, nga kjo luftë e papërfunduar nuk duhet harruar asnjëherë frikacakët, hipokritët, dhe spiunët, që tërë kohën u munduan të luajnë rolin e patriotit dhe trimit, të devotshmit dhe të humanistit. Këta njerëz do të mbahen mend përjetësisht dhe se shumë shpejt do të zbulohen projektuesit dhe lojtarët kyç, që tërë kohën kanë luajtur me fatet e njërëzve, duke i afruar rreth vetes si miq dhe si shokë që më pas i kanë përdorë për qëllime personale, duke i bindur se bëjnë punë madhore, patriotike, apo se janë duke luftuar për të eliminuar rrezikun kombëtarë, fetarë, apo ndërkombëtarë. Nuk ka mbetur asgjë për t’u lavdëruar. Ka mbetur shumë punë për të bërë!
 

Vesel Memedi,
Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare

 10.02.2017, 14:17  | T.E. | 4,015 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"

Dimitrie Cupovski 4/2-11
Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.