Muhamer Pajaziti: Raporti i Pribes pasqyron nevojat reale të Maqedonisë
Maqedonia dhe Shqipëria rivendosin komunikimin, në vjeshtë mbledhje e dy qeverive
« Analizë: » Si do të rrjedhin zgjedhjet lokale në komunat shqiptare?
Në këto zgjedhje nuk do të vlejë praktika për të votuar kandidatin e partisë që është..
Patriotizmi Kushtetues

Nga PhD.Robert Gajda*

Janë bërë shqetësuese deklaratat ushtarake që kohët e fundit përshkojnë Ballkanin dhe përplasen në dyert e Shqipërisë. Serbia tashmë është e njohur për deklaratat muskuloze të Presidentit Nikoliç dhe Ministrit të Jashtëm Daçiç, po ashtu edhe Greqia kohët e fundit na parashtroi një vizion të gjërë të ushtrisë së saj dhe Ministri i Mrojtjes nuk ngurroi të vishej trimërisht me rroba ushtarake e të vinte deri në kufi. Nga ana tjetër Presidenti Maqedonas Ivanov na kujton që Maqedonia ka një ushtri moderne dhe shumë të përgatitur, pikërisht në një moment krize politike, etnike, demokracie dhe kushtetuese që po e mundon shumë veten me dilema të mëdha për të ardhmen, por që i shikon gjërat me një miopi të çuditshme. Të mos harrojmë deklaratat e Komisioneres Mogherini fill mbas turit në Ballkanin jo europian, si dhe amplifikimin e lidhjeve që kjo zonë gjeneron, Turqia nga njëra anë me Greqinë, Maqedonia me Bullgarinë, Serbia me Kroacinë dhe Mali i zi me Rusinë. Pra përfundimisht kemi një paradë ushtarake në Ballkan që krijon një vorbull rreth Shqipërisë dhe Kosovës me aspirata deri dje, të qarta Euroatlantike.

Arsyet janë të shumta dhe nuk po rri ti parashtroj, por ajo që mendoj është shqetësuese lidhet me perceptimin e Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në Europën e Bashkuar dhe të ndarë. Problemi është se mesazhet që po dërgojmë nuk janë shumë të qarta dhe lejnë tashmë, ndoshta për herë të parë, një lloj mëdyshje lidhur me vullnetin tonë për të ndërtuar struktura të qëndrushme politike dhe shtetërore. Me një Europë me shumë halle, njëkohësisht e befasuar nga Shqipëria, si dhe fqinjë trima që na rrijnë dyerve, vendi ynë duhet të tregojë bashkim dhe qëndrueshmëri. Kjo do të thotë se mbi të gjitha duhet të sistemojë situatën e saj politike, pasi nëse kjo është kompakte çdo gjë mund të bëhet.

Mendoj se ky duhet të jetë çelësi i zgjidhjes së moskomunikimit midis shumicës dhe opozitës, bashkimi. Mirëpo situata aktuale ndodhet në një ngërç. Të dyja krahet politike ndodhen përpara ultimatumesh. Kuptohet që kjo nuk është mënyra më e mirë për të komunikuar, pasi vetë lakoniciteti i ultimatumit nuk të lejon të ndërtosh një dialog produktiv. Ka ardhur momenti që palët duhet të flasin, duhet të ulen, duhet të komunikojnë, të gjejnë zgjidhje të gjithë të bashkuar. Siç duket këtë radhë BE dhe Sh.B.A nuk kanë ndërmend të ndërmjetësojnë, ndoshta u lodhën me ne, atëherë arsye më tepër për të dëgjuar njëri tjetrin. Duhet të marrim shembull nga partitë politike në Maqedoni që edhe pse kanë ndasi aq të mëdha prapë ulen dhe bisedojnë për një zgjidhje politike, pavarësisht situatës së tensionuar në të cilën ndodhen. Njëkohësisht edhe bashkombasit tanë kosovarë, të cilët pavarësisht nihilizimit reciprok, ulen bashkë me shtetarët serbë për zgjidhjen e tensioneve të ndryshme.

Dialogu sjell përherë progres sepse i bën njerëzit të kuptojnë prekshëm arsyet e tetrit. Akoma më shumë sot, në gjithë këtë vorbull të zhurmshme por njëkohësisht të qetë ballkanike, neve duhet të jemi të bashkuar edhe politikisht, pasi vetëm bashkëjetësa midis ndasive mund të na bëjë një vend të qëndrueshëm. Është vitale për vendin tonë që situata politike të zgjidhet sa më shpejt sepse vetëm kështu do të mund të stabilizohet edhe situata institucionale dhe kushtetuese. Është domosdoshmëri që brenda një kohe të shkurtër të jemi të qëndrueshëm, pasi kështu mund të përballojmë më me mënçuri situatat që na rrethojnë. Nuk duhet të vetëdobësohemi por të qëndrojmë të vendosur drejt objektivave tona. Nuk duhet që politika të ndajë vendin por, sidomos në këto kohë, ta bashkojë atë për një të mirë më supreme, Atdheun.

Nuk dua të duket si një kushtrim nacionalist, të jemi të qartë – personalisht mendoj se nacionalizmi shkatërron progresin e popujve dhe nuk lejon arsyen që të vendosë – por nga ana tjetër ne kemi një vend, një Shtet, një shoqëri, interesa madhorë të përbashkëta, interes publik të përbashkët. E pra për ti mbrojtur këto interesa e aspirata, ne mbi gjithçka duhet të jemi shqiptarë, kjo po na bashkon. Aq më tepër politikanët, të cilët janë zgjedhur aty si më të mirët që mund të na drejtojnë. Tingëllojnë aktuale fjalët e poezisë “O moj shqypni”, hiqni kontekstin fetar të asaj kohe dhe zëvëndësojeni me kontekstin aktual politik.

Së fundmi, jemi një shembull i shkëlqyer bashkëjetese dhe tolerance fetare, një paradigmë unike, një vlerë që ndërmjet ndasive vendos dialogun, në mënyrë që të forcohen dhe promovohen pikat e përbashkëta.

Koha na ka vënë përpara dy sfidave të mëdha, grancinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme sepse vetëm në këtë mënyrë ne do të kemi një demokraci të konsoliduar, plotësisht të legjtimuar dhe funksionale, nga ana tjetër fillimi me sukses i reformës në drejtësi, që duhet kujtuar, nuk është më një reformë ligjore, por një Reformë Kushtetuese. Të gjitha këto ngërçe zgjidhen me frymën e bashkëpunimit, tolerancës dhe vullnetit pozitiv të palëve. Ne mund të tregojmë që kundërshtohemi me forcë, por dhe që bindemi me arsye. Kjo situatë aktuale që në dukje duket e disfavorshme, mund të kthehet në një pikënisje për realizimin e sfidave tona, të bashkuar dhe të vetëdijshëm për të ecur para.

Vetëm në këtë mënyrë do të mund të rifitojmë besimin e miqve tanë euroantlantikë dhe do të mund të jemi një vend i qëndrueshëm, i gatshëm të përballojë me urtësi e vendosmëri sfidat e së ardhmes, në këtë Ballkan të mjegullt.

Në frymën e bashkimit dhe të unitetit të popullit, siç thotë Kushtetuta, kemi dhe një sfidë të tretë, zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Situata nuk është e zakonshme pasi brenda një harku kohor mbaron si mandati i Kuvendit ashtu edhe i Presidentit. Përtej kësaj dileme, e rëndësishme është që Presidenti i Republikës të zgjidhet një figurë gjërësisht konsensuale dhe të pranuar mundësisht nga të gjitha palët, shumica dhe opozita, partitë e mëdha dhe partitë e vogla, pasi përkon me garantimin e qëndrueshmërisë dhe unitetit politik dhe institucional.

Kjo është sfida jonë shoqërore sot, intelektualë, profesionistë, punëtorë, shqiptarë të të gjitha përkatësive kjo është thirrja që sot duhet ti bëjmë politikës, të bashkohet për të mirën e të gjithëve, të komunikojë për zgjidhjen e problemeve, të arsyetojnë për qëndrueshmërinë e Shqipërisë, të gjejnë pikat e përbashkëta për të tejkaluar ndasitë.
Si kujtesë, preambula e Kushtetutës së Shqipërisë, që simbolizon aspiratën tonë ekzistenciale, për të cilën jemi zotuar që do ta realizojmë nëpërmjet Kushtetutës dhe vullnetit tonë për ta ndërtuar të ardhmen.

Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të
njerëzimit, vendosim këtë Kushtetutë.

 *Lektor i së Drejtës Publike dhe Kushtetuese. #ZëriIntegrimit

 12.03.2017, 17:01  | B.M. | 865 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
A e dini sa vjeç ishte Ermal Fejzullahu kur u martua (Foto)
Fatkeqësi e trishtë, gjen vdekjen një person nga Shkupi
Horror në Shkup, në pikë të ditës tentuan ta fusin 29 vjeçarin në bagazhin e veturës
Shqipja? Ja si u përgjigj Dimitrov sot në Tiranë
"Postat e Maqedonisë" mbeten në "duartë" e BDI-së?
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.