« EDITORIAL » A duhet pos VMRO-DPMNE `Catharsis` sipas A. Grubit edhe në BDI, LSDM e PDSH ?
Pse BDI, Besa dhe Aleanca nuk i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ndaj Ivanovit ?
« Zhurnal mëson: » Shtetet e BE-së të përçara për sanksione ndaj Maqedonisë
LSDM, BDI e Lëvizja Besa ende pa pajtim për kryeparlamentarin
Kaosi, antiestablishmenti, nga Basha tek Blushi e Rama
sonila-meco-1-420x236.jpg

Cadra nisi me premisën e këtyre dyshimeve që sipas saj nuk garantonin zgjedhje të lira, në kushte të barabarta, në mjedis demokratik. E paragjykuar në nisje, si një lëvizje që i kundërvihej reformës në drejtësi dhe paranojës së liderit të opozitës për humbjen e pritshme dhe fundin e fatit të tij politik, përballë Cadra ka një kërpudhë të madhe ushqyer me kriminalizimin e parlamentit, kanabizimin e vendit, futjen e tij në listën e zezë të DASH, dyshimet e aferës së kontenierëve me lëndë të rrezikshme, që kanë alarmuar vendin fqinj e po shoqërohen me hetime në dy vendet, si edhe shumë nisma të dyshimta nën filozofinë PPP që prekin drejtpërdrejtë taksapaguesin.

Nga Sonila Meço Pjesa e dytë

 

Pra në këtë sindromë kaosi, përballë fakteve, sa duhet ushqyer paragjykimi për interesat nën cadër, kur jashtë saj po na bie qielli mbi krye? Skeptikët pyesin: A e mban dot kjo cadër qiellin? A e shmang katastrofën? Me sjelljen e vet, Rama I ka dhënë forcë Cadrës, I ka faturuar disa arritje në perceptimin e publikut. Për momentin ka nxitur Brukselin dhe Shtetet e Bashkuara të kutpojnë se në qasjen e deritanishme të tyre, nëpërmjet përfaqësuesve këtu kaosi është përshkallëzuar, se në nyjat nevralgjike që mund të dëmtonin procesin zgjedhor po ndërhyhet, se ka një premisë për dhënien fund të një sistemi që garantonte rotacionin, por  fortifikonte establishment.

 

Që cadra të perceptohet si shpresë për të mbledhur ata që nën qiell të hapur rrezikojnë t’ju bjerë mbi krye, duhet që kjo përpjekje për të zhbërë sistemin e kaosit të jetë e sinqertë, e shoqëruar me një spastrim të atyre që e kanë valencën e vet në kaosin e krijuar, por edhe me një ‘mea culpa’ të fortë duke u vënë dëmeve emra të përvetshëm. Këtë Basha duhet ta garantojë, fuqishëm, pa ekuivok, pa luhatje. Në krye të partisë më të madhe opozitare, si lider I votuar I saj, nuk di nga kush tjetër presim të vijë ky mesazh, ndërsa kemi të drejtë nga mëngjesi në darkë të dyshojmë në qëllimet e vërteta. Sic thotë I mocmi, udha drejt ferrit është e shtruar me qëllime të mira, e për pasojë ato që paragjykojmë si jo të mira mund të cojnë në destinacione të shëndetshme.

 

Tashmë Basha e ka bërë të vetin diksurin antiestablishment. Dhe jemi ende në premisë. Premisë që e artikulon edhe Blushi, si zëri I izoluar opozitar në kuvendin e Shqipërise. Dhe këtu nuk e justifikoj dot më ndarjen në një moment historik që kërkon të zhbëjë një sindromë kronike kaosi. Këtu cdo tentativë opozitare duhet të perceptohet jo vetëm si një pjesë që nuk ndan pushtet me maxhorancën, por as filozofi. Ndaj teksa kërkohet një doktrinë e re mbi të cilën të rithemelohet edhe një herë kushtetuta e republika, të dyja të bëra copë,  në prag të kolapsit total nuk ka pse ato forca që sot I përshtaten përkufzimit ‘opozitare’ mos gjenden bashkë nën cadër a tavan qoftë. Jo në koalicion, jam e kujdesshme këtu. I referohem rrathëve koncentrikë që lëvizin në të kundërt, nga të shpërhapur, duke u mbledhur rrotull një sistemi të pasistem për ta zhbërë me përqendrimin e forcës reaguese e jo shpërhapjen e saj. Opozita e Libras dhe ajo e PD-së sot ndahen në paragjykimin që kanë për sho-shoqin, por jo në diskurin e një sistemi të ri antiestablishment. Të dyja artikulojnë: asnjë kompromis për të përftuar pushtet në tavolinë, apo garanci mosndëshkimi. Asnjë kompromis për një stabilitet farsë, apo reformë që cënon kushtetutën, duke qenë platformë elektorale që I jep avantazhin një partie të shkatërrojë tjetrën. Kjo do të sublimonte një opozitarizëm jo ndaj pushtetit, por filozofisë së pushtetit që ka prodhuar kulmin historik të mungesës së besimit jo vetëm ndaj vetes, por edhe faktorit ndërkombëtar (kujtojmë edhe letrën e gjashtë senatorëve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe ish-kandidatin për president Ted Cruz, për Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson). Kjo do të harxhonte shumë më pak energji se skemat kush hyn në zgjedhje më kë e konspiracione të tipit ‘partizani qe veshur si partisan që ta merrnim si ballist’.

 

Pra sindroma e kaosit ka arritur kulmin. A mund të ketë zgjedhje në këto kushte? Zgjedhje pa opozitën? Në procesin politik, pavarësisht prirjeve e dëshirave autoritariste të liderve tanë, opozita është një nocion shumë I qartë dhe I respektueshëm. Megjithëse në Shqipëri pushteti do të kish funksionuar mirë pa të, një zgjidhje që do të dobësonte rolin e opozitës sot do të qe vrastar për sistemin e proceset integruese nesër.

 

Në këtë shumëkëndësh të ri, me lojtarë të rinj ( jo vetëm Blushi, të mos harrojmë Kokëdhimën në një përpjëkje për të sfiduar Ramën nga Brenda PS-së) ‘dashuria’ e ‘qetësia’, ‘stabiliteti’ e ‘konsensusi’ nuk e zhbëjnë dot Bermudën e pushtetit. Sepse urrejtja ka zbythur dashurinë me kohë në deklaratat e figurave kryesore të LSI-së dhe stabiliteti ngjan utopi përballë skadimit brenda një muaji të mandateve të institucioneve kryesore në vend. Konsensusi mund të mbetet arma e vetme nga katër  stilemat e leksikut të Metës. Dhe kjo në emër të një sjelljeje politike, të një morali politik, edhe pse I debatueshëm i liderit të LSI. Që ka në dorë shumë për të ndërtuar një dialog, për të sjellë opozitën në sistem, për të shmangur cmendurinë e një situate krijuar edhe nga nevoja e aktorëve kryesorë për t’ja bërë me zell varrin tjetrit. Me përvojën e tij dhe rolin e luajtur që nga krijimi I forcës së vet politike, Meta ka dëshmuar një moral politik që I ka garantuar edhe mbijetesën e vet edhe atë të sistemit. Mjafton të kujtojmë fjalimin e tij në 21 korrik dhe këmbënguljen për të përfshirë opozitën në votimin për reformën në drejtësi, që të deduktojmë se nuk është mazokist të pranojë zgjedhje pa opozitën. Të mohosh ekzistencën e një fantazme, thjeshtë e bën atë të rritet edhe më shumë. Ndaj në 1 prill dikush do duhet të mbajë qëndrim, cështja është kush do ketë dëshirën të gënjejë e gënjehet.

 

Rebusi ka nisur herët e ka nisur të bëhet frustrues. Pse u dashka të shkërmoqim logjikën në përsiatje pa qeder se a është kokë turku një ministër, iku se deshi LSI, apo se me një lëvizje taktike Rama e coi topin në Cadër. Servirja e ndryshimeve ministrore pak ditë para raportit të DASH, shoqëruar me një kokë ‘dashi’ në garniturë të varfër (ikja e tre ministrave përpos Tahirit) si përpjekje drejt dialogut është kaq qesharake. Nuk ka më top e me gjasë as fushë. Që publiku mos konsumohet në militantizëm, na e bëri edhe një herë të thjeshtë vendi që mesa duket na ka mbështetur më shumë se c’kemi dashur veten, në një dashamirësi ende të paqartë historike, por aq të dukshme e të vërtetueshme. Shtetet e Bashkuara në kulmin e krizës politike në vend, ku opozita kërkon zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri garantuese teknike a c’emër të duan t’I vënë dërgojnë mandatën: Raporti 2017 I DASH, i cili mbulon si periudhë vitin 2016, e përcakton Shqipërinë si bazë të krimit të organizuar, pikë e rëndësishme e trafikut ndërkombëtar të drogës, vend ku pastrohen lehtë paratë dhe ku sundon korrupsioni i shfrenuar. Më këtë përcaktim e raport të plotë, na ka dhënë mundësinë të mos përhumbemi në alibitë e Cadrës, as në revanshet e pushtetit me kundra cadra. Vetëm në këtë rast ia vlen t’I dëgjosh gënjeshtrat, sepse më në fund di të vërtetën. Nëse duan le t’I mbajnë të tyret, ama nuk ka më alibi për mos reagimin tonë. Se mund t’I mashtrosh disa njerëz përgjithmonë, a të gjithë njerëzit për ca kohë, por nuk mund të mashtrosh të gjithë përgjithmonë. Apo?

 19.03.2017, 18:46  | T.E. | 397 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"

Dimitrie Cupovski 4/2-11
Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.