« Zhurnal mëson » Stevo Pendarovski koordinator nacional për anëtarsimin e Maqedonisë në NATO?
Fetai: Politikanët në Maqedoni zëvendësojnë popullin me sekretaresha
« Analizë "BIRN" » Kreu i Sarajit Murati në mungesë të projekteve ideore ka humbur 1.5 milion euro për i..
Para lokaleve partitë politike të ulen në tryezë të përbashkët dhe të zotohen për zgj..
Gruevski më i fuqishëm për jetën e PSP-së sesa Zaev, Ahmeti e Sela ?!
katica-janeva-11-520x256.jpg

Shkup, 20 mars – Se i akuzuari mund të vendos nëse ai duhet dërguar në burg apo jo, kjo mund të jetë e mundshme shumëkund nëpër botë, e pra edhe në Maqedoni në rastin e kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Gjetiu ajo ndodhë kur gjykatësit janë nën kontrollin e të akuzuarit, apo kur gjykatësit kërcënohen me vdekje nga i njëjti, apo të njëjtët. Por në Maqedoni, në rastin e Nikolla Gruevskit kjo mund të ndodhë ndryshe.

Kur u themelua Prokuroria Speciale Publike(PSP-ja) me në krye Katica Janeva, votuan në favor të gjitha partitë parlamentare të vendit.

Asaj kohe PSP-së iu përcaktua edhe afati kohor për të ekzistuar: vetëm 18 muaj. Sipas kësaj PSP-ja do të duhej të mbyllet në Qershor të këtij viti.

Tash palët që e votuan, janë të përçara nëse duhet vazhduar jetën kësaj prokurorie.

VMRO-DPMNE natyrisht se e do fundin e kësaj prokurorie në Qershor dhe kështu kreu i saj,, Gruevski mund të shpëtojë.

PSP-ja po merret me dy lëndë kundër Gruevskit. I pari ka të bëjë me veturën Mercedes për të cilin janë paguar 600.000 Euro. rasti i dytë e lëndës ka të bëjë me Nikolla Gruevski me rastin “Shuplaka”, kur sipas dyshimeve të PSP-së, gruevski ka urdhëruar dhunë fizike ndaj Kryetarit të Komunës Shkur-Qendër, Andrej Zhernovski.

Me Mercedesin 600.000 Euro dhe ‘Shuplakat’ për Zhernovskin, Janeva dhe koleget e saja mendojnë që ta dënojnë Gruevskin.

Por, gjasat që kjo të ndodhë duken shumë të zbehta, sepse është pikërisht Gruevski dhe partia e tij, ato të cilët mund të vendosin se kush do të ndëshkohet e kush jo.

A do të ndëshkohet Gruevski dhe kolegët e tij, apo PSP-ja do të mbyllet? Kjo varet nga ajo se a do të vazhdohet jeta e PSP-së, nga parlamenti.

Fuqia e VMRO-DPMNE, qëndron aty në mungesën e predispozitës kushtetuese dhe ligjore se a duhen dy të tretat e deputetëve apo vetëm shumicë e thjeshtë. Kjo nuk është e përcaktuar askund.

Numri i votave të nevojshme nuk ishte përcaktuar as për themelimin e PSP-së para 13 muajve, e as nuk është përcaktuar as tash kur duhet mbyllur atë apo duhet vazhduar mandatin e saj.

Dhe përçarjet midis palëve politike janë të thella për fatin e kësaj prokurorie që lindi në Przhino me ndërmjetësimin e BE-së.

VMRO-DPMNE është e vetmuar kur thotë se PSP-së nuk duhet vazhduar mandatin. Natyrisht, si mund të pritet të thotë ndryshe kjo parti kur njeriu kryesor i saj rrezikon që të ndëshkohet .

VMRO-DPMNE në njërën anë dhe partnerët e rinj, LSDM, BDI e partitë shqiptare, kanë qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me jetën e kësaj prokurorie.

Gruevski ritheksoi qëndrimet e tij se PSP-ja do të duhej mbyllur në qershor. Ai madje akuzoi vendet perëndimore pse e duan vazhdimin e mandatit.

Nikola Gruevski"Nuk ka nevoja juridike dhe thelbësore për vazhdimin e 18 muajve të PSP-së, por faktorët e jashtëm kanë nevojë politike, për shkak të realizimit të disa qëllimeve dhe interesave të tyre të tjera. Ideja për shtyrjen e këtyre 18 muajve nuk buron prej PSP-së. Këtë e di, nuk e supozoj. Për shkak të kësaj, ne kemi marrë një vendim se VMRO-DPMNE-ja nuk do të pajtohet për vazhdimin e afatit të PSP-së dhe këtë e kemi deklaruar disa herë”, ka thënë Gruevski për gazetën “Dnevnik”.

Gruevski, është sqaruar se më e rëndësishme për të është fundi i PSP-së sesa themelimi i qeverisë së re. Ai madje pat deklaruar se nëse kushti për qeverinë e re është vazhdimi i mandatit të Speciales, ai nuk do ta pranojë këtë kusht.

Krejtësisht ndryshe mendojnë BDI dhe LSDM. që të dy këto parti e duan shumë vazhdimin e mandatit të PSP-së.

BDI, punën e PSP-së dhe vazhdimin e mandatit të saj e ka në mesin e pikave për të cilat ishte shprehur se janë të pa negociueshme, dhe për këtë ajo ka pajtimin edhe të LSDM-së, me të cilën synon që të krijoj qeverinë e ardhshme.

Sipas partisë së Zoran Zaev-it në këtë pikë nuk ka kompromis. LSDM thotë se PSP-së duhet që t’i vazhdohet mandati pas qershorit. Kjo thuhet qartë edhe në propozim-programin e qeverisë, që Zaev bëri para 2 javëve.

Sipas të dy këtyre partive mos vazhdimi i mandatit të PSP-së do të pamundësojë zbardhjen e skandaleve korruptive.

Deri më tani, PSP-ja ka ngritur disa padi penale, përfshirë edhe dy rastet e përmendura më lartë ku përfshihet vet Gruevski. Por asnjë lëndë deri më tash nuk ka pasur epilog gjyqësor.

PSP është ankuar se në punën e saj nuk ka pasur bashkëpunimin të mjaftueshëm, dhe është  penguar nga institucionet shtetërore, fillimisht nga DSK-ja, Prokuroria Publike si dhe Këshilli i Prokurorëve Publik.

Fati i PSP-së tash kërkon një epilog politik përsëri, në mungesë të parashikimeve kushtetuese dhe ligjore.

Në ligjin e votuar nga parlamenti këtë ligj nuk është përcaktuar vazhdimi i mandatit të PSP-së. Dhe për numrin e votave që duhet për të vazhduar mandatin e PSP-së ka zëra të ndryshëm edhe nga radhët e profesorëve universitar.

Vllado Popovski për Zhurnal.mk thotë se për vazhdimin e mandatit të PSP është e nevojshme që të ketë 2/3 e votave të përbërjes parlamentare. Popovski thirret në disa predispozita ligjore shumë të mëhershme për strukturat vendore të drejtësisë.

Vlado Popovski“Unë mendoj se është e nevojshme 2/3 e votave sepse bëhet fjalë për institut ligjor, veçanërisht prokuroria. Me ligjin për gjykatësit kërkoheshin 2/3 e votave ndërsa më pas në kohën e qeverisë se Buçkovskit dhe prokuroria me ligj plotësuese dhe në përputhje më prokurorët është bërë ashtu siç mund të rikujtohem unë me 2/3 e votave. Me Kushtetutën e vitit 1991prokuroria nuk ishte e paraparë me 2/3 e votave, megjithatë më pas Buçkovksi dhe qeverisja e tij kanë propozuar sipas propozimeve të partive shqiptare të sillet me 2/3 e votave që do të thotë se PSP paraqet institut në kuadër të ligjit për Prokurorinë dhe sipas kësaj ai ligj që është sjell në kohën e Buçkovskit është me 2/3 e votave ashtu siç sillet tani”, ka deklaruar për Zhurnal profesori universitar, Vllado Popovski.

Mirëpo njëjtë sikur Popovski nuk mendon profesori universitar Mersim Maksuti.

Ai për Zhurnal.mk thotë se vazhdimi i mandatit të PSP mund të bëhet edhe me shumicë të thjeshtë, përkatësisht 61 vota të deputetëve. Sipas Maksutit Marrëveshja e Përzhinos ( ndërmjetësuar nga BE për kapërcimin e krizës së asaj kohe) e mundëson këtë numër votash për të vazhduar jetën e PSP-së.

“Sipas mendimit tim mund edhe me 61 vota, ngase Marrëveshja e Përzhinos përfshin rregulla të veçanta që vlejnë vetëm për rregullativen që buron nga kjo marreveshje. Kjo është çështje e diskutueshme  ku më e drejtë do të ishte që vazhdimi i prokurorisë speciale të ishte si rezultat i kompromisit të katër partive më të medha që buron nga Marrëveshja e Përzhinos”, ka deklaruar për Zhurnal.mk profesori Mersim Maksuti.

Lëmshi megjithatë vazhdon. përderisa nuk ka përcaktime ligjore të qarta se sa vota mjaftojnë për vazhdimin e jetës së PSP-së këtu përsëri qëndron fuqia e Gruevskit dhe partisë së tij, sepse në situata të këtilla jo të qarta, kompromisi politik ka gjasë që të dominojë opsionet e tjera.

Dhe u kuptua, Gruevski dhe VMRO-DPMNE e tij, sinjalizojnë se janë të gatshëm që të tensionojnë deri në gjakderdhje krizën e re në Maqedoni për të mos mbetur në opozitë dhe për t’u mos përballur me PSP-në për lëndët për të cilat ai dhe njerëzit e tij akuzohen.

Negociatat e Janarit, pas zgjedhjeve të Dhjetorit, për qeveri midis VMRO-DPMNE dhe BDI, nxorën në shesh frikën kryesore të Gruevskit.

BDI ka shpalosur se arsyeja e vetme pse dështuan negociatat me VMRO-DPMNE-në dhe nuk formuan qeverinë e re, ishte pikërisht PSP-ja. BDI-ja deh partitë e tjera shqiptare janë në favor të vazhdimit të jetës të PSP-së. Njëjtë edhe LSDM-ja.

Ndërsa për VMRO-DPMNE-në kjo është kategorikisht e papranueshme.

PSP-ja ishte arsyeja kryesore pse dështuan negociatat midis Gruevskit dhe Ametit për koalicion të ri, sa do që tash Gruevski dhe VMRO-DPMNE i thonë publikut maqedonas, se arsyeja është deklarata/platforma  e partive shqiptare e 7 Janarit.

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 20.03.2017, 12:45  | E.K. | 6,737 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
Luana pubikon foton më të nxehtë pas martesës së Marinës! (Foto)
Vala e ftohtit në Maqedoni, shihni se çfarë moti na pret
Reja e Shyhretes kujton natën e beqarisë (Foto)
Arrestohet Igor Jug, njëri prej dhunuesve në natën e 27 prillit në Kuvend
Refiqe Tërnava nuse, ky është bashkëshorti i saj (Foto)
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.