Ish-ministri i 2001 i VMRO-DPMNE-së, i jep Zaevit përkrahje për qeverinë me shqiptarë..
« EDITORIAL » A duhet pos VMRO-DPMNE `Catharsis` sipas A. Grubit edhe në BDI, LSDM e PDSH ?
Pse BDI, Besa dhe Aleanca nuk i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ndaj Ivanovit ?
« Zhurnal mëson: » Shtetet e BE-së të përçara për sanksione ndaj Maqedonisë
Duket se Kryetari i shtetit nuk e adhuron thënien « e treta, e vërteta »!

Nga Lirim Begzati

Për shkak të interpretimit të tij të preferuar kushtetues, të shumtë ishin ata që nuk i pëlqyen aspak aktet e para të kryetarit të shtetit për dhënien e mandatit qeveritar. Hapi i parë i tij, përmes dhënies së mandatit partisë më të madhe, u kritikua. Edhe hapi tjetër i rezymuar « presë tani formimin e shumicës parlamentare », nuk u kursye aspak nga kritikat.

Kështu pra, që të dy opcionet e zgjedhura nga kryetari u përballën me komentime të ndryshme konfuze dhe kontradiktore, edhe pse një interpretim kushtetues objektiv nuk iu jepte ndonjë të drejtë të pakushtëzuar kritikuesëve. Kushtetuta, hapësira interpretuese e saj dhe prerogativa e një kryetari shteti nuk i vënë tërrësisht në dyshim, së paku juridikisht, dy hapat e para të zgjedhura të kryetarit. Mirëpo, nënkuptohet se klima e acaruar politike dhe disa qëndrime të « ngutura » apo të gabuara të tij në të kaluarën, ndikuan drejtpërdrejt në zbehjen e konforit të besueshmërisë qytetare ndaj personalitetit dhe rolit të tij.

Sot, nëse bëjmë një llogari, kryetari i shtetit është duke e përdorur për të tretën herë kompetencën e tijë interpretuese dhe presidenciale për dhënien e mandatit. Ajo çka ndodhi kohëve të fundit tregoi se iu afruam shumë thënies « e treta e vërteta »!

Megjithatë, duket se shija vlerësuese e kryetarit morri një kahje jo aq të kuptueshme për të gjithë. Vlerësimi i tij politik, e nga ana tjetër, edhe kushtetuta me zbrazëtirat e saja «gjigante» japin fatëkeqisht një hapësirë « lojrash dhe kalkulimesh politike »! Por, jo deri në atë masë, edhe kushtetuta nuk është aq e «keqe» sa e mendojmë disa herë! Të kërkojmë pra fajësinë diku tjetër, aty ku duhet!

Pas disa etapave « testuese » të kryetarit, le t’a zëmë se kanë qenë edhe të paevitueshme, tani gjindemi në një situatë që duket shumë më e qartë dhe në pajtim me kërkesat e kushtetutës; një numër shumicë parlamentare iu prezantua kryetarit të shtetit. Jo vetëm një numër «matematikor», por edhe disa kushte të tjera që kërkohen në rastet e tilla. Nëse përmes një kërkese tjetër, kryetari shkon më larg, duke prekur edhe fushën e vlerës dhe besueshmërisë së një programi të prezantuar qeveritar, atëherë kjo do të supozonte se prekim në një horizont tjetër të «ndaluar», ku kryetari nuk do të kishte të drejtë të përzihet në «punët e mbrendshme» të ndonjë autoriteti tjetër politik. Programin qeveritar e përpilon dhe e konkretizon qeveria, e jo dikush tjetër apo nën ndikimin e dikujt tjetër.

Mungon edhe diçka, sipas kryetarit. Çka ndodhi? Në vend që të mbetemi në «oborrin» tonë, u kërkuan pretekste dhe fajtorë diku tjetër, jashtë shtetit. «Një platformë e një shteti të huaj», e kuptuam vlerësimin e kryetarit të shtetit. Ky vlerësim i tij meriton së paku katër vërejtjet vijuese : së pari, platforma e prezantuar nga partitë shqiptare nuk mbanë aspak vulën e një shteti të huaj; së dyti, asgjë nuk i ka ndaluar partitë shqiptare që, në kuadër të reflektimeve të tyre, të marrin ndonjë mendim edhe diku tjetër, qoftë mbrenda qoftë jasht vendit; së treti, çështja e vlerësimit të kërkesave që dalin nga platforma, më tepër është nën kompetencën e dirigjuesve të partive që duhet të arrijnë shumicën parlamentare dhe formimin e qeversië, se sa në duart e kryetarit të shtetit; dhe së katërti, nëse kryetari vlerëson se platforma është një « trup i huaj », do të kishte qenë më tepër e kuptueshme nëse ai, në suazat e kompetencave që i’a lejon kushtetuta, të paraqet qëndrimin e tij, qoftë ai edhe kritik, duke evituar me vënë në dyshim përmbajtjen dhe domethënien e një dokumenti madhor politik, të një grupi politik nga i cili n’varet në masë të madhe edhe arrdhmëria e vendit.

Vendimi i kryetarit jepë përshtypjen se një opcion tjetër i rradhës do të jetë më i suksesshëm sipas tij. Nuk dyshohet aspak fakti se, as vet kryetari e as dikush tjetër, nuk mund të paragjykojnë ndonjë rezultat më të favorshëm, në etapën e rradhës! Një hipotezë tjetër e « ëndërruar » apo e prituar nga ana e kryetarit, çka do të nënkuptonte konkretisht? A jemi të sigurt se opcioni i zgjedhur për mosdhënien e mandatit ofron një fushëveprim të përshtatshëm për dalje nga kriza? Edhe pse të vetëdijshëm se çfardo zgjidhje e ofruar do të përballeshte me siguri me shprehjen e revoltës tek «humbësit», prapëseprap, sipas opcionit që sot e kemi në dispozicion, besimi i mandatit partisë që ka siguruar shumicën parlamentare të kërkuar për formimin e qeverisë, duket si një zgjidhje më optimale, në krahasim me ofertat tjera të «tregut politik» apo ofertat hipotetike e të imagjinuara të së arrdhmes.

Dy etapa të rëndësishme siç janë dështimi i formimit të qeverisë nga partia më e madhe dhe formimi tani i shumicës parlamentare, si kusht ky i cili u kërkua nga vet kryetari i shtetit, i treguan qartë tij (dhe shumë të tjerëve) se jemi përballë disa rezultateve dhe një situate që kërkojnë ndryshime. Mesazhi i mëhershëm i përcjellur përmes votës demokratike, e përforcon aq më tepër argumentimin e tillë. Të gjithë kësaj do t’i shkonte përshtati konkretizimi praktik i thënies « e treta e vërteta», thjesht pasi që duket qart se ajo edhe ndodhi!

 07.03.2017, 16:04  | B.M. | 1,287 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"

Dimitrie Cupovski 4/2-11
Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.