Daçiq: Serbia mund të ndryshojë qëndrimin për emrin e Maqedonisë
Gruevski: Qeveria gabon nëse e ndryshon politikën tatimore
Jeremiq: Tërheqja e diplomatëve serb nga Shkupi, dilentantizëm dhe mashtrim diplomati..
« E tmerrshme » Huliganët maqedonas rrahin barbarisht Albanin, institucionet heshtin (Foto)
Univeristeti “Nëna Tereze” në Shkup, vlerë kombëtare!

Azam Dauti

Gjatë panairit të librit “Tetova 2016”, një mik i imi profesor në UT, e që ishte me një profesor të UEJL-së, pasi e vizituan stendën e Shtëpsië  Botuese “Shkupi”, propozuan të ulemi në një kafe, aty te këndi i kafeterisë, në Pallatin e Shtëpisë së Kultures, në Tetovë.  Si zakonisht, përpos bisedës për zbehjen e panairit dhe problemit të lexueshmërisë, filloi edhe muhabeti lidhur me  aktualitetin politik në vend. Ashtu spontanisht, miku im (profesor në UT), më pyet: Çka mendon për themelimin e Universitetit “Nëna Tereze” në Shkup? Ndërkaq, unë ashtu siç jam i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë nga natyra, i them: U bënë  25 vjet tranzicion dhe partitë shqiptare, të vetmen punë të madhe kombëtare e kanë bërë me  themelimin e këtij Universiteti në Shkup. Përgjigja ime u bë shkas dhe “spunto” për t’i hyrë këtij muhabeti të gjatë dhe si hyrje në debatin lidhur me këtë çështje me të dhe mikun e tij. Ai, paksa i befasuar, ndërhyri me të shpejtë nëpërmjet një pyetjeje e cila i ngjante më shumë kritikës dhe e cila sikur nuk priste ndonjë përgjigje ndryshe nga ajo që ai e kishte formuar tashmë në mendjen e tij:

- Kombëtare, apo antikombëtare?!

 Pyetja e tij, e formuluar kësisoj, më shtyri të sqaroj mendimin dhe qëndrimin tim:

- Shumë kombëtare! Jashtëzakonisht kombëtare! Kombëtare e shkuar kombëtares! Madje, do të shtoj se themelimi i këtij Universiteti në Shkup, paraqet vlerë kombëtare, e cila do të reflektojë në të gjitha sferat e zhvillimit të jetës shqiptare në Maqedoni, si në aspektin e formimit të klasës së re politike, që do të frymojë lirshëm dhe pa komplekse nga e kaluara sikur që  do të ndikoj edhe në avansimin e tërësishëm të shoqërisë shqiptare, në të gjitha fushat e jetës  arsimore, shkencore, kulturore e politike.
Këtu, mjaft rrufeshëm,  ndërhyri miku im:

- Po pse,  a pak i kemi dy Universitete, të cilat  në vend që të rritim cilësinë e tyre në mësim... Ti nuk e ke idenë, se nëpër çfarë krize jemi duke kaluar ne në UT, në aspektin e cilësisë në mësim, në punën e përditshme dhe në organizimin e veprimtarisë së gjithmbarshme atje. Pse të themelojmë edhe një Universitet publik për të cilin nuk kemi nevojë, sepse kështu  e thellojmë edhe më shumë krizën akademike që është krijuar, në saje të ca universiteteve tjera private në Shkup!

 Ashtu si’ç’ më ndërpreu mua në shpjegim, ngjajshëm veprova edhe unë duke e ndërprerë atë me gjithë atë tiradë fjalësh me të cilat jo se mundohej të justifikojë dështimet e njëpasnjëshme në UT,  sa të kontestonte arsyeshmërinë edhe shkencore e arsimore por edhe kombëtare të themelimit të Universitetit “Nëna Tereze” në Shkup.

- Po  mirë, nëse këto dy Universitete  qenkan në krizë akademike, shkaku i universiteteve private në Shkup, që është krejtësisht e pavërtetë dhe e pajustifikueshme,  atëherë çka u pengon këtyre dy Universiteteve, të cilat veprojnë në një oborr dhe në një qytet i cili megjithate gjithmonë ka qenë në periferi të ngjarjeve të mëdha me interes politik e arsimor kombëtar,  të ketë një konkurencë të shëndoshë akademike, e cila do të mbaj llogari në cilësi dhe profesionalizëm, e jo në dhënien e notave, një universitet i themeluar në kryeqytetin e vendit, në qytetin ku kryqëzohen interesat më të mëdha edhe me dimensione ndërkombëtare, në një qendër administrative, politike e kulturore ku shqiptarët ndër shekuj kanë qenë dhe kanë mbetë faktor i rëndësishëm për determinimin e lëvizjeve të mëtutjeshme në të mirë të vendit dhe kombit. Aq më shumë, që ky Univeristet në Shkup, është dashur të themelohet qysh para 25 vjetëve e jo tani. Madje, ka diçka pragmatike dhe humane, që ky Universitet i ri e ka kundrejt univeristeteve tjera shqiptare; si qendër e rëndësishsme adminstrative e ekonomike, rreth këtij universiteti do të rreshtohen edhe të rinjtë e Kumanoves e Velesit ndërsa ndihmë e rëndësishme do të jetë edhe për Luginën e Kosovën, veçanërisht për pjesen prej Ferizaj e këndej, duke iu mundësuar këtyre që në vend se në Tetovë, ku shpenzimet e studimit janë më të larta, të studiojnë në Shkup ku çdo gjë është më e përballueshme.  Nuk është njësoj të jesh me kutoën 100 apo 200 euro dhe 2000 euro, apo qoftë edhe pa pagesën e kuotës në Tetovë, studentit në Shkup, që vjen e studion në Tetovë, harxhimet i shumëfishohen aq shumë,  sa studentët thjeshtë nuk mund t’i përballojnë, edhe nëse nuk paguan as ato 100 apo 200 euro në vit.

Të irituar tej mase nga elaborimi dhe arsyetimi i themelimit të këtij institucioni të shenjtë arsimor në Shkup,  profesori nga UEJL, ndërhyri sërish:

- Univeristetet nuk bëhen për çështje sociale. Këtu kemi ndërtu infrastrukturë studentore, nuk kemi nevojë në secilën mahallë me bë Univeristete. Unë kam studiuar në Prishtinë dhe  asgjë të keqe nuk kam pasë prej një studimi atje, përkundrazi. Pastaj, a e din ti, cilët profesor jokompetent janë pranuar në atë Univeristet në Shkup? Nuk hapen universitete pa i përmbushë kriteret arsimore. Këtë e ka bërë BDI-ja për interesa paritake,  jo për cilësi dhe as për ato gjëra tjera që thua ti.
 Biseda, filloi të bëhet interesante. Ndaj këtyre pohimeve të tij, unë iu përgjigja:

- Personalisht  kam dëgjuar reagime, përse ky është bërë rektor apo pse ky u bë profesor, që ndoshta diku, diku mund të ketë vërejtje të argumentuara. Mirëpo, duke pasur parasysh se si funskionojnë universitet  tjera në Maqedoni, apo si janë themeluar univeristete  tjera, Universiteti “Nëna Tereze” është themeluar shumë më në rregull dhe më profesionalisht dhe me më pak partizim, se sa të tjerat, duke respektuar dhe përmbushë të gjitha kriteret e parapara me ligj.  Në krahasim  me atë që kam dëgjuar, se në UT janë bërë profesor me shkolla nate,  janë pranuar ligjërues me magjistratura të dyshimta në cilësinë e asistentit në moshë dyzet e pesë (45) vjeçare, pa respektuar kurrfarë kritere, përveçse janë funksionar të lartë të një partie të caktuar, pa konkurse dhe pa kurrfarë recensionesh,  në stafin e parë akademik në UNT, unë shoh njerëz profesionist dhe të dëshmuar në fushat e veta, e që u takojnë disa partive politike, gjë  që nuk ka qenë rast me UT-në dhe UEJL gjatë themelimit. Edhe ato i kanë themeluar  të njejtat parti, që janë sot. Çështja është e përgjithshme; si të çlirohemi nga partizimi i arsimit, kulturës, ekonomisë etj. Prandaj, edhe në këtë aspekt, UNT-ja është shumë para UT-së dhe UEJL.
Miku im profesor në UT, me gjithë padurimin e tij për të dëgjuar bashkëbiseduesin, ndërhyn, si zakonisht kur nuk pajtohet me konstatime të caktuara:

- Ama shiko! Ti nuk po më kupton! Ne nuk kemi kapacietete kuadrosh për t’i bërë këto punë këtu, e lene më  një Universitet  të ri! Pastaj,  e din ti sa keq reflektohet duplifikimi i fakulteteve?

Lidhur me këtë çështje, me kompetencë të plotë, në bazë të njohurive dhe informacioneve që kam nga dorë e parë, i përgjigjem mikut tim:

- Po. E pashë se sa korrekte ishte kjo që drejtimet teknike, në mënyrë të përshpejtuar juridike i riktheu UT-ja. Përse e bëri këtë?! Kjo i jep arsye shtesë  UNT-së të mbroj atonominë e vet universitare dhe të hapë të gjitha drejtimet e nevojshme, pavarësisht a ka drejtime të ngjajshme të hapura në UT, EUEJL apo diku tjetër. Dhe  këtë shpresoj  se do ta bëj shpejt, jo për inat të UT-së, por për shkak të nevojës së nxënësve shqiptarë. Përse të mos hapet Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Juridik, Fakulteti i Arteve (dramatik, muzikor dhe figurativ), Filologjiku etj.? Të gjitha këto drejtime, realisht dhe praktikisht, janë të nevojshme ndërsa  edhe kushtet e studimeve për këto drejtime, më së miri mund të realizohen në Shkup. Kjo është kështu, sepse në Shkup janë institucionet shëndetësore, ekonomike, adminsitrative, kulturore, artistike etj. Pra, të gjitha faktorët për lëndët praktike të këtyre drejtimeve, janë në Shkup,  jo në Tetovë.
Ndaj këtij krahasimi, reagoi profesori nga UEJL:

- Tani,  me këto të fundit, po e zbulon lokalizmin tënd. Ne nuk guxojmë të ndahemi në këtë mënyrë.
 Për t’ia ndërprerë muhabetin, me shumë miqësi  iu përgjigja profesorit të nderuar:

- Për  cilin lokalizëm e ke fjalen? Kryeqytetasi nuk mund të deklarohet lokalist, por as nuk mund të akuzohet si i këtillë. Po të ishim lokalista, Shtëpia Botuese “Shkupi”, por edhe unë  personalisht, nuk do të ishim angazhuar të mbajmë 15 vite me radhë Panairin e  Librit këtu në Tetovë. Urdhëroni tani, ti me këtë shokun tim, mundohuni të  tejkaloni lokalizmin tuaj  dhe punoni të ndihmoni sëpaku nja 15 vjet kryeqendrën e dikurshme të shqiptarëve,  Shkupin... Edhe me kaudro profesorësh, edhe me veprimtarë tjerë të cilët në Tetovë, për fat të mirë i gjejmë me bollëk.

Dialogu filloi të bëhet më relaksues, pavarësisht se u hap një temë edhe më e rëndë. Profesori nga UEJL, ma ktheu, tanimë me një ton krejtësisht tjetër:

- Do të vinim, po të mos e kishte emrin “Nëna Terezë”!

Befasia ime nuk kishte fund andaj iu  përgjigja:

- Në të gjitha “fetfatë” serioze, e kam dëgjuar se nuk është me rëndësi emri, por përmbajtja dhe përbërja e lëndës. Nuk e di, nga cili aspekt ty të pengon emri “Nëna Terezë”?!  Mua  për shembull më pengon që institucionet dhe partitë shqiptare në Maqedoni, duke hezituar të zgjedhin emra veprimtarësh tjerë shqiptarë, parapëlqejnë ta zgjedhin këtë emër, që nuk është në rregull. Por, mua më brengos një fakt tjetër: përse ne po harxhojmë energji për çështje anësore, e jo për atë thelbësore? Si është e mundur  që Qeveria ta themelojë Universitetin dhe të mos i ndajë 20 milionë euro, aq sa i ka dedikuar Univesitetit  “Damjan Gruev”,  i cili u themelua pak më vonë se  Universiteti “Nënë Tereza”?! Dhe për  këtë askush as nuk flet dhe as nuk çanë kokën? Ndërkaq, nevojat e Universitetit “Nëna Tereze” janë më të mëdha  se të Universitetit “Damjan Gruev”, i cili edhe mund të funskionoj nëpër objekte të Universitetit ekzistues në Shkup, shumë më komod se UNT-ja. Madje, ç’është më e keqja, UNT-në, nuk e saboton vetëm politika maqedone, por kryesisht ata politikanë shqiptarë, që e kanë themeluar UNT-në (me paramendime të tjera), e që nga ana tjetër, instiucionalisht ua kanë lënë barrë disa të punësuarve në Ministrinë e  Arsimit dhe Komunës së Çairit. Jorastësisht, këtu ka “spica”, për ta fajësaur Komunën që po e “privatizon” Universitetin, e nga ana tjetër  i rihap të gjitha drejtimet teknike në UT. Ndërkaq,  sipas Marrëveshjeve “partiake”, duhej ta vazhdonin punën në UNT. Megjithatë, unë them, dhe mbroj qëndrimin, se të gjitha vërejtjet për joprofesionalizëm, partizim, privatizim etj., edhe po të jenë të pranishme si fenomene  në funksionimin e UNT-së, jo vetëm nga ju të dy, por edhe nga shumë të tjerë, ky Universitet është vlerë kombëtare, të cilin duhet ta ushqejmë dhe ta ndihmojmë të gjithë shqiptarët, kudo qofshin, sepse ndryshimet pozitive të shqiptarëve do të fillojnë nga ky Universitet dhe jo nga partitë e reja apo të vjetra shqiptare.

E përmbyllëm bisedën për Universitetin “Nënë Terezë”, por mbeti debati i hapur: Nga kush dhe si duhet të përkrahet Universiteti i ri në Shkup?! Personalisht, mendoj se duhet përkrahur pa rezervë nga çdo shqiptar, që kushdo që ka gjak shqiptari në rruzullin tokësor, duhet ta mbështet këtë Universitet, pa hezituar fare, se kush e themeloi dhe cilët ishin qëllimet “e fshehta” siç dyshojnë disa, janë gjëra më pak të rëndësishme. Qofshin qëllime të mira apo të tjera, kryesorja u themelua dhe instiucionet e shtetit tash e kanë obligim ta mbështetin në mënyrë institucionale këtë Universitet. Ndërkaq, të gjithë të tjerët, vetëm mund ta begatojnë me kontributin e tyre, në çfarëdo mënyre qoftë: morale,  materiale, kadrovike, institucionale apo në forma tjera.

 09.03.2017, 22:02  | B.M. | 2,477 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
Gjuajtje me armë pranë burgut të Idrizovës, ja çfarë ndodhi
Vuçiq tregon arsyen se pse Beogradi ka tërhequr personelin diplomatik nga Shkupi
Morena do t’ju çmendë me këtë foto nga pishina (Foto)
Ramabaja: Tërheqja e diplomatëve serb nga Shkupi, pranim publik i disfatës së `27 Prillit` nga ana e Beogradit
Bigi po martohet, ja detajet!
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.