Daçiq: Serbia mund të ndryshojë qëndrimin për emrin e Maqedonisë
Gruevski: Qeveria gabon nëse e ndryshon politikën tatimore
Jeremiq: Tërheqja e diplomatëve serb nga Shkupi, dilentantizëm dhe mashtrim diplomati..
« E tmerrshme » Huliganët maqedonas rrahin barbarisht Albanin, institucionet heshtin (Foto)
Kryeparlamentari Xhaferi: Nevojitet ndarje ndërkombëtare e informatave kundër kërcënimeve në hapësirën kibernetike
133743150.jpg

Shkup, 19 qershor - Pavarësisht leksioneve të mësuara dhe përvojës së fituar, siguria në shekullin 21 bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar, ndërsa nga spektri i gjerë i sfidave, veçanërisht jemi të shqetësuar nga terrorizmi ndërkombëtar, përhapja e armëve të shkatërrimit masiv, konfliktet religjioze dhe fetare, krimi i organizuar dhe krimi kibernetik. Pasi këto kërcënime janë trans nacionale, asnjë vend nuk mundet me sukses t’i përballojë ato vetë, po nevojitet përgjigje globale e koordinuar, që paraqet sfidë shtesë të madhe në kuptimin financiar dhe operativ.

Këtë e theksoi kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi në Forumin parlamentar të sigurisë, që sot u mbajt në PArlamentin e Latvisë në Rigë, informoi kabineti i tij.

"Sot, pasi një pjesë e madhe e operacioneve të përditshmërisë mbështeten në teknologjitë informative, çështjet e sigurisë bëhen jashtëzakonisht të rëndësishme. Hapësira kibernetike e ka transformuar në mënyrë thelbësore ekonominë globale dhe mënyrën tonë të jetës, duke mundësuar qasje të drejtpërdrejtë te informacionet anembanë botës, komunikim dhe mundësi të reja ekonomike, por njëkohësisht ka hapur edhe terren të ri për betejë, që mund ta rrezikojë sigurinë nacionale, ekonominë dhe qytetarët. Qëllimet kryesore të sigurisë kibernetike janë të një diapazoni të gjerë: parandalimi i vjedhjes së identitetit të huaj, parandalimi i spiunazhit industrial – keqpërdorimi i informacioneve delikate të biznesit, parandalimi i rrjedhjes së informacioneve më të besueshme në lidhje me sigurinë shtetërore", tha Xhaferi.

Ai theksoi se pasojat kolektive të këtyre llojeve të sulmeve krijojnë ndjenjë të cenueshmërisë, por edhe e ngritin vetëdijen nacionale për nevojën e edukimit të përforcuar në fushën e sigurisë së informacionit, ndërsa e përmendi edhe përgjegjësinë e parlamenteve kombëtare.

"Si parlamentarë kemi përgjegjësi të përbashkët për ta përforcuar kornizën legjislative në aspektin e sigurisë kibernetike dhe të vendosim mekanizma institucionale që do të mundësojnë përgjigje efektive dhe veprim të koordinuar në nivel nacional, rajonal dhe ndërkombëtar. Për ta mbrojtur hapësirën kibernetike doemos duhet të sigurohet prioritet i lartë i koordinimit të strategjive nacionale për siguri, bashkëpunim ndërmjet sektorit publik dhe privat, si dhe përfshirja e qytetarëve dhe gjitha palëve të prekura", tha Xhaferi.

Ai shtoi se praktika tregon se menaxhimi i çështjeve të sigurisë kibernetike, ruajtjes së informacioneve virtuale të karakterit strategjik, si dhe mbrojtja nga spiunazhi dhe krimit onlajn janë detyra mjaft të komplikuara që bartin sfida të caktuara. 

"Për t'i mbrojtur vlerat demokratike dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe privatësinë, imponohet nevoja për ndërtimin e partneriteteve më të fuqishme me anë të ndarjes ndërkombëtare të informacioneve ndërmjet shteteve rreth kërcënimeve ekzistuese në hapësirën kibernetike. 
Republika e Maqedonisë është në proces të përgatitjes së strategjisë nacionale për mbrojtjen kibernetike, ku janë përfshirë të gjitha institucionet relevante qeveritare dhe akademike. Gjatë këtij procesi, debatojmë për praktikat më të mira dhe qasjet inventive për zhvillimin e sigurisë kibernetike, si dhe mbledhjen e përvojave nga vendet që tani më kanë hartuar strategji të tilla, për t’ju përgjigjur të gjitha sfidave nga sfera e sigurisë kibernetike si në shtetin tonë, ashtu edhe në rrethin rajonal dhe ndërkombëtar", tha Xhaferi. 

Ai u përqëndrua edhe në përcaktimin strategjik të vendit për anëtarësim në NATO.

"Në fund, më lejoni që ta riafirmoj angazhimin dhe gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë si vend aspirant për anëtarësim në NATO për zhvillimin e të gjitha kapaciteteve të domosdoshme për tu ballafaquar me këto sfida në kontekst lokal dhe regjional. Besoj se vetëm me mbindërtimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të saj, Republika e Maqedonisë do të arrijë me sukses ta ruajë nivelin e nevojshëm të harmonizimit me standardet që kërkohen edhe për vendet anëtare të NATO-s edhe për vendet partnere", tha kryetari i Kuvendit, Xhaferi.

Forumi Parlamentar i Sigurisë, Forum është tubim me renome dhe lartë i respektuar, i cili në vazhdimësi mbahet pothuajse një dekadë me iniciativë të përbashkët dhe sinergji të kongresit amerikan dhe parlamenteve kombëtare të më shumë se 30 shteteve.

UPDATE: 19.06.2017 18:17:00

### 19.06.2017 14:06:00

Xhaferi - Pitinxher: Riafirmohet përkrahja e SHBA-së për anëtarësim të Maqedonisë në NATO
133742684.jpg

Riga, 19 qershor - Në kuadër të pjesëmarrjes së Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Z. Talat Xhaferi në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Riga, sot Z. Xhaferi realizoi takim me Z. Robert Pitinxher, kongresmenin amerikan dhe Kryetarin e Grupit të punës së Kongresit për terrorizëm dhe luftë jokonvencionale dhe iniciatori i këtij Forumi.

Gjatë takimit u këmbyen këndvështrime për çështjet lidhur me sigurinë në rajon, luftën kundër terrorizmit dhe krimit kompjuterik, si edhe nevoja për strategji të mbrojtjes kompjuterike. Kryetari Xhaferi informoi se Republika e Maqedonisë, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, është në proces të përpilimit të Strategjisë për mbrojtje kompjuterike, me të cilën do të përforcohen kapacitetet e sigurisë shtetërore. Kryetari Xhaferi e theksoi gatishmërinë e Kuvendi të Republikës së Maqedonisë të jetë mikpritës i Forumit Parlamentar të Sigurisë në vitet e ardhshme, me ç’rast do u mundësohet parlamentarëve, përfaqësuesve të qeverive dhe ekspertëve nga fusha të këmbejnë përvoja më të përafërta në sferën e këtyre sfidave të sigurisë.

Bashkëbiseduesit ndanë bindje të përbashkët se bashkëpunimi bilateral ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Kongresit të SHBA-ve edhe më tutje do të zhvillohet në mënyrë miqësore dhe konstruktive. Në këtë kontekst u riafirmua përkrahja e SHBA-ve ndaj Republikës së Maqedonisë në planin e integrimit në NATO

### 19.06.2017 11:47:00

Kryeparlamentari Xhaferi realizoi takim zyrtar me Inara Murniece, Spikere e Parlamentit të Republikës së Letonisë.
19075330_10156104679879918_1784971274_n.jpg

Riga, 19 qershor - Në kuadër të pjesëmarrjes së Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takim zyrtar me Inara Murniece, Spikere e Parlamentit të Republikës së Letonisë.

Gjatë takimit u shpreh mirënjohje për përkrahjen e fuqishme dhe konkrete që Republika e Letonisë ia jep Republikës së Maqedonisë në planin e integrimit evropian dhe euroatlantik. Si impuls tejet pozitiv në këtë kontekst u përmend Deklarata e përbashkët për hapjen e negociatave paraaderuese të Bashkimit Evropian me Republikën e Maqedonisë, e miratuar nga ana e përfaqësuesve të komisioneve për çështje evropiane të parlamenteve të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë në vitin 2012. Me këtë deklaratë u promovua koncepti i zgjidhjes paralele të kontestit rreth çështjes së emrit dhe fillimit të negociatave aderuese, koncept i cili më tutje ishte përkrahur nga shumë vende-anëtare të Bashkimit Evropian.

Zonja Murniece i drejtoi urime të përzemërta për zgjedhjen në funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë. Njëkohësisht, uroi për zgjedhjen e Qeverisë së re, si hap i parë kah stabilizimi i gjendjes politike në shtet pas ngjarjeve të pakëndshme të 27 prillit, të cilat i dënoi si atak mbi demokracinë. Ajo theksoi se Republika e Letonisë edhe më tutje do të mbesë përkrahëse e fuqishme e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Maqedonisë, për arsye se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor varet prej integrimit të saj të tërësishëm evropian. Me këtë do të krijohen themele të forta për eliminimin e të gjitha ndikimeve ndërkombëtare negative në aspektin rajonal të sigurisë.

Bashkëbiseduesit ndanë bindje të ndërsjella dhe pritje se bashkëpunimi bilateral fortë i vendosur ndërmjet Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe Parlamentit të Republikës së Letonisë në nivel të grupeve parlamentare për bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen me një ritëm të njëjtë, me ç’rast deputetët e dy parlamenteve do të kenë mundësi që për së afërmi të këmbejnë mendime dhe përvoja nga puna parlamentare, politika ndërkombëtare dhe çështjet tjera aktuale.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dhe Parlamenti i Republikës së Letonisë, së bashku me Parlamentin Hungarez para disa vitesh kishin Projekt të suksesshëm IPA, ekipi projektues i së cilit paraprihej prej një eksperteje nga Republika e Letonisë, me ç’rast nëpërmjet një sërë seminaresh, për së afërmi i njoftuan për procesin e aderimit në BE nëpunësit e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, njohuritë dhe përvojat praktike që i kanë përfituar gjatë rrugëtimit për anëtarësim në BE, sidomos sfidat gjatë zbatimit të reformave të duhura që kërkohen prej parlamenteve të vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

 19.06.2017, 11:47  | 60 | 3,286 i lexuar
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
Gjuajtje me armë pranë burgut të Idrizovës, ja çfarë ndodhi
Vuçiq tregon arsyen se pse Beogradi ka tërhequr personelin diplomatik nga Shkupi
Morena do t’ju çmendë me këtë foto nga pishina (Foto)
Ramabaja: Tërheqja e diplomatëve serb nga Shkupi, pranim publik i disfatës së `27 Prillit` nga ana e Beogradit
Bigi po martohet, ja detajet!
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.