« Han në Shkup, Zaev në Beograd, mbledhja e Strumicës » Çfarë po "zihet" në kazanin e Maqedonisë?
Bexheti: Ligji i gjuhës shqipe hap pozitiv por jo përfundimtar
« Analizë » Çereki i qytetarëve të Maqedonisë janë anëtar të VMRO-së, LSDM-së dhe BDI-së
« Analizë » "Dy fytyrat e Zaevit"
Autoritarizmi si “demokraci e shmangur”

Nga Mirela Oktrova*

Sa herë që zhvillimet politike kombëtare marrin pamje të papritura, vështrimi ynë drejtohet nga modeli drejt të cilit synojmë, për të kërkuar alternativa dhe gjetur zgjidhje. Aq më shumë në kohë kur demokracia liberale ndër ne nuk duket të përjetojë vite triumfi. Po me sa duket s’jemi vetëm!

Ndonëse në bazë të Bashkimit Europian qëndrojnë vlera, si: respektimi i dinjitetit njerëzor dhe të drejtave të njeriut, respektimi i lirisë, demokracisë, barazisë dhe sundimi i ligjit, zhvillimet e fundit globale dhe krizat, me të cilat Europa përballet për rrjedhojë, kanë prodhuar deficite në mënyrën e kuptimit të demokracisë dhe në strategjitë politike përkatëse jo vetëm në vendet aspiruese për anëtarësim, por edhe te një pjesë e vendeve anëtare të BE-së. Elitat politike në Hungari, Serbi, Maqedoni, Bullgari, Rumani dhe Poloni duket se po zhvillojnë prirjen për të transformuar rregullat demokratikë drejt një modeli të ri autoritar. Megjithëse prirja autoritare mund të jetë e përkohshme dhe e lidhur disi me situata të caktuara – si shprehje e krizës së rrugëdaljes apo frustrimit, si pasojë e politikave të caktuara të BE-së, ajo përbën një tregues të lëkundjes së autoritetit të demokracisë në Europë.

Nëse i referohemi edhe Rusisë, Turqisë apo Kinës – ky “autoritarizëm modern”, që ndërthur autoritarizmin në politikë me kapitalizmin në ekonomi dhe nacionalizmin në ideologji paraqet një model qeverisjeje globale, që konkurron me modelin europian të demokracisë liberale. Studiuesit e shkencave politike bëjnë fjalë ndërkohë për një të ashtuquajtur “kordon të zjarrtë” gjeostrategjik, që shtrihet nga Rusia nëpër Europën Juglindore deri në Turqi dhe Azerbajxhan, i cili përmes stagnacionit, qëndrimeve restriktive, konfrontimeve dhe qeverisjes autoritare po sfidon aktualisht paradigmën e “shndërrimit demokratik” të nisur në fillim të viteve 1990.

Ç’e shkakton stagnacionin dhe/apo zhvillimin e ngadalshëm demokratik?

Përgjigjet janë po kaq të larmishme sa edhe vetë vendet apo problematikat e tyre specifike, por thelbi i tyre i përbashkët lidhet me perceptimin e demokracisë dhe autoritarizmit si modele pastërtisht të ndara nga njëra-tjetra, ndërkohë që realiteti ofron shembuj simbiozash. Konkretisht në vendet në fjalë bashkëjetojnë apo shkojnë paralelisht format e qeverisjes moderne, zgjedhjet demokratike dhe pluralizmi, parlamenti, Kushtetuta dhe elemente të tjera të shtetit demokratik me mjete apo struktura autoritare (përfshi këtu kontrollin partiak mbi të gjitha proceset shoqërore dhe represionin e hapur apo të kamufluar). Modeli i demokracive liberale perëndimore duket ta ketë humbur kredibilitetin e vet fillestar. Karakteri i tyre normativ u bazua gjatë në bindjen, se ky sistem prodhonte më shumë fitimtarë se humbës edhe në periudhën kalimtare. Po pabarazia e thellë sociale, e gjeneruar nga kriza globale, jo vetëm që e lëkund bindjen, por shërben edhe si argument populist në diskutimin kundër globalizimit, emigrimit dhe vetë BE. Veçanërisht në diskutimet për terrorizmin dhe krizën e refugjatëve, situata kombinohet me frikëra sociale dhe ekzistenciale, duke u shndërruar në terren pjellor për grupimet populiste dhe ekstremiste. Shkurt, kriza globale dhe ndikimi i saj në funksionimin dhe imazhin e demokracive europiane si edhe zbehja e perspektivës realiste të anëtarësimit në një afat të arsyeshëm në BE, stimulon kështu modelin e qeverive me profil të përzier demokratiko-autoritar të Europës Juglindore.

Si funksionon një sistem i tillë dhe sa jetëgjatë mund të jetë ai?

Jetëgjatësia e një regjimi autoritar buron nga përparësitë strukturore, që ai ka kundrejt demokracive, me të cilat kontrollohen mediat dhe shoqëria civile, si edhe monopolizohet diskutim publik. Meqë jetëgjatësia e tij lidhet edhe me një nivel të mjaftueshëm të plotësimit të kërkesave të elektoratit, kërkesat e tij orientohen në atë drejtim, që i intereson regjimit përmes strukturave partiake, të cilat angazhohen jo vetëm gjatë zgjedhjeve por edhe për menaxhimin dhe stabilizimin e pushtetit pas tyre. Ato menaxhojnë imazhin dhe kultin udhëheqësit “karizmatik”, duke e kombinuar atë me premtime për revansh, rishpërndarje pushteti dhe përfitime si edhe me propagandë populiste për angazhim në mbrojtje të interesave të njeriut të thjeshtë. (Putin, Erdoğan, Orbán). Meqë institucionet, instrumentet e kontrollit, mediat dhe shoqëria civile në këto shoqëri janë të dobëta dhe nuk i kundërvihen dot modelit, elektorati bie pre e propagandës.

Po si ndikon një udhëheqje autoritare në cilësinë e qeverisjes?

Midis demokracisë liberale dhe qeverisjes autoritare ekziston një dallim thelbësor: nëse demokracitë liberale synojnë kufizimin apo kontrollimin e fuqisë së shtetit, me qëllim sendërtimin e interesave dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, sistemet autoritare kanë për qëllim kontrollimin dhe kufizimin e qytetarëve me synim ruajtjen e pushtetit të elitave politike ekzistuese. Kjo përcakton llojin e ndikimit, që sistemet autoritare kanë mbi cilësinë e qeverisjes, që konkretizohet në tri modele: së pari, si udhëheqje joefektive – në marrëdhënien midis formës së qeverisjes dhe strukturës institucionale. Politikat e gabuara nxitur nga paaftësia e drejtuesve kanë si pasojë keqqeverisjen. Në vendet e pazhvilluara ato kanë si pasojë: politikën informale dhe klientelizmin; së dyti, si udhëheqje amorale – në marrëdhënien midis premisave kulturore e morale të shoqërisë dhe ndikimit të keqqeverisjes. Koncepti për udhëheqjen efektive ndryshon nga shoqëria në shoqëri: si kërkesë për një dorë të fortë ose si kërkesë për transparencë. Në vendet e EJL vihet re një kombinim i udhëheqjes joefektive me udhëheqjen amorale, mungesën e kompetencës, arrogancën dhe kokëfortësinë; së treti, si udhëheqje populiste dhe nacionaliste – në marrëdhënien midis strukturave shoqërore rezistente dhe politikës informale. Udhëheqësit amoralë e përdorin fuqinë, rrjetet dhe burimet e tyre për të legjitimuar dhe garantuar pushtetin. Kjo reflektohet edhe në kufizimin e lirisë së shprehjes, mediave dhe të drejtave të njeriut.

Megjithatë situata nuk duhet të mbjellë pesimizëm dhe as të na deformojë objektivat. Francis Fukuyama shkruan se “demokracitë ekzistojnë dhe mbijetojnë vetëm, sepse njerëzit i duan dhe janë gati të luftojnë për to”. Shkurt: si fati ynë ashtu edhe fati i sistemit, varet nga shkalla e identifikimit tonë me të dhe energjia, që ne i vëmë përkrah ose përkundër.

Modeli është thjesht rruga!

Realitet atë e bën vetëm përkushtimi ynë ndaj tij dhe vullneti për të mos u shmangur!

*pedagoge UET

 30.07.2017, 09:33  | B.M. | 1,132 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

MË TË LEXUAR
« Han në Shkup, Zaev në Beograd, mbledhja e Strumicës » Çfarë po "zihet" në kazanin e Maqedonisë?
Bekim Jashari në Zajaz: Ali vëlla, jemi në rrugë të mbarë
Eli Fara në këtë foto e le shumë mbrapa vajzën e saj Marinën! (Foto)
Shyhrete Behluli dhe Gold Ag përsëri në duet (Foto/Video)
Kjo është reja e Ardit Gjebreas (Foto)
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.