« Zhurnal mëson » Stevo Pendarovski koordinator nacional për anëtarsimin e Maqedonisë në NATO?
Fetai: Politikanët në Maqedoni zëvendësojnë popullin me sekretaresha
« Analizë "BIRN" » Kreu i Sarajit Murati në mungesë të projekteve ideore ka humbur 1.5 milion euro për i..
Para lokaleve partitë politike të ulen në tryezë të përbashkët dhe të zotohen për zgj..
Cili është bilanci i Marrëveshjes së Ohrit 16 vjet pas nënshkrimit?

Shkruan: Roland Gjoni

Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001 i dha fund konfliktit të shkurtër mes UCK-së dhe Maqedonisë duke hapur rrugë për integrimin e shpejtë të udhëheqësve të UCK-së në jetën politike dhe institucionet shtetërore të Maqedonisë. Sot tre nga nënshkruesit e saj nuk jetojnë dhe dy janë jashtë politikës aktive. Ali Ahmeti, i vetmi që nuk ka nënshkruar direkt MO-në është po ashtu lideri më afatgjatë në politikën shqiptare. Për elitën politike maqedonase dhe shumicën e popullit maqedon, Marrëveshja e Ohrit është dobësim i unitarizmit të shtetit në favor të shqiptarëve me ndihmën e ndërkombëtarëve. Në kampin politik shqiptar qëndrimet janë të ndara mes BDI-së që e trumbeton si fitoren më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni dhe shumicës së partive të tjera që e shohin zgjidhjen gjysmake, të vonuar dhe të tejkaluar që nuk i përgjigjet rolit dhe kërkesave të popullsisë shqiptare. Cilat ishin synimet dhe cili është bilanci i Marrëveshjes së Ohrit 16 vjet më vonë? 

Marrëveshja e Ohrit kishtë katër synime ose shtylla kryesore:

1. Heqja dorë nga zgjidhjet territorial për problemet etnike. Pranimi nga ana e përfaqesuesve politik dhe kryengritësve shqiptarë se nuk do të synojnë zgjidhje territoriale për problemet etnike në të ardhmen ishte synim kryesor i përfaqësuesve maqedonas dhe ndërkombëtar në bisedime. Ky synim në masë të madhe është përmbushur pasi UCK-ka u carmatos dhe një pjesë e madhe e pjesëtarëve të saj u përfshinë në BDI dhe nëpërmjet saj u bënë funksionar qëndor ose lokal të shtetit ndaj të cilit ishin rebeluar. Incidentet sporadike të armatosura si Kumanova, Radusha, Brodeci dhe Kondova më shumë se sulme ndaj shtetit të Maqedonisë janë pasojë e kacafytjeve dhe tradhëtive brendashqiptare shpeshhere të përdorura nga strukturat e sigurisë dhe shërbimit sekret maqedonas. 16 vjet më pas mund të thuhet që Marrëveshja e Ohrit ka arritur me sukses të pacifikojë klasën politike shqiptare (BDI, PDSH, BESA, LR-PDSH dhe parti të tjera) dhe të mbajë nën kontroll pakënaqësitë eventuale tëk shqiptarët. Aktuakisht nuk ka asnjë parti shqiptare që angazhohet kundër status quos ose që abstenon nga pjesëmarrja në institucionet e shtetit maqedon. Pavarësisht retorikës dhe përplasjeve mes tyre, partitë politike shqiptare pranojnë legjitimitetin e shtetit maqedonas dhe marrin pjesë aktivisht në ndarjen e resurseve shtetërore (BDI-ja më shumë por edhe të tjerat) me partitë maqedonase VMRO dhe LSDM. Përplasjet kryesore mes shqiptarëve kanë qënë dhe mbeten konkurencë e brendshme për të zgjeruar tortën e pushtetit dhe jo për reformimin tërësor të shtetit maqedonas. 

2. Zgjerimi i përdorimit të gjuhës shqipe dhe simboleve kombëtare shqiptare. Përdorimi i gjuhës shqipe ka shënuar avancim të lehtë në pushtetin qëndror dhe më domethënës në nivelin lokal. Edhe pse popullsia shqiptare nuk e pranon inferioritetin e gjuhës shqipe ndaj asaj maqedonase realiteti tregon se ligjet e njëpasnjëshme të 2008, 2011 dhe drafligji aktual i gjuhëve e konsideron shqipen shqipen gjuhë e një populli pakicë duket e lidhur përdorimin e saj në pasaporta dhe në shumë institucione me kërkesën individuale të personit dhe jo si e drejtë automatike që rrjedh nga përkatësia grupore në kombin shqiptar. Vlen të theksohet se partitë shqiptare e kanë përdorur ligjin për gjuhët në cdo fushatë por heshturazi e pranojnë trajtimin si pakicë kombëtare. Pranimi i hegjemonisë gjuhësore, kulturore dhe simbolike të maqedonasve u manifestua qartë në mungesën e rezistencës së elites politikës dhe shoqërisë civile shqiptare ndaj projektit 800 milion Euro Shkupi 2014. Fakti që BDI-ja u pajtua në heshtje me këtë projekt dhe u mjaftua me përfshirjen e disa statujave të figurave kombëtare që as deputetët e saj nuk i njohin dëshmoi se ky nënshtrim kulturor dhe simbolik nuk përbën problem të mbrehtë. 16 vjet më pas gjuha dhe kultura shqiptare mbeten tejet inferiore në Kryeqytet dhe në institucionet e shtetit dhe pothuajse krejtësisht të ndaluara në institucionet e fuqisë financiare, sigurisë, inteligjencës dhe mbrojtjes. Shtrirja e përdorimit të shqipes në nivel lokal është realizuar paralelisht me përforcimin e hegjemonisë kulturore dhe gjuhësore maqedonase në pushtetin qëndror dhe shtyllat kryesore të shtetit. Pra hegjemonia gjuhësore dhe kultorure është realizuar nga elita maqedonase edhe me ndërmjetësimin e partisë shqiptare në pushtet. 

3. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore. Synimi i MO-së ishte reflektimi i peshës demografike të shqiptarëve - e cila sipas burimeve të kontestuara sillet reth 25.7% të popullsisë së Maqedonisë - në institucionet shtetërore dhe lokale. Në 16 vjet ka patur rritje progresive të përfaqësimit numerik të shqiptarëve në institutionet shtetërore dhe aktualisht mesatarja e përfaqësimit sillet reth 18-19%. Për fat të keq, përqëndrimi vetëm në numra ka rezultuar në punësimin e militantëve partiakë të BDI-së të cilët në shumë raste kanë marrë rroga pa u paraqitur në punë gjë që ka rezultuar në pasivizimin e elektoratit shqiptar dhe kthimin e tyre në makineri votuese të BDI-së (megjithë rënien e BDI-së në zgjedhjet e fundit). Ndërkohë pjesëmarrja e shqiptarevë në Bankën Qëndore, akademi, ushtri, inteligjencë, gjykata mbetet tejet e ulët për shkak të resistëncës së elitës maqedonase për të lejuar dobësimin e shtyllave që mbajnë në këmbë systemin e dominimit të shqiptarëve. 

4. Zbatimi i Decentralizimit. MO-ja synoi rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në pushtetin vendor duke zgjeruar kështu kontrollin e shqiptarëve mbi territorin, resurset dhe financat lokale në pjesët ku janë shumicë. Si rezultat e reformave të pjesshme është shtuar dukshëm numri i komunave ku drejtojnë shqiptarët pavarësisht se sistemi i centralizuar i qeverisjes në Maqedoni i bën komunat tejet të varura nga pushteti qëndor dhe kryetarët e komunave tejet të varur nga ministrat përkatës. Duke mos e mohuar progresin e arritur në pushtetin lokal, decentralizimi në masë të madhe ka rezultuar në margjinalizimin politik të shqiptarëve duker prodhuar politikanë provincial të mëhallës që shërbejnë si sekserë të pushtetit qëndor në zonat shqiptare. Decentralizimi është kthyer në një mënyrë për mbajtjen shqiptareve larg Shkupit, kryeqendrës se pushtetit, duke e përqëndruar luftën për pushtet në provincë ky shqiptarët konkurojnë se kush do të jetë taksidar i pushtetit qëndor në mëhallën e vet. Aktualisht shqiptarët nuk kanë liderë nacional në Maqedoni por 5-6 liderë lokalë që luftojnë për mbijetesë duke mbledhur vota në zonat e tyre (Ahmeti ne Tetovë e Gostivar, Besa në Shkup e Kumanove, PDSH-ja perreth Tetoves, Sela ne Strugë, Ostreni në Dibër). Madje edhe ne këto provinca, partitë shqiptare janë të rrezikuar nga shtrirja e LSDM-së në elektoratin shqiptar. 

Pa hyrë në analiza më të thella mund të thuhet se në 16 vjet Marrëveshja e Ohrit ka krijuar një klasë politike që nuk e konsteston inferioritetin gjuhësor dhe kulturor në Maqedoni pavarësisht se përdor kauzën e gjuhës dhe përfaqësimit të drejtë për të mbledhuar vota në elektoratin shqiptar. Pas cdo pale zgjedhje, mbështetja nga elektorati shqiptar shndërrohet në numra ministrash dhe drejtorish në nivel qëndror e lokal duke lënë në dorë të dytë avancimin e ceshtjeve për të cilat bëjnë fushatë. 

Nuk mohohet se ka një rritje të përshirjes së shqiptarëve në shtetin e Maqedonisë por për shkak të klientelizmit kjo rritje nuk ka rezultuar në rritjen e cilësisë së qeverisjes në zonat shqiptare ose në ministritë e drejtuara nga shqiptarët. Ne nivel lokal klientelizmi partiak ka thelluar dallimet mes komunave që drejtohen nga shqiptarët dhe maqedonasit duke nxjerrë në pah keqqeverisjen, paaftësinë dhe korrupsionin e politikanëve shqiptar duke shkaktuar edhe zhgënjim të madh tek shqiptarët. Paralelisht me perforcimin e dominimit maqedonas, keq-qeverisja nga BDI-ja dhe serviliteti i partive me te vogla shqiptare ka sjelle edhe dobësimin e identitetit shqiptar në Maqedoni. Zhgënjimi manifestohet me largimin e elektoratit drejt LSDM-se, bojkotimin e zgjedhjeve, pasivizimin e shoqërisë civile shqiptare dhe eksodin masiv të shqiptarëve (sidomos rinisë) drejt vendeve të tjera ose levizjeve politike me sfond joshqiptar.

Pa ndonjë riorganizim politik tek shqiptarët, nuk është cudi që në 20 vjetorin e Marreveshjes së Ohrit, liderët shqiptar në Maqedoni të jenë kryetar komunash që shkojnë në Shkup një ose dy herë në vit për të finalizuar marreveshjet me partitë maqedone dhe kthehen në provincë ku u shesin heroizma dhe dokrra militantëve.

 14.08.2017, 13:04  | Z.H. | 3,039 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
Luana pubikon foton më të nxehtë pas martesës së Marinës! (Foto)
Vala e ftohtit në Maqedoni, shihni se çfarë moti na pret
Arrestohet Igor Jug, njëri prej dhunuesve në natën e 27 prillit në Kuvend
Refiqe Tërnava nuse, ky është bashkëshorti i saj (Foto)
Reja e Shyhretes kujton natën e beqarisë (Foto)
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.