« Analizë "BIRN" » Kreu i Sarajit Murati në mungesë të projekteve ideore ka humbur 1.5 milion euro për i..
Para lokaleve partitë politike të ulen në tryezë të përbashkët dhe të zotohen për zgj..
Aeroporti "Aleksandri i madh" pas zgjedhjeve do të bëhet Nënë Tereza?! (Video)
« Agjencia e Lajmeve Zhurnal, rikthen ZhurnalTV-në » Armend Ramadani - 15 Years anniversary (Video)
Marrëveshja për bashkim

Dr. SABRI KIÇMARI

(Recension mbi librin e Wolfgang Schäubles “Marrëveshja – Si negociova për bashkimin gjerman”)

27. Korrik  2017

1.    Hyrje
Libri i Wolfgang Schäubles “Marrëveshja – Si negociova për bashkimin gjerman” pasqyron një përvoje të jashtëzakonshme negociuese, rezultati i të cilës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Evropës në gjysmën e dytë të shekullit 20-të: bashkimin e Gjermanisë. Për 45 vjet dy shtetet që flisnin të njëjtën gjuhë dhe nuk dallonin pothuajse asgjë me njëri-tjetrin i ndau ideologjia, paktet ushtarake dhe Muri i Berlinit. Prandaj, Bashkimi i Gjermanisë në shkencën politike është regjistruar si një moment i kthesës historike në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Muajin që shkoi, pas një sëmundjeje të gjatë, vdiq ish Kancelari Federal Dr. Helmut Kohl, i cili konsiderohet “Kancelari i Bashkimit Gjerman”. Gjatë javëve të kaluara në mediet ndërkombëtare u shkrua dhe fol shumë për rolin e tij.  Në librin e tij Schäuble vë në pah rolin drejtues të kancelarit Helmut Kohl në procesin e bashkimit. Sipas tij Helmut Kohl e kishte kuptuar se duhet shfrytëzuar “shansën e dhënë nga historia për ribashkimin e Gjermanisë me instinktin e tij të sigurt.”

Edhe vet kundërshtarët e politikës së Helmut Kohlit i pranojnë meritat historike të tij. Filozofi gjerman Peter Sloterdijk e vlerëson në këtë mënyrë rolin e tij: “Ai e kuptoi frymën e kohës, për të shfrytëzuar shansën e dhënë. Ai në të vërtetë dëshmoi një forcë vepruese, të cilën jo secili do ta kishte pasur në atë situatë.” Edhe shkrimtari Martin Walser në një shënim përkushtimi për të shkruan: “Unë bëjë pjesë në mesin e atyre, që nuk donte ta duronte dot ndarjen e Gjermanisë....Pasi që sipas ndjenjës sime për historinë ky ishte suksesi më i madh në gjithë historinë e Gjermanisë dhe pasi që 25 vite të bashkimit të Gjermanisë, siç unë e shoh, janë koha më e lumtur në historinë gjermane, Helmut Kohli është bërë për mua politikani më i bekuar.“

Helmut Kohl, Hans Dietrich Genscher dhe Wolfgang Schäuble janë aktorët kryesor që e negociuan dhe realizuan me sukses bashkimin e Gjermanisë.  Schäuble është sot i njohur si dora e djathtë e suksesit të kancelares Angela Merkel si Ministër i Financave të RFGJ. Ai ka një stazh prej 14 vitesh si anëtar i Qeverisë Federale të Gjermanisë. Më 12. tetor 1990 Wolfgang Schäuble ishte viktimë e një atentati. Që nga ajo kohë ai është i detyruar të lëvizë me karrocë. Kjo nuk e ka penguar të vazhdojë angazhimin e tij dhe suksesin e jashtëzakonshëm në politikë.

Libri “Marrëveshja – Si negociova për bashkimin gjerman” është botuar për herë të parë në vitin 1992, pas rënies së perdes së hekurt, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të Luftës së Ftohtë. Pak ditë pas atentatit kundër tij, Schäuble i kishte befasuar me një telefonatë nga spitali gazetarët e “Der Spiegel” Dirk Koch dhe Klaus Wirtgen, duke i pyetur se çfarë do të bëhet me projektin e tyre të përbashkët për botimin e një libri mbi procesin e negocimit të bashkimit të Gjermanisë. Koch dhe Wirtgen e vizitojnë Ministrin e Brendshëm Schäuble në spital dhe bëjnë regjistrimin në 23 kaseta të atyre që thotë ai në gjendje të rëndë shëndetësore pas atentatit.  Rezultat i kësaj është një nga librat më interesant, më informativ dhe më analitik i procesit të bashkimit të Gjermanisë nga negociuesi i drejtpërdrejtë i bashkimit ndërgjerman, i cili do të jetë objekt i këtij recensioni.

2.    Revolucioni i (pa)përfunduar?

Libri “Marrëveshja – Si negociova për bashkimin gjerman”  fillon me një befasi për lexuesin. Kapitulli i parë mban titullin “Revolucioni i papërfunduar!” Përderisa në shkencën politike bashkëkohore bashkimi i Gjermanisë konsiderohet si një revolucion demokratik, që përfshiu më pas edhe Evropën e Lindjes, Wolfgang Schäuble e fillon librin e tij me konstatimin se revolucioni gjerman ... nuk ishte një revolucion ‘i vërtetë’: “Dhe kjo ishte mirë kështu – në interes të bashkimit. Nëse do të rridhte gjak, sipas mendimit tim, nuk do t’a kishim arritur bashkimin. Revolucioni gjerman ka qenë një revolucion i papërfunduar. Vetëdijshëm ai ishte legalistik dhe rrodhi pa gjakderdhje.” Dhe më tutje: “Një revolucion ‘i vërtetë’ do të shkyente të drejtën e vjetër socialiste, kushtetutën e këtij shteti shtrëngues do ta kishte shpallur të pavlefshëm dhe të padrejtë që në fillim. Erich Honnecker dhe bashkë me të garda e vjetër do të ishin paraqitur para një tribunali.”
Mund të pajtohemi vetëm pjesërisht me autorin. Ai ka të drejtë se shndrrimi shoqëror që përshkoi procesin e bashkimit të Gjermanisë nuk ishte rezultat i një revolucioni të përgjakshëm dhe hakmarrës. Pra, nuk ndodhi ajo që i karakterizon revolucionet tipike: kur bie regjimi, pushteti kalon te masat protestuese në rrugë dhe pason hakmarrja ndaj pushtetarëve. Schäuble përshkruan në detale se me çfarë kujdesi elita politike gjermane e menagjon procesin për të mos shkarë në binarë dhune, konflikti, hakmarrjeje, për të mos lënë pushtetin në rrugë.

Por, mospajtimi ynë teorik ka të bëjë me përgjigjien në pyetjet: A ishte bashkimi gjerman një revolucion i vërtetë? A ishte bashkimi gjerman një revolucion i përfunduar? Filozofia Hannah Arendt shkruan se mund të flitet për revolucion në rast se orientimi veprues i një shoqërie është liria dhe synohet një rend i ri. Lirinë ajo e kupton jo vetëm në kontekstin negativ – “liria  nga detyrimi, mjerimi dhe frika”, por edhe në kontekstin pozitiv – “mundësia për të vepruar i lirë.” Politologu amerikan Jack Goldstone e definon revolucionin si një “përpjekje për të transformuar institucionet politike dhe justifikuar bartjen e autoritetit politik në shoqëri, bashkuar me mobilizimin formal ose joformal të masave dhe me aksione të painstitucionalizuara, përmes të cilave rrënohet autoriteti.”

Gjermania e ndarë nuk ishte e lirë. Nuk ishte e lirë as nga detyrimi, as nga frika. Ajo nuk e kishte të mundur për të vepruar e lirë.  Prandaj, përpjekja për të transformuar institucionet shtetërore, për të bartur autoritetin politik te qytetarët, ishte revolucion demokratik. Procesi i Bashkimit të Gjermanisë ishte vërtetë një revolucion paqësor, politikisht mirë i përfunduar. Për ta cilësuar si revolucion paqësor Bashkimin e Gjermanisë mund të mbështetemi te një numër faktorësh: lëvizja për ndryshimin e sistemit filloi nga poshtë (nga një lëvizje masive qytetare); qëllimi i saj ishte ndryshimi i sistemit politiko-shoqëror socialist njëpartiak dhe vendosja e një rendi të ri demokratik pluralist; lëvizja demokratike pati mbështetje masive qytetare; pushoi së ekzistuari shteti njëpartiak i RDGJ. Revolucioni gjerman mund të konsiderohet një revolucion paqësor i përfunduar edhe për faktin se u arrit bashkimi i dy Gjermanive dhe u ndryshua rrënjësisht sistemi ekonomik nga një sistem ekonomik i centralizuar, në një sistem të ekonomisë së lirë të tregut.  Qytetari gjerman mori frymë i lirë, pa murin e Berlinit, pa kufirin dhe ideologjinë që e ndante.

3.    Plani për bashkimin gjerman

Në mes të viteve 1945 dhe 1989 Gjermania Perëndimore (RFGJ) arriti një nivel të jashtëzakonshëm të zhvillimit ekonomik. Në vitin 1989 gjermanët në perëndim të lumit Elba jetonin në një mirëqenie të papërshkruar materiale, e cila kishte marrë edhe rrjedhë hedoniste. Ajo ishte bërë simbol i shtetit të mirëqenies në Evropë. Kjo kishte ndikuar edhe në ndryshimin e imazhit të Gjermanisë.

Ishte një si ritual diplomatik që nga koha e Presidentit Kenedi, që presidentët e SHBA kur e vizitonin RFGJ shkonin edhe në qytetin e ndarë të Berlinit. Nga aty ata përcillnin mesazhet në drejtim të Moskës. Të njëjtën gjë bëri edhe Presidenti i SHBA Ronald Regan, më 12. Qershor 1987, gjatë vizitës në Berlinin Perëndimor. Ai i bëri thirrje Gorbaçovit që të hapë kufirin: “Sekretar i Përgjithshëm Gorbaçov, nëse ju e kërkoni paqen, nëse ju e kërkoni prosperitetin për Bashkimin Sovjetik dhe Evropën Lindore, nëse ju kërkoni liberalizimin: Ejani te kjo portë! Zoti Gorbaçov, hapeni këtë portë! Zoti Gorbaçov, shembeni këtë mur!”

Por, duket se këtë kërkesë të presidentit Regan nuk e kuptoi fillimisht Sekretari i Përgjithshëm Sovjetik Michail Gorbaçov. Në përgjigjie të kërkesës së presidentit Regan, në një fjalim të mbajtur më 7. tetor 1989 në Berlin, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të RDGJ, Gorbaçov do të shprehej: “Ne detyrohemi të dëgjojmë shpesh: ‘Le ta heqë qafe BRSS Murin e Berlinit dhe ne atëherë do të besojmë në qëllimet e tij paqësore.’ Ne nuk e idealizojmë rendin që është vendosur në Evropë. Por është fakt, që, deri tani, njohja e realitetit të pasluftës ka siguruar paqe në kontinent.”

Në fakt festimi i 40 Vjetorit të krijimit të RDGJ më 7.10.1989 dëshmoi se udhëheqja e RDGJ nuk e kishte gjendjen nën kontroll. Dy muaj më parë, në gusht të vitit 1989, rreth 661 gjermanolindor gjatë Piknikut Panevropian në Sopron (Hungari) kishin kaluar kufirin hungarezo-austriak. Ky ishte momenti i parë i një ikjeje masive të gjermanolindorëve në perëndim që nga ndërtimi i Murit të Berlinit. Më 11. Shtator 1989 Qeveria e Hungarisë vendosi që të hapë kufirin për qindëra qytetarë të RDGJ që kërkonin të lëviznin lirshëm në drejtim të RFGJ. Kjo u pasua me një valë të fuqishme protestash në tetor në Laipcig dhe Berlin. Revolucioni paqësor fitoi në formë me dorëheqjen e udhëheqësit komunist Erich Honecker dhe zëvendësimin e tij nga Egon Krenz më 18. Tetor 1989, hapjen e kufirit ndërgjerman, heqjen e Murit të Berlinit më 9. Nëntor 1989 dhe shuarjen e sigurimit të fshehtë Stasi. 

Rënia e Murit të Berlinit krijoi një moment lirie dhe entuziazmi, një situatë revolucionare demokratike. Kancelari gjerman Helmut Kohl e kuptoi se është momenti i tij. Situata duhej vënë në kontroll dhe ndryshimi duhej të rrjedhë në rrugë paqësore: Bashkimi duhet të ndodhë në rrugë legjitime dhe legale, në paqe, liri dhe mirëkuptim. Kështu, ai më 28. Nëntor 1989 paraqet Programin 10-Pikësh për Bashkimin e Gjermanisë para Bundestagut Gjerman, i cili përfshinte:

1.    Masa të menjëhershme humanitare – Njerëzve duhet t’ju mundësohet që të lëvizin lirisht nga RDGJ, si parakusht për t’i ndihmuar në rrafshin humanitar dhe mjekësor;

2.    Ndihma të gjithanshme ekonomike – RFGJ është në gjendje të ndihmojë RDGJ në fushën ekonomike, shkencore-teknologjike dhe kulturore;

3.    Fillimi i bashkëpunimit – RFGJ është në gjendje të zgjerojë bashkëpunimin me RDGJ në rast se vie deri te ndryshimi i sistemit politik dhe ekonomik në RDGJ;

4.    Krijimi i një bashkësie përmes marrëveshjes – Aprovimi i një numri marrëveshjesh dhe institucionesh të përbashkëta në fushën ekonomike, të komunikacionit, mbrojtjes së ambientit, shkencës dhe teknikës, shëndetësisë dhe kulturës;
5.    Krijimi i strukturave konfederale – Krijimi i një rendi konfederal ka si parakusht një qeveri legjitime dhe demokratike të zgjedhur nga qytetarët në RDGJ;

6.    Vendosja e procesit të bashkimit në kuadrin e zhvillimit të përgjithshëm evropian – Gjermania e re duhet t’ia përshtat arkitekturën e saj kontekstit evropian dhe Gjermania e bashkuar duhet kuptuar si vazhdim i Evropës së bashkuar;

7.    Pranimi në BE të shteteve të bllokut të lindjes që kanë orientim reformues – Vendeve të Bllokut të Lindjes t’ju mundësohet pranimi në BE dhe në tregun evropian, në rast të plotësimit të parakushteve;

8.    Forcimi i Procesit të KSBE-së (sot OSBE-së) – Forcimi nga ana e shteteve anëtare të KSBE të sistemit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, bashkëpunimit ekonomik, trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes së ambientit;

9.    Çarmatimi dhe kontrolli i armatimit – Tejkalimi i ndarjes së Evropës dhe ndarjes së Gjermanisë do të duhej të përfshinte reduktimin ne minimum të potencialit bërthamor të dy superfuqive SHBA dhe BRSS;

10.    Bashkimi gjerman – Me një politikë të tillë vie deri te një gjendje e paqes në Evropë, në të cilën populli gjerman mund ta realizojë bashkimin e tij përmes parimit të vetëvendosjes.

Me këtë Program kancelari Helmut Kohl nuk i befasoi vetëm opozitën, por edhe shumë nga anëtarët e partisë së tij CDU/CSU. Ndër të tjera ai thotë: “Rruga drejt bashkimit nuk është shtruar në tavolinën e gjelbërt ose përmes planifikimit me dorë të një plani terminesh. Modelet abstrakte ndoshta mund të zbatohen në rrugë polemike, por ato nuk ndihmojnë tutje. Por ne mundemi, nëse vetëm duam, që sot t’i përgatisim ato etapa, të cilat sjellin deri te ky qëllim...Se si do të duket një Gjermani e ribashkuar, nuk e di sot askush. Por, që bashkimi do të vijë, nëse njerëzit në Gjermani këtë gjë e duan, për këtë jam i sigurtë. Një parakusht për këtë është një Qeveri legjitime demokratike në RDGJ.”

Edhe pse të befasuar reagimi i SPD në opozitë, i shprehur përmes udhëheqësit të Grupit Parlamentar të SPD për Politikë të Jashtme dhe Siguri  Karsten Voigt, është konstruktiv: “Zoti Kancelar Federal, keni ardhur me dhjetë pika, të cilat na i paraqitët këtu. Këtë mund ta quajmë politikë të hapave të vegjël. Ne socialdemokratët nuk do të strukemi, por do të vijmë te ju. Ne ju mbështesim në të gjitha pikat. Ne ju shpallim bashkëpunimin tonë për realizimin e këtij koncepti, i cili është edhe koncept yni.”

Sipas Schäubles pas publikimit të Planit 10-Pikësh të kancelarit Kohl doli në pah kriza e thellë ekonomike në RDGJ. Nga dhjetori 1989 rritet numri i zërave brenda Levizjes qytetare dhe elitës intelektuale dhe artistike duke kërkuar jo vetëm një rinovim demokratik të RDGJ, por edhe bashkimin e RDGJ me RFGJ. Në demonstratat e mëdha nuk dëgjohet më thirrja “Ne jemi populli!” (gjerm. “Wir sind das Volk!”), por “Ne jemi një popull!” (gjerm. “ Wir sind ein Volk!”).

Nëse i analizojmë me kujdes dhjetë pikat e Programit të Kancelarit Helmut Kohl mund të konstatojmë tri elemente thelbësore: Ai inicion krijimin e strukturave konfederale si hap i parë drejt bashkimit, gjë që mund të shpjegohet me një lloj testimi të aktorëve politik në RDGJ dhe atyre ndërkombëtar rreth idesë së bashkimit; Ai paraqet shndrrimin gradual të sistemit politik dhe ekonomik në RDGJ si parakusht për bashkëpunim më intensiv dhe bashkim; dhe ai e definon procesin e bashkimit të Gjermanisë si pjesë të projektit të Bashkimit të Evropës.

4.    Droja nga bashkimi

Procesi i negociatave drejt bashkimit të Gjermanisë u shoqërua me një dozë frike e droje ndërkombëtare dhe ndërgjermane. BRSS kshte frikë nga rritja e sferës së ndikimit të perëndimit, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kishin frikë nga një rritje e dominimit të Gjermanisë në Evropë, kurse Polonia kishte drojë nga mundësia potenciale e vënies në dyshim të sovranitetit të saj nga Gjermania e bashkuar për shkak të territoreve gjermane të mbetura nën kontrollin e Polonisë pas LDB.

Schäuble në librin e tij përmbledh frikën e qytetarëve të Gjermanisë Lindore nga shndrrimi i sistemit politik dhe ekonomik pas bashkimit të Gjermanisë duke cituar De Maiziere: “Çfarë  do të ndodhë me marrëveshjet e kompanive gjermanolindore, punësimin, mbrojtjen nga importet, kombinatin Carl Zeiss Jena, të drejtat e grave në lidhje me përkujdesjen në amvisni, pushimin e lehonisë, ndihmën financiare për fëmijë, çerdhet e fëmijëve pa pagesë, të drejtën e divorcit, pasaportat, entin e punësimit, këshillat pa pagesë juridike, njohjen e diplomave dhe titujve akademikë?” Prapa këtyre pyetjeve qëndrojnë 16 milionë njerëz, të cilët e shohin jo pa drojë hyrjen në një sistem tjetër, të panjohur prej tyre. Përfaqësuesit politikë të RDGJ kanë vështirësi ta kuptojnë se si mund të ndodh që me bashkangjitjen e pesë landeve të RDGJ në RFGJ do të shuhet ekzistenca e shtetit të centralizuar  të Gjermanisë Lindore dhe ai do të bëhet thjeshtë pjesë e Gjermanisë Perëndimore. Për ta është jo e lehtë për ta përceptuar se si kompetencat nga shteti i centralizuar do të barten në Federatë, në Lande dhe në Komuna.

Analiza e Schäubles në lidhje me frikën dhe drojën nga bashkimi i Gjermanisë është racionale. Ai është i vetëdijshëm se ndarja 40 vjeçare në dy sisteme të ndryshme nuk ka kaluar pa gjurmë edhe në lidhje me konceptimin e vlerave themelore. Jeta në dy rende të ndryshme krijon influenca të diferencuara. Njerëzit në Gjermaninë Lindore kanë jetuar për 60 vite në sisteme diktatoriale: fillimisht nën nazizmin dhe pastaj nën komunizmin, në të cilat mbrojtja e individit nuk ka qenë në rend të parë të rendit shoqëror dhe shtetëror. Në shtetin nazist përparësi para individit kishte bashkësia popullore (gjerm. Volksgemeinschaft), kurse në RDGJ kolektivi socialist. Pra, sipas Schäubles nevojitet kohë për akomodimin me vlerat e demokracisë liberale të popullsisë së Gjermanisë Lindore.

Schäuble e konsideron sfidë serioze të shoqërisë gjermane, që veprimet e padrejta në 45 vite të kaluara në RDGJ të trajtohen dhe riparohen, në atë mënyrë, që e tashmja dhe e ardhmja të mos pësojnë nga to, dhe në mënyrë që padrejtësia e dikurshme të mos shndrrohet në një padrejtësi të tanishme. Nuk ishte e lehtë të binden qytetarët për pranimin e padrejtësive në të ashtuquajturën reformë agrare pas vitit 1945, sipas të cilës kompanitë dhe tokat ishin konfiskuar nga shteti. Ato ju ishin ndarë fillimisht bujqëve të vegjël, kurse më vonë ishin kolektivizuar. Kundër një padrejtësie të tillë të bërë në vitet 40-të nuk është e lehtë të veprohet në vitet 90-të. Më së vështiri është të argumentohet se nuk duhet ndërmarrë asgjë. I vetmi argument që i mbetet Qeverisë Federale është se ky është parakusht për bashkim.

Një tjetër drojë që e përcjellë procesin e bashkimit ishte e drejta e pronës. Në RDGJ kolektivi kishte përparësi para individit. Raportet e pronësisë nuk ishin të qarta. Librat e pronësisë ishin jo të mbajtur mirë. Raportet në mes të qiradhënësit dhe qiramarrësit ishin të paprecizuara: më shumë vlente e drejta e shfrytëzimit, se sa e drejat e pronarit. Andreas Rödder shkruan se 40 vite të sistemit socialist kishin krijuar një rend të ri ekonomik dhe social, i cili nuk mund të zhbëhej lehtë, pa shkaktuar padrejtësi të reja, duke u munduar të shlyejë padrejtësitë e vjetra edhe në këtë fushë.

Por, droja e përshkruar më lartë nuk e pengoi procesin e bashkimit të Gjermanisë, i cili u legjitimua përmes tri marrëveshjeve, të cilat do të jenë objekt shqyrtimi në tre kapitujt vijues.

5.    Bashkimi Ekonomik, Financiar dhe Social

Si Ministër i Brendshëm dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kancelarit Helmut Kohl në nëntor 1989 Schäuble e këshillon kancelarin se bashkimi mund të realizohet brenda një viti, duke i bërë propozim Qeverisë Modrov për një Bashkim Ekonomik dhe Financiar. Pas kësaj Kohl, Genscher dhe Schäuble shpejtojnë në planet e tyre për bashkim. Procesi i negocimit fillon me krijimin e Komisionit Qeveritar “Bashkimi Gjerman” më 7. shkurt 1990 nën udhëheqejen e Kancelarit Helmut Kohl. Ky komision i përcakton linjat, koordinon dhe vendos tempon. Përfaqësuesit e Qeverisë së RDGJ kryesisht pajtohen me to. Krijohen grupe pune për të trajtuar, përgjatë procesit të bashkimit, çështjet financiare – bashkimin e monedhës, reformimin e sistemit ekonomik nga ekonomia e planifikuar në ekonominë e lirë të tregut, infrastrukturën në RDGJ, përshtatjen e rendit social dhe atij të punës, pastaj reformimin e sistemit arsimor, çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë. Kështu vie deri te akti i parë ndërshtetëror në mes të RFGJ dhe RDGJ në procesin e bashkimit të Gjermanisë: Marrëveshja Ndërshtetërore për Bashkimin Financiar, Ekonomik dhe Social, e nënshkruar më 18. Mai 1990 në mes të Ministrave tw Financave Theo Waigel (RFGJ) dhe Walter Romberg (RDGJ), e cila hyri në fuqi më 1. Korrik 1990. 
Ideja fillestare për kursin e shndërrimit të DM në mes të dy shteteve gjermane me një kurs 1:1 u ndryshua përgjatë procesit.

Kursi real ishte 1:4,3. Këshilli i Bankës Federale propozon megjithatë një kurs 1:2. Qytetarët e RDGJ protestojnë ashpër. Presin që kursi të jetë 1:1 me parullën: “Një me një, ose ne nuk do të bëhemi kurrë një!” Kursi 1:1 do të mund të shkaktonte probleme serioze ekonomike dhe sociale: pasuria private që konsiderohej në shumën prej 190 miliardë marka do të shkaktonte një situatë inflacioni, e cila do të kishte refleksione negative në ekonomi. Kjo do të ndikonte negativisht edhe në rritjen e vlerës reale të borgjeve të ndërmarrjeve të RDGJ, gjë që do t’i sillte para shkatërrimit ato. Më në fund, pas një procesi efektiv negocimi, vendoset që pagat dhe pensionet të paguhen sipas raportit 1:1; kursimet dhe borgjet, përfshirë edhe borgjet e ndërmarrjeve, do të shndrrohen sipas kursit 1:2.

Procesi i Bashkimit Ekonomik, sipas Marrëveshjes, përfshinte krijimin e strukturave të ekonomisë së tregut, liberalizimin e çmimeve, privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, shndrrimin e kombinateve dhe ndërmarrjeve në shoqëri kapitaliste. Krijohet një Ent i Mirëbesimit i cili merr përsipër menagjimin e 7894 ndërmarrjeve me rreth katër milionë të punësuar. Vetëm 2% e ndërmarrjeve konsideroheshin se janë ende rentabile, 48% parashihej se mund të zhvillohen dhe ristrukturohen, 25% mund të sanohen, kurse 21% prej tyre do të duhej mbyllur.

Elementi i tretë i Marrëveshjes ishte bashkimi social. Rol prijës në këtë proces luajtën sindikatat dhe socialdemokratët. U insistua  që dallimet në kushtet e jetesës në mes të perëndimit dhe lindjes të nivelizohen sa të jetë e mundur. Shkalla e punësimit të femrave ishte në RDGJ më e lartë se në RFGJ. Ajo stimulohej me sistemin e çerdheve për fëmijë. U arrit një lloj karte sociale, e cila do të përfshinte reformimin e të dy sistemeve sociale në mbrojtje të punës, banimit shkollimit dhe mbrojtjes shendërtësore. Në mënyrë të veçantë u përcaktua mbrojtja e pensionistëve, invalidëve, të vobektëve dhe jetimëve.

6.    Marrëveshja 2 + 4

Katër fuqitë fituese të LDB nuk e shpërbënë Gjermaninë, por e ndanë atë fillimisht në katër zona administrative: amerikane, sovjetike, franceze dhe britanike. Përderisa në tri zonat nën udhëheqjen e vendeve perëndimore (SHBA, BM dhe Francës) u krijua një sistem unik institucional e demokratik në shtetin e RFGJ, zona lindore (nën Bashkimin Sovjetik) më 7. Tetor 1949 e krijoi Republikën Demokratike të Gjermanisë, si shtet të ndarë, me sistem socialist njëpartiak. Më 13. Gusht 1961 Qeveria e RDGJ e ndërtoi Murin e Berlinit, i cili u bë simbol i ndarjes së Gjermanisë. Një numër i madh njerëzish e humbi jetën në përpjekje për të kaluar murin dhe vendosur në Berlinin Perëndimor.

Deri në vitet 1970 RDGJ dhe RFGJ nuk e njihnin njëra-tjetrën. RFGJ, duke u bazuar në principin e të drejtës për vetëvendosje, e kishte precizuar të drejtën për bashkim në dokumentin e saj kushtetues - Ligjin Themeltar të Gjermanisë: “I gjithë populli gjerman është i thirrur që në vetëvendosje të lirë të realizojë bashkimin dhe lirinë e Gjermanisë.” Politika Lindore sipas sentencës “Ndryshim përmes afrimit” e kancelarit Vili Brandt në vitet 1970-të ndikoi që të fillonte një proces afrimi dhe tolerance në mes të dy shteteve gjermane. Kjo politikë u ndoq me konsekuencë edhe nga kancelari Helmut Kohl dhe Ministri i tij i Jashtëm Hans Dietrich Genscher në vitet 1980.

Sipas Schäubles Plani Dhjetëpikësh i kancelarit gjerman Helmut Kohl nuk do të kishte pasur sukses pa mbështetjen e  katër vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore: SHBA, Britanisë së Madhe, Francës dhe Bashkimit Sovjetik. Jo vetëm nga Moska, por edhe nga Londra dhe Parisi fillimisht drejtohen sinjale dyshimi në drejtim të Bonit. Vetëm Vashingtoni dërgon sinjale të qarta mbështetjeje.
Më 10. Shkurt 1990 gjate vizitës së Kancelarit Kohl dhe Ministrit të Jashtëm Genscher në Moskë Gorbaçovi ju premton atyre duke ju thënë se “gjermanët në lindje dhe perëndim do të duhej të dinë vetë se  çfarë duan dhe se kanë të drejtë të pretendojnë bashkimin.” Gorbaçovi propozon që Gjermania e bashkuar të mos jetë anëtare në asnjërin bllok ushatark. Kohl insiston që Gjermania e bashkuar të mbetet pjesë e NATO-s. Ai tregohet i vendosur të mos e rrezikoj statusin e anëtarit të NATO-s në shkëmbim të bashkimit gjerman. Nëse mund të shkojnë të dyja së bashku mirë, nëse jo, do të vazhdohet me negociata.

Samiti i shefave të shteteve dhe qeverive të NATO-s më 5-6. Korrik 1990 në Londër aprovoi një linjë çtensionimi në raportet Lindje-Perëndim. Kjo  ia lehtësoi aprovimin Gorbaçovit. Dhjetë ditë pas këtij samiti Kohl dhe Gorbaçov u takuan në Kaukaz, më 15-16. Korrik 1990, në një atmosferë shoqërore, pa kostum dhe kravata dhe në ambiente natyrore, të ulur në ulëse të drunjëve të prerë. Gorbaçovi pranoi që Gjermania të bashkohej dhe të mbetet pjesë e NATO-s. Sovjetikët paraqesin kërkesa financiare, të cilat pala gjermane i plotësoi.

Në rrafshin e jashtëm procesi i bashkimit u negociua mes katër shteteve fituese të LDB (SHBA, BM, Franca dhe BRSS) dhe dy gjermanive (RFGJ dhe RDGJ). SHBA e mbështesin plotësisht që nga fillimi procesin e  bashkimit. Franca dhe Britania e Madhe shfaqin hapur hezitimet e tyre kundër një dominance të mundshme të Gjermanisë së bashkuar, e cila do të prishte baraspeshën në Evropë. Ndërhyrja e Presidentit të SHBA George Bush arrin ta bind Kryeministren britanike Margret Thatcher. Për Francën ishte me rëndësi që të sigurohej se Gjermania e bashkuar do të mbetej e përkushtuar në integrimin evropian. Edhe nga Presidenti i Komisionit të Bashkësisë Evropiane Jacques Delor sigurohet mbështetja e bashkimit dhe bashkangjitja e RDGJ në BE si pjesë e Gjermanisë së bashkuar.

Kështu, më 12. Shtator 1990, në nivel ministrash të jashtëm, vie deri te nënshkrimi i Marrëveshjes mbi Rregullimin Përfundimtar në lidhje me Gjermaninë (Marrëveshja Dy-Plus-Katër), përmes të cilës definohet bashkimi i Gjermanisë, e drejta e RFGJ për të mbetur në NATO, përjashtohet mundësia që RFGJ të posedojë armë ABC, kufizohet numri i trupave  ushtarake deri në 370 000 dhe rregullohet largimi i trupave sovjetike deri në vitin 1994. Katër fuqitë fituese të LDB i suspendojnë të drejtat dhe obligimet e tyre më 1. Tetor 1990 dhe me këtë Gjermania bëhet shtet me sovranitet të plotë.
Bashkimi i Gjermanisë nuk realizohet pa koncesion: njohjen e kufirit në Oder dhe Neise. Shumë gjermanë kishin lënë shtëpitë, tokat, pasurinë e tyre në territorin e banuar me shekuj. Kjo do të thotë heqje dorë nga rajonet gjermane, të cilat pas LDB mbetën pjesë të territorit të Polonisë dhe Bashkimit Sovjetik. Por, njohja e kufirit ishte parakusht i pakalueshëm për bashkim. Në këtë pikë Gjermanisë nuk ju la një alternativë nga të katër fuqitë fituese të LDB.

7.    Marrëveshja për bashkim

Ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble krijon një Shtab Pune prej 20 vetësh  me emrin “Bashkimi gjerman”. Ky Shtab etablohet si bërthama punuese e Marrëveshjes për Bashkimin Gjerman. Marrëveshjen për bashkim në detale e negociojnë Ministri i Brendshëm Wolfgang Schäuble (nga Gjermania Perëndimore) dhe  Sekretari Shtetëror Günther Krause (nga Gjermania Lindore). Alkimia personale në mes të Schäubles dhe Krauses funksionon shkëlqyeshëm. Ata pajtohen që duhet marrë parasysh interesat dhe ndjeshmëritë e të dy shteteve gjermane dhe qytetarëve të tyre. Të dy tregohen  plotësisht të interesuar që “bashkimi politik të bëhet më mirë sot se nesër.”

Moska dërgon një Memorandum përmes të cilit përcakton hapësirën e kufizuar të veprimit: Në Marrëveshjen për Bashkim në mes të RFGJ dhe RDGJ duhet pasur parasysh respektimi i masave dhe principeve të katër fuqive të mëdha të aplikuara pas LDB në lidhje me procesin e denacifikimit, demilitarizimit dhe demokratizimit. Para së gjithash nuk do të pranohej rishikimi i çështjeve pronësore dhe reformës agrare të ndërmarrë pas LDB në RDGJ. FDP deklarohet se nuk do të pranojë reformën e padrejtë agrare, përmes të cilës ishin çpronësuar pronarët e tokave në mes të viteve 1944-1949.

Schäuble i kushton vëmendje të veçantë negociatave në lidhje me çështjet financiare. Qeveria Federale merr vendim për krijimin e Fondit “Bashkimi gjerman”, i cili do të mbledh 115 Miliardë Marka Gjermane, prej të cilave 47,5 Miliardë to mbulohen nga Landet. Përmes tij do të merren përsipër borgjet e trashëguara nga RDGJ dhe do të mbështeten pesë landet e reja që do të krijohen në Gjermaninë Lindore.

Në kapitullin me titull “Kryeqytet Berlini” Schäuble përshkruan në detale negociatat në lidhje me përcaktimin e kryeqytetit të Gjermanisë së bashkuar, emrin e ri të shtetit të bashkuar, stemën, flamurin, hymnin kombëtar etj. Hedhet propozimi që shteti i bashkuar të quhet Federata e Landeve Gjermane. Kryeministri De Maiziere propozon që hymni gjerman të kombinohet edhe me strofën e hymnit të RDGJ nga Johannes R. Becher.  Schäuble arrin të bind negociatorët gjermanolindor që të mbetet emërtimi aktual i shtetit: Republika Federale e Gjermanisë, i cili vë në pah elementin federativ të republikës dhe atë gjeografik bashkë me sistemin shtetëror. Ai arrin poashtu të bind palën gjermanolindore që procesi i bashkimit të rrjedhë në atë mënyrë që pesë landet e Gjermanisë Lindore t’i bashkangjiten Gjermanisë Perëndimore dhe Ligji Themeltar Gjerman të mbetet kushtetutë në fuqi për gjithë territorin e republikës së bashkuar.

Boni që nga viti 1949 ishte përcaktuar si kryeqytet i përkohshëm. Shumica e landeve perëndimore deklarohen kundër Berlinit kryeqytet.  Lothar de Maiziere bënë kompromis në lidhje me kushtetutën, emrin e shtetit dhe hymnin. Por, ai është i pakompromis në lidhje me kryeqytetin. Në këtë pikë, pikëpamjet e Schäubles përputhen me De Maiziere: Berlini do të bëhej simbol i bashkimit të Evropës; Berlini do të ndikonte për integrimin dhe zhvillim të përshpejtuar të pjesës lindore të Gjermanisë së bashkuar; Berlini plotëson edhe shumë ëndërra dhe dëshira të shumë njerëzve, pasi që askund nuk dokumentohet më mirë bashkimi se sa në qytetin deri dje të ndarë të Berlinit.

Libri i Schäubles përshkohet nga kritika e ashpër ndaj kandidatit për kancelar të SPD Oscar Lafontaine. Lafontaine “nuk e shikon me simpati procesin e bashkimit dhe mundohet të shfrytëzojë shansat e tij në mënyrë të paskrupullt.” Ai llogarit në përfitimet eventuale nga frika e gjermanoperëndimorëve dhe zilia e gjermanolindorëve. Nën ndikimin e tij pjesa e SPD në RDGJ largohet nga Qeveria dhe deklarohen se do të bllokojnë marrëveshjen për bashkim. Socialdemokratët në të dy pjesët e Gjermanisë insistojnë në formulime të qarta në ruajtjen e të drejtës së punës, banimit dhe ambientit. Në opinionin publik krijohet përshtypja se jo SPD, por Lafontaine është kundër bashkimit. Vetëm ndërhyrja e kryetarit të SPD Hans-Jochen Vogel ndikon në tejkalimin e gjendjes. Vogël dakordohet që më 3. Tetor 1990 të shpallet bashkimi i dy Gjermanive. Lafontaini mbetet në pozitën jashtë loje.

Një rëndësi e madhe përgjatë procesit të negocimit i kushtohet politikës kadrovike. Si duhet sjellur me njerëzit që i kanë shërbyer regjimit komunist në RDGJ? Ministria e Jashtme e udhëhequr nga Genscher propozon që në Shërbimin e Jashtëm të mos pranohet asnjë nga diplomatët që i kanë shërbyer sistemit të Honeckerit: “Kush e ka ndjerë veten deri dje të obliguar ndaj doktrinës komuniste, nuk mund ta përfaqësoj nesër një shtet të së drejtës.”  A duhet ndjekur të njëjtin princip edhe me oficerët ushtarakë, doganierët, policët? A duhet liruar nga puna të gjithë zyrtarët nëpër institucione shtetërore? Schäuble e konsideron problem serioz që të injorohen dy milionë njerëz që ishin të angazhuar në institucione.

Më 31. Gusht 1990, në ora 13.15 h, nënshkruajnë Wolfgang Schäuble dhe Günther Krause Marrëveshjen për Bashkim. Marrëveshja nënshkruhet në Kronprinzenpalais në Berlinin Lindor në Unter den Linden. De Maiziere e quan Marrëveshjen si një nga “marrëveshjet më të rëndësishme në historinë gjermane të pas luftës.” Schäuble shkruan se kjo “është një ditë gëzimi për të gjithë gjermanët. Sundojnë gëzimi dhe siguria në lidhje me atë se bashkimi shtetëror jo vetëm se po vjen, por po rrjedh në binarë të rregullt.”  Marrëveshja për Bashkim u aprovua nga të dy qeveritë të njëjtën ditë. Ajo përmban rreth 1000 faqe. Modalitetet e bashkangjitjes së RDGJ në RFGJ përfshijnë:

-    Realizimi i bashkimit të Gjermanisë bëhet më 3. Tetor 1990. Kjo ditë do të quhet Dita e Bashkimit të Gjermanisë. Pesë landet e reja Brandenburgu, Mecklenburg-Vorpommerni, Sachseni, Sachsen-Anhalti dhe Thüringeni do të jenë lande të reja të Republikës Federale të Gjermanisë. Nga 11 lande, bëhen 16 Lande Federale;

-    Parlamenti i RDGJ i dërgon 144 deputetë në Bundestagun Gjerman. Në Bundesrat do të dërgohen të ngarkuar të përkohshëm, deri në organizmin e zgjedhjeve në nivel landi në pesë landet e reja. Numri i vendeve në Bundesrat rritet nga 45 në 65 vende;

-    Berlini do të jetë Kryeqytet i Gjermanisë. Çështja e selisë së Parlamentit dhe Qeverisë do të vendoset pas bashkimit;

-    Do të vazhdojnë të mbeten në fuqi çpronësimet e kohës së pushtimit sovjetik;
-    Aktet e Stasit do të mbeten në territorin e RDGJ dhe nuk do të dorëzohen në Arkivin Federal.

Marrëveshja për Bashkim ratifikohet në tri institucionet përfaqësuese me dy të tretat: në Parlamentin e RDGJ më 20. Shtator 1990 votuan 299 për dhe 80 veta kundër  Marrëveshjes për Bashkim; në Bundestag votuan 442 për dhe 47 kundër; Dhoma e landeve gjermane (Bundesrat) votoi në mënyrë unanime pro bashkimit. Më 3. tetor 1990 flamuri gjerman valoi i lirë në
Sheshin e Republikës në Berlin. Aty valon dhe sot.
Bashkimi i Gjermanisë u shoqërua me një numër të madh manifestimesh festive kudo. Në një adresim drejtuar qytetarëve përmes televizionit Helmut Kohl vë në pah rolin e aleatëve perëndimor në procesin e  bashkimit, mbështetjen e Gorbaçovit dhe lëvizjes qytetare që realizoi revolucionin paqësor. Ai i ftoi gjermanët të jenë të bashkuar dhe solidarë: “Me rëndësi të madhe është zhvillimi i vetëdijes së ndërsjellë të gjermanolindorëve dhe gjermanoperëndimorëve për njëri-tjetrin dhe tejkalimi i mendimit se Gjermania është e ndarë në “ne këtu”dhe “ata atje.”

Në Shtëpinë e Koncerteve intonohet Simfonia 9 e Betovenit dhe mban fjalë Kryeministri i fundit i RDGJ Lothar de Maizière. Ai i nderon aktorët e revolucionit paqësor  të vjeshtës 1989 duke thënë se e ardhmja do të jetë në liri, demokraci, shtet të së drejtës dhe barazi sociale, të cilat janë më shumë të çmuara se të mirat materiale: “Jo ajo që kemi qenë dje, por ajo që duam të jemi nesër na bashkon. Që nga nesër do të ketë një Gjermani të bashkuar. Ne kemi pritur gjatë për këtë, ne do ta formësojmë atë së bashku, dhe ne jemi shumë të gëzuar për këtë.”

Më 3. Tetor 1990 para Reichstagut në Berlin së bashku me qindëra mijëra vetë festohet bashkimi. Kështu e përshkruan këtë moment Schäuble: “Ishte një gëzim i qetë, emocional, me një lumë flamujsh që valojnë, pa as më të voglin teprim. Nëse ndokush dyshonte, se gjermanët e dëshironin bashkimin, në këta minuta mori përgjigjien e vërtetë. E disciplinuar, e vetëdijshme për përgjegjësinë ka qenë rrallë një masë kaq e madhe njerëzish.”

Presidenti Federal i Gjermanisë Richard von Weizsäcker, në ora 0:00 të fillimit të ditës së 3. Tetorit 1990 shpall solemnisht: “Bashkimi i Gjermanisë u realizua. Ne dëshirojmë t’i shërbejmë paqes në një Evropë të bashkuar.... Ne e kemi tani një shtet, të cilin as vetë më nuk mund ta konsiderojmë si të përkohshëm, identiteti dhe integriteti i të cilit më nuk vehet në dyshim nga fqinjtë tanë. Në ditën e sotme kombi gjerman  e zë vendin e vet të merituar në Evropë.”
Schäuble dhe Krause ngjiten në shkallët e Reichstagut, shohin njëri-tjetrin, shohin masën e gëzuar të njerëzve, i japin dorën njëri-tjetrit. Schäuble i pëshpërit: “Për këtë moment kemi fjetur fare pak dhe kemi punuar shumë muajt e fundit.”

8.    Trajtimi i pjesëtarëve të Stasit

Trajtimi i pjesëtarëve të Stasit paraqet një nga problemet më të ndjeshme në procesin e bashkimit. Shpërbërja e sigurimit dhe policisë së fshehtë të RDGJ (STASI) kishte ndodhur në mars të vitit 1990. Por, pjesëtarët e tij posedonin resurse të aparatit shtetëror si të holla, prona, banesa dhe aparate, të cilat mund të keqpërdoreshin. Në një situatë të tillë shumë prej tyre mund të shfrytëzonin këto resurse për t’u katapultuar në sistemin e ri demokratik. Në RDGJ përhapet poashtu droja se me këto akte, sigurimi i fshehtë gjermano-perëndimor do të arrinte të kishte shumë informata për lindorët dhe kjo do të keqpërdorej për “të ushtruar më lehtë sundimin ndaj tyre.” Supozohej se rreth 2 milionë njerëz ishin viktima të spiunimit të Stasit në RDGJ.

Të dy delegacionet negociuese e trajtojnë me shumë kujdes çështjen e spiunëve të Stasit. Schäuble shtron pyetjen: “Sa gjatë do të duhet Gjermania të mbajë barrën e socializmit totalitar të dyzet viteve të kaluara?” Në përgjigjie të kësaj pyetjeje ai shkruan se “e vërteta duhet akceptuar ashtu siç ishte.” Ai është dakord që të dy shtetet gjermane të merren vesh se nuk duhet arrestuar punëtorët e shërbimeve informative të të dy vendeve, që kanë spiunuar kundër njëri-tjetrit për 40 vite. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e tilla “si agjenti Tiedge, i cili nuk duhet të përfitojë nga amnestia për shkak se një punëtor i sherbimit informativ të RFGJ ishte mbytur në burg si pasojë e spiunimeve të tij.”

Reagimi i opinionit publik në të dy pjesët e Gjermanisë kundër thirrjeve për amnesti të njerëzve të Stasit ishte i madh. Vet shefi i opozitës socialdemokrate Vogel deklarohet kundër marrjes në mbrojtje të njerëzve që kanë spiunuar dhe e kanë zbatuar aparatin e dhunës në RDGJ. Prandaj, një  amnesti e tillë e propozuar nga Schäuble nuk përfshihet në Marrëveshjen për Bashkim, për shkak se është e qartë se nuk do të merrte mbështetjen e 2/3 të anëtarëve të parlamenteve të të dy vendeve. 

Një Komision i Veçantë i Parlamentit të RDGJ merret me çështjen e Stasit nën udhëheqjen e Joachim Gauck.  Komisioni i konstaton rreth 2000 oficerë që ishin në detyrë të veçantë (spiunë të fshehtë të Stasit). Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të RDGJ, më 29. Shtator 1990, vie deri te një situatë tragjikomike, e rrallë në historinë e shteteve. Zhvillohet një debat i ashpër për mënyrën se si duhet bërë të ditur opinionit emrat e deputetëve, që kanë punuar në Stasi. SPD dhe të Gjelbërtit insistonin të bëhet një gjë e tillë, CDU ishte kundër. Komisioni i udhëhequr nga Joachim Gauck refuzon publikimin e emrave duke u thirrur në mbrojtjen e të dhënave personale. Megjithatë, fillimisht vendoset të bëhen publikë emrat e 15 deputetëve më të ngarkuar, më pas numri rritet në 56 të akuzuar. Secilit prej tyre i jipet mundësia të bëjë deklaratë arsyetimi. Disa prej tyre e deklarojnë pafajësinë, të tjerë shpjegojnë se si janë gjendur në një situatë të tillë të palakmueshme, por ka edhe të tillë që e mbrojnë veprimtarinë e tyre në Stasi.

Debatin në lidhje me këtë çështje e mbyll në fjalën e tij presidenti federal Richard von Weizsäcker ditën e bashkimit të Gjermanisë: “Drejtësia dhe Ligji do të fillojnë rrjedhën e tyre. Në trajtimin e akteve të Stasit nuk guxon që mbrojtja e nevojshme e të dhënave të shndrrohet në mbrojtje të shkelësve të ligjit.....Faji mbetet edhe më tutje i dënueshëm.”

9.    Shfrytëzimi i shansës historike

A ishte bashkimi i Gjermanisë i ngutshëm? A do të mund të realizohej bashkimi në rrethana të reja të krijuara në vitet 90-të ose 2000 kur situata revolucionare demokratike ishte tejkaluar? 

Përgjigja më e saktë do të ishte ajo që jep vet Schäuble: “Jo. Zhvillimet e mëpastajme në Bashkimin Sovjetik dëshmojnë se ka egzistuar vetëm një hapësirë e vogël kohore, brenda së cilës bashkimi ishte i mundur vërtetë në paqe dhe liri. Ne e shfrytëzuam këtë shansë. Sot nuk do të ishte më e lehtë një marrëveshje e përbashkët e aktorëve 4+2. Ai që do të ishte hamendur në vitin 1990, do të kishte humbur shansën e bashkimit – ndoshta përgjithmonë.”

Në fakt bashkimi i Gjermanisë i vitit 1989/1990 ishte një lloj fati, i cili u realizua përmes artit shtetëror, përgjegjshmërisë politike të të gjithë pjesëmarrësve, simpatisë për fatkeqësinë gjermane, vetëdijen dhe respektin për sukseset që i kishte realizuar RFGJ. Ribashkimi i vitit 1989/1990 erdhi si rezultat i diplomacisë së shkëlqyeshme të Gjermanisë. Procesi negociues mund të konsiderohet një nga veprat më mjeshtërore të diplomacisë së lartë në shekullin e 20-të: “Ajo që është paraqitur jashtë në mënyrë harmonike, ishte në të vërtetë diplomaci e fshehtë artistike dhe lojë fuqie në shkallë të lartë.”
Rrathanat historike krijuan një shans historike për gjermanët. Ata e shfrytëzuan shansën e dhënë. Bashkimi i Gjermanisë solli një pozitë të volitshme për politikën e jashtme gjermane: ajo u shndrrua në një “superfuqi të vetëkuptueshme, përkundër dëshirës së saj” – siç do të shprehej profesori im i nderuar Christian Hacke. Marrja e përgjegjësisë në Luftën e NATO-s kundër Serbisë për shkak të gjenocidit në Kosovë në  vitin 1999 ishte rezultat i rritjes së peshës së Gjermanisë së bashkuar.

Në fund për rolin e Gjermanisë së bashkuar në të ardhmen mund vetëm të përsërisim atë që ka shkruar vite më parë një nga teoricientët më të mirë bashkëkohor të diplomacisë Henry Kissinger: “Kur të vijë koha, Gjermania do të këmbëngulë për influencën politike që i takon, në bazë të forcës së saj ushtarake dhe ekonomike, dhe nuk do të ndihet aq e varur nga mbështetja ushtarake amerikane apo ajo politike franceze.”

 01.08.2017, 09:25  | B.M. | 2,899 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
« TRONDITËSE » Nuk kanë të ndalur hetimet ndaj Ramiz Merkos për keqpërdorim detyre, "ka abuzuar me 6 milion euro", akuzon Miloshoski
« Agjencia e Lajmeve Zhurnal, rikthen ZhurnalTV-në » Armend Ramadani - 15 Years anniversary (Video)
Arrestohet Igor Jug, njëri prej dhunuesve në natën e 27 prillit në Kuvend
Refiqe Tërnava nuse, ky është bashkëshorti i saj (Foto)
« Analizë "BIRN" » Kreu i Sarajit Murati në mungesë të projekteve ideore ka humbur 1.5 milion euro për investime kapitale
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.