« Analizë "BIRN" » Kreu i Sarajit Murati në mungesë të projekteve ideore ka humbur 1.5 milion euro për i..
Para lokaleve partitë politike të ulen në tryezë të përbashkët dhe të zotohen për zgj..
Aeroporti "Aleksandri i madh" pas zgjedhjeve do të bëhet Nënë Tereza?! (Video)
« Agjencia e Lajmeve Zhurnal, rikthen ZhurnalTV-në » Armend Ramadani - 15 Years anniversary (Video)
Po, sikur politikanët tanë...?

Suzana Ejupi

Para ca kohe, duke lexuar lajmet nga vendi dhe bota, rastisa në një shkrim prekës të agjencisë angleze të lajmeve “The Guardian”. Shkrimi në fjalë reflektonte punën vullnetare dhe humanitare të Maddie Harris-it, e cila në vitin 2015 punonte në një festival në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në momentet që mediat elektronike pushtuan rrjetet sociale me foto alarmante të gjendjes së rëndë të refugjatëve në pikat kufitare në Evropë, ajo u shqetësua aq shumë nga ato pamje rrëqethëse, saqë vendosi të shkojë në vendin e ngjarjes, më konkretisht në veri të Francës dhe të japë kontributin e saj, për të ndihmuar refugjatët në kampe.

Ajo planifikoi të qëndrojë 5 ditë, por kaluan 12 muaj. Pas një kohe në këtë kamp, ajo dëgjoi për një kamp tjetër në portin e Dunkirk-ut të Francës veriore, që ishte poashtu në gjendje tejet të mjerë dhe vendosi të vazhdojë misionin humanitar në këtë kamp. Pasi shkoi atje, ajo punonte nga ora 7.30 e mëngjesit deri në orën 10 të mbrëmjes; kishte marrë rolin e drejtueses, kur vërejti se në ç’gjendje ishte katandisur kampi i refugjatëve. Me shumë vullnetarë të tjerë, ajo shpërndante ndihma ushqimore, përkujdesej për raste emergjente shëndetësore dhe vendoste pajisje elementare për nevojat e refugjatëve.

Për më shumë, qëndrimin në këtë kamp refugjatësh e financoi vetë, madje kishte harxhuar dhe kursimet e jetës për t’u shërbyer këtyre njerëzve. Kjo përvojë e ndjek Maddie-n nga pas dhe e ka çorientuar mentalisht dhe shpirtërisht edhe pasi u kthye në shtëpinë e saj. Si Maddie Harris ka shumë vullnetarë të tjerë nëpër botë, që kontribuojnë fort, për të përmirësuar jetën e njerëzve në nevojë. Ky qëndrim human i vullnetarëve nëpër botë, u kushton atyre; jo çdokush mund ta bëjë të njëjtën gjë, kur dihet se çfarë traume bartën kjo përvojë në kujtesën e tyre.

Sidoqoftë, duke u bazuar në përvojën fizike, mendore dhe emocionale të Maddie Harris-it, pyesja veten: “Po sikur politikanët tanë të jenë të ekspozuar ndaj një përvoje të gjatë dhe të ngjashme me atë të Maddie-t, a do ta kishin përballuar dhe a do ta kishin ndryshuar qasjen dhe veprimin në raport me nevojat e popullit?”. Ndryshe thënë, nëse do të supozonim që një politikan në rrethanat tona, përpara se të bëhet politikan, të gjendet në një përvojë të ngjashme me atë të Maddie-t, pra, vullnetar në një kamp refugjatësh dhe të sheh nga afër ç’është lodhja, përgjegjësia, stresi, trauma, a do t’i shërbente ndryshe popullit?! Një përvojë e tillë, pavarësisht se është e dhimbshme dhe mjaft e vështirë, po të bëhej me zemër nga politikanët tanë, do t’ua zhvillonte ndjeshmërinë në shkallën e duhur dhe t’i shndërronte në qenie me një ndërgjegje të lartë dhe të padiskutueshme.

Ne kemi nevojë për politikanë që nuk i zë gjumi natën nga meraku, për t’i shërbyer popullit deri në nevojën e fundit. Ne kemi nevojë për politikanë që i kaplon furishëm mërzia, sikleti, dhe ankthi deri sa t’i përmbushin këto nevoja. A brengosen këta politikanë për çdo çështje të pazgjidhur të popullit? Sa këta politikanë ndjejnë ankth kur nuk gjejnë dot zgjidhje për hallet e popullit? Sa nga këta politikanë, përpara se të futen në politikë, ose përpara se të synojnë të përfaqësojnë popullin e tyre, kanë një përvojë të ngjashme si ajo e Maddie-t në CV-në e tyre; jo nga ato përvoja njëditore, sa për sy e faqe, në interes të fushatës ose ndërtimit të një imazhi politik të rrejshëm, por përvojë disa mujore ose vjetore, ku e gjithë qenia e tyre të sakrifikohet në shërbim të humanizmit? Sa një përvojë e këtillë afatgjatë dhe skajshmërisht sakrifikuese, do t’i pajisë ata me një përgjegjësi vërtet humane?

Më duket sikur politikanët tanë (me pak përjashtime), nivelin e stresit e kanë të barabartë me atë të një njeriu të zakonshëm që nuk përfaqëson dhe bart përgjegjësi për asnjë grup njerëzish! Këta politikanë duan të shijojnë pozitat më të larta shtetërore dhe bashkë me atë prestigjin, benefitet, dhe autoritetin, por nga ana tjetër, duan ta kursejnë veten në shërbim sakrifikues të nevojave të popullit.
 
Fuqizoni ata politikanë që në jetën e tyre kanë realizuar punë vullnetare, punë të lodhshme dhe vërtet kanë ndikuar dhe ndryshuar jetën e të tjerëve. Pasi ata të përballen me tmerrin që njerëzit kalojnë nëpër zona lufte ose varfërie dhe t’i kaplojë ndjenja e fajit, trishtimit, dëshpërimit, dhe të humbin shpresën nga lodhja e tepërt, ata do të kuptojnë se ç’është sakrifica dhe kontributi i vërtetë. Ndryshe thënë, t’u japim hapësirë të na përfaqësojnë politikanët që nga afër e kanë parë dhe ndjerë se ç’është skamja, humbja, trauma, stresi, sëmundja, lodhja, dhe vetëm atëherë ata do të arrijnë një shkallë të lartë vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi, me qëllim që të solidarizohen bindshëm me hallet e njerëzve dhe veprimet e tyre të jenë të prekshme për ta.

Në këtë drejtim, Norman Borlaug (babai i revolucionit të gjelbërt, i cili ka merita për shpëtimin e më shumë se një milion njerëzve nga uria), do të thoshte: “Fati i qytetërimit botëror varet nga vendosja e një standardi të denjë për gjithë njerëzimin”. 

Një përvojë afatgjatë dhe sakrifikuese humane, si ajo e Maddie Harris-it, do t’ua hapë sytë dhe zemrën politikanëve të ardhshëm dhe njëkohësisht, do t’ua zhvillojë ndjeshmërinë dhe do t’i nxisë ata në veprim.

Për në fund, sugjeroj që shteti dhe populli duhet të vendosë si kriter bazë dhe të kërkojë punën e vërtetë vullnetare dhe humanitare tek çdo individ që synon të përfaqësojë politikën e një populli.

 20.08.2017, 23:59  | B.M. | 8,291 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
« TRONDITËSE » Nuk kanë të ndalur hetimet ndaj Ramiz Merkos për keqpërdorim detyre, "ka abuzuar me 6 milion euro", akuzon Miloshoski
Bie nga çatia e shtëpisë, gjen vdekjen një person nga Tetova
« Agjencia e Lajmeve Zhurnal, rikthen ZhurnalTV-në » Armend Ramadani - 15 Years anniversary (Video)
Arrestohet Igor Jug, njëri prej dhunuesve në natën e 27 prillit në Kuvend
Refiqe Tërnava nuse, ky është bashkëshorti i saj (Foto)
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.