Zaev: Modeli për të ardhmen fillon me respektimin e të gjithëve
Anëtarësimi i shpejt i Serbisë në BE, "cunami" për Maqedoninë dhe rajonin
Flamuri i Kosovës me emër të Greqisë, kështu mësojnë nxënësit shqiptarë në Maqedoni
Brukseli me kritikat e para për qeverinë e re
Si do të kujtohet Bajram Rexhepi? Flasin Kusari, Hoti dhe Spahiu
afaefgaga.jpg

Prishtinë, 21 gusht - Për shkak të natyrës së punës që bëjnë, politikanët rrallë i lënë njerëzit indiferentë në raport me ta.

Në vende me histori të re shtetërore si Kosova, ku politika ndiqet me më shumë pasion sesa në demokracitë e konsoliduara, emocionet në raport me politikanët shpesh shkojnë edhe përtej pëlqimit apo mospëlqimit të thjeshtë.

Ka shumë pak politikanë që arrijnë të nxisin ndjenja pozitive tek shumica e kolegëve dhe qytetarëve, përfshirë edhe ata që u përkasin taborëve të kundërt politikë.

Për këtë arsye, shumëkush e cilëson si politikan të veçantë Bajram Rexhepin, Kryeministrin e parë të Kosovës pas çlirimit, i cili vdiq sot në moshën 63 vjeçare, derisa po luftonte me sëmundjen që përfundimisht e mposhti në orët e para të 21 gushtit.

Ai e kishte këtë aftësi – thonë njerëzit që punuan me të dhe e njohën.

Mimoza Kusari, Rexhep Hoti dhe Nexhmedin Spahiu shpalosin kujtimet e tyre për Bajram Rexhepin.

Zëdhënësja e tij gjatë kohës sa ishte kryeministër, Mimoza Kusari-Lila, në një prononcim për klankosova.tv e vlerëson si politikan mbipartiak.

“Atë s’e kam parë kurrë si njeri në shërbim të një partie politike, por gjithmonë në shërbim të Kosovës. Si i tillë ka shërbyer edhe kur ishte kryeministër”.

“I dedikuar në punë, personalitet i përkushtuar dhe mbi të gjitha atdhetar”.

“Ka qenë shumë njerëzor”.

 

“Mbaj mend se nuk është frikësuar t’i tregojë dhe t’i thotë mendimet e veta edhe nëse ato kanë qenë jopopullore”.

“Ka pasur pavarësi në shprehje të mendimeve dhe në atë që ka besuar. Ka qenë strikt për aq sa është dashur të jetë në atë detyrë shumë delikate asokohe. Çdo vendim që e ka marrë, e ka marrë në të mirën e vendit”.

Edhe Rexhep Hoti, këshilltar i asokohshëm i Bajram Rexhepit, në një prononcim për klankosova.tv pohon se “ai ishte njeri që kishte aftësi për të punuar me të gjithë”.

“Ai mbi të gjitha e kishte tolerancën dhe mirëkuptimin për të tjerët. Edhe drejtimi i qeverisë në atë kohë dëshmoi se ishte personalitet i rëndësishëm që nuk e kishte problem të komunikonte me të gjithë, pavarësisht dallimeve”.

“Natyra dhe karakteri i tij e kanë bërë të pranueshëm për të gjithë”, thotë Nexhmedin Spahiu, analist politik nga Mitrovica – prej nga ishte edhe Rexhepi.

Kjo natyrë bëri që kirurgu i njohur mitrovicas të ishte i pranueshëm për të gjitha palët dhe të zgjidhej kryeministër i Qeverisë së Unitetit në vitin 2002, gjë që nuk ishte aspak lehtë për shkak të situatës së acaruar mes LDK-së dhe krahut të luftës.

 

Meqë postet e tij të pasluftës ishin të profilit të lartë politik dhe shtetëror, jo të gjithë e mbajnë në mend se Bajram Rexhepi ishte mjek në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para se të ishte kryetar komune, kryeministër e ministër.

“Në kohën e luftës i ishte përgjigjur thirrjes me dinjitet. Ka rrezikuar jetën, ka qenë në zona të luftës dhe ka shëruar të plagosurit, në mesin e të cilëve ka rënë në kontakt edhe me familjen Jashari”, thotë analisti Spahiu për klankosova.tv

“Por, epoka e tij më e lavdishme sigurisht është koha e pasluftës. Kur ka ekzistuar një tensionim në skenën politike të Kosovës në mes të dy krahëve dhe ka pasur vrasje të shumta politike, Mitrovica ka qenë e kursyer nga ky fakt edhe falë Bajram Rexhepit, i cili i ka amortizuar tensionet në masë shumë të madhe”.

 

“Kur diplomatëve amerikanë dhe të tjerëve ua kam propozuar emrin e Bajram Rexhepit për kryeministër gjithmonë i janë referuar këtij fakti. Ky ka qenë një argument që diplomatët e kanë mirëpritur dhe e kanë vlerësuar shumë”.“Arritja më e madhe e tij ka qenë pikërisht mbajtja e njëfarë stabiliteti në mes të dy krahëve”.

Prandaj, në kursin e shkurtër të politikës kosovare pas çlirimit Rexhepi do ta ketë një vend shumë të rëndësishëm dhe meritor.

Rexhep Hoti thotë se “Bajram Rexhepi do të mbetet një ndër personalitet më të shquara të politikës së Kosovës”.

“Humbja e tij është humbje e madhe për Kosovën  dhe për skenën politike, pavarësisht se kohëve të fundit kishte vendosur që t’i kthehej profesionit dhe të mos merrej me politikë”.

Ndërsa Kusari-Lila beson se ish-shefi i saj i ka siguruar vetës një ulëse në rendin e parë të liderëve kosovarë.

“Pa asnjë diskutim e them se Bajram Rexhepi do të mbahet mend si një ndër institucionalistët e parë të vendit. Ai e ka kuptuar rolin e tij dhe ky rol mund të portretizohet si njëri ndër burrështetasit e parë të Kosovës”.

 

 

Mirëpo, karriera politike e Bajram Rexhepit nuk ka kaluar fare pa probleme, posaçërisht  gjatë mandatit si Ministër i Punëve të Brendshme.

Kjo periudhë në një kohë tensionesh të mëdha politike mes pozitës e opozitës në Kosovë, mbase mund ta ketë lënduar trashëgiminë e tij politike.

“Sikur ta kishte përfunduar karrierën politike me përfundimin e mandatit si kryeministër unë mendoj se do të kishte lënë mbresa më të mëdha dhe do të shndërrohej në një ndër ata njerëz që meritojnë ngritjen e ndonjë përmendoreje pas vdekjes”, pohon Nexhmedin Spahiu.

“Por, mandatin e tij të dytë si kryetar komune dhe më pas detyrën si Ministër i Punëve të Brendshme nuk do ta vlerësoja pozitivisht”.

“Pas përfundimit të mandatit si kryeministër ai ka shkuar në një degradim të pandalshëm, prandaj përfundimi i tij i tillë në politikë ka qenë i logjikshëm”.

“Sidoqoftë, edhe pse jo në kohën e duhur, ai diti të tërhiqet nga politika dhe periudhën e sërishme të shërbimit si kirurg e kreu me nder”.

 

 

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 21.08.2017, 15:32  | Xh.I. | 854 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

MË TË LEXUAR
Rrihet deri në vdekje një person në Maqedoni pas një zënke për telefonin celular 
Treni që udhëton vetëm për një vajzë, historia e saj prekëse
Ndihma për shpirtin e atdhetarit të mbuluar me flamurin kuq e zi, duhet të jetë ndihmë për sakrificat e tij
Anëtarësimi i shpejt i Serbisë në BE, "cunami" për Maqedoninë dhe rajonin
« E fundit: » PSP zbulon 35 llogari bankare të Nikolla Gruevskit
 

 


Loading...
MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.