"Çelsin" e Tetovës, Gostivarit e Strugës e ka votuesi
Ganiu i bindur se do të fitojë në rrethin e dytë
Ja këshilltarët e ri të Komunës së Çairit
« Analistët » LSDM-ja fuqishëm do të mbështet BDI-në raundin e dytë
Vetëm mbrojtja me ligj shpëton bastardimin e gjuhës nga portalet
Portale-informative-780x439_1.jpg

Shkup, 19 shtator - Për tu analizuar të gjitha aspektet e përdorimit të gjuhës standarde në media, mbase do të duhej një studim më i gjatë dhe më voluminoz, me rezultate më konkrete dhe me udhëzime më të qarta. Sigurisht që kjo do të duhet të bëhej duke kyçur në mënyrë të drejtpërdrejtë studiues të gjuhës që e njohin me përpikëri drejtshkrimin dhe normat e standardit të gjuhës shqipe dhe duke pasur parasysh gramatikën e zhvilluar të saj.

Prandaj ne atë e lëmë në duart e mjeshtërve të gjuhës. Analiza që është bërë, është për atë se si “kapen” gabimet gjuhësore nga këndvështrimi i lexuesve që e njohin drejtshkrimin në një nivel të kënaqshëm, e përdorin drejtë gjuhën dhe “ua vrasin syrin” lëshimet naive të mediave. Natyrisht që do ta trajtojmë pakujdesinë e skajshme dhe të patolerueshme të disa gazetarëve dhe mediave.

Gabime, nuk ka dyshim që bëhen. Me shtimin e numrit të mediave, me mungesën e kuadrove profesionale, redaktorëve e lektorëve, shtohen edhe gabimet. E, me anonimitetin e gazetarëve, shtohen edhe niveli i papërgjegjësisë.

"Cilat janë shkaqet për gabimet e shumta?

1- Formimi i gazetarëve.

2- Shpejtësia për të dhënë lajmin i parë. Mungesa e kohës.

3- Neglizhenca nga vetë ana e gazetarëve

4- Mungesa e redaktorëve në të gjitha mediat qoftë të shkruara, qoftë vizive.

Listova vetëm 4 elementë që i gjykoj shumë të rëndësishëm. Dua të shtoj edhe fokusin e lajmeve të kësaj kohe. Të gjithë vlerësojmë në bazë të klikimeve dhe leximeve, duke neglizhuar mënyrën e ndërtimit të lajmeve. Ka lajme që nuk përmbajnë në trupin e tyre përgjigjet e 5 pyetjeve kryesore të lajmit: Kush, ku, kur, si dhe përse. Tekstet nuk kanë hyrje, zhvillim, përfundim, nuk kanë as lajm! Titujt janë abuzivë: “flet për...” e  në brendësi të tekstet shkruhet “X nuk pranoi të prononcohet për ....”. Gazetarët që punojnë në zyra dhe bëjnë lajmë nga statuset e fb nën “luksin” e të qenit anonimë duhet minimalisht të dinë të shkruajnë shqip. Në tërësi, besoj se është mungesë profesionalizmi nga ana e anonimëve. Por ndodh krejt ndryshe me gazetarët që punojnë në terren. Ka gazetarë që janë shumë të aftë, profesionistë, gjatë gjithë ditës kanë “luftuar” për të zbardhur lajmin e kushedi se sa dyer u janë përplasur në fytyrë, mundet që në vend të “të” të shkruajnë “ët”, kjo nuk e zbeh profesionalizmin e tyre. 

Redaktori është domosdoshmëri në çdo redaksi! 

Dua të theksoj se pronarët apo drejtuesit e mediave nuk e cilësojnë ndër elementët më të rëndësishëm drejtshkrimin e gjuhës shqipe, e për rrjedhojë redaktori është i panevojshëm. Kam punuar në media, në të cilat nuk kishte redaktorë e për çudi redaktimi i gazetës bëhej pasi gazeta kishte dalë në treg dhe gazetarët “gjobiteshin” për gabimet e tyre. Kjo nuk i shërben cilësisë së gazetës. 

Më ndodh të lexoj lajme dhe të mos kuptoj asgjë, të mos gjej lajm askund!", kështu shprehet për Agjencinë e Lajmeve Zhurnal, gazetarja Albina Hoxhaj.

Ndërsa gazetari Drilon Saliu thotë "Tentimet për të ofruat sa më shumë informacione për të qenë në hap me konkurencën në tregun mediatik dhe mungesa e stafit profesionist që duhet të përmbajë një medium serioz, bëjnë që të rritet kuantiteti i informacioneve në dëm të kualitetit, rrjedhimisht në dëm të drejtshkrimit dhe lëshimeve sistematike drejtshkrimore dhe jo vetëm. Padyshim, zotimi i profesionit te gazetarisë nga profile të ndryshme dhe trajtimi i këtij profesioni si zanat të kapshëm edhe pa mos e ndjekur rrugën sistematike profesionale sjellin deri te lëshimet e përditshme gazetareske,sintaksore dhe drejtshkrimore. Andaj që të mbrohet gjuha ng bastardimi i mëtejmë duhet që këtë ta bëjë shteti duke miratuar edhe një ligj për mbrojtjen e gjuhës".

Duke analizuar shkaktarin kryesor të lëshimeve drejtshkrimore që i bëjnë shpesh gazetarët, gjuhëtarët kanë parasysh disa aspekte. Niveli i ulët i arsimimit, neglizhenca, presioni i kohës ose arsye të tjera mund të qëndrojnë prapa këtij fenomeni, por cili prej këtyre faktorëve dominon më shumë sipas tyre?

Profesori i gjuhës shqipe, Reshat Jashari ka konstatuar se përdorimi i shqipes standarde në mediat tona lë shumë për të dëshiruar.

“… aq sa kam filluar të besoj që kjo shmangie nga standardi i ka kaluar kufijtë e të qenit një mungesë kulture drejtshkrimi e drejtshqiptimi. Ajo ka filluar të shfaqet si pakujdesi totale ndaj gjuhës, për të mos thënë si nënçmim ndaj saj. Nëse vihen re lëshimet që bëhen gjatë hartimit të një teksti në mediat tona elektronike e të shkruara, gjithkush mund të vijë në këtë përfundim fatal për ngritjen kulturore të një kombi. Mjerisht, faktorët që ndikojnë në shmangie nga standardi gjuhësor janë shumë në numër dhe të natyrave të ndryshme. Ato lidhen edhe me çështje të tjera tonat të pambaruara me karakter historik-politik e social. Gjithandej hasim lëshime që s’janë vetëm mungesë dijesh gramatikore, por mospërfillje dhe pavetëdije për krimin, do të thosha unë. Jemi dëshmitarë të shkeljes së rregullave gjuhësore pothuajse në të gjitha llojet e komunikimit, përfshirë edhe librat që i botojmë e, që është më skandalozja e më e dhimbshmja, tekstet shkollore që i hartojmë. Të gjitha së bashku dhe shumë të tjera.”

Si ballafaqohen mediat tradicionale dhe bashkëkohore me përdorimin e gjuhës standarde?

Në përgjithësi, përshtypja e krijuar është që mediat tradicionale, shtypi dhe televizioni, janë më të kujdesshme në dhënien e informacionit, për shkak të hierarkisë strukturore të tyre dhe fazave që i kalon informacioni para publikimit. Portalet janë media që e transmetojnë më shpejt informacionin. Jo të gjithë, por pjesa më e madhe e tyre, u kushton më pak ose aspak rëndësi rregullave dhe standardeve të gazetarisë në përgjithësi. Këtu nuk bëjnë përjashtim as standardet e përdorimit të gjuhës.

“Sa u përket portaleve, mendoj që janë ato që më së shumti po i mëshojnë indit të gjuhës. Nëse mediat tradicionale (siç po i quani ju shtypin dhe televizionet) kanë ende një grimëz përgjegjësie, kontrolli e filtri redaksional (pavarësisht nga niveli i njohjes së tyre gjuhësore), portalet janë tërësisht jashtë këtij sistemi mbikëqyrës. Ato aty-këtu strehohen vetëm në ndërgjegjen e shkruesit, gjë që shkakton erozionin gjuhësor e kulturor kur e dimë që kemi të bëjmë me media të kudo ndodhshme, që kanë ndikim të keq sidomos në kulturën gjuhësore të të rinjve. Përgjatë kontaktit me këto mediume, tok me gjuhën, të rinjtë e bjerrin edhe kujdesin, vlerësimin, vetëdijen mbi rëndësinë e gjuhës së tyre, gjë që është më e rrezikshme edhe se cilido lëshim që vjen nga mosnjohja e një rregulle gramatikore.” – vlerëson Reshat Jashari.

Në vazhdën e studimit të mundësive për përmirësim të gjendjes dhe rritjes së vetëdijes, gjuhëtarët përveç kujdesit individual propozojnë edhe mbrojtje institucionale të gjuhës. Profesori Jashari mendon që është koha që gjuha dhe përdorimi i drejtë i saj të mbrohet me ligj.

“Mundësia për ruajtjen nga ky erozion është vetëm mbrojtja institucionale, përkatësisht mbrojtja ligjore e gjuhës shqipe, që është nevoja themelore dhe më e ngutshmja e shoqërisë sonë.

Mbrojtja me ligj e gjuhës është zgjidhja kryesore, pastaj vijnë faktorët e tjerë që mbyllen me ngritjen e vetëdijes sonë kombëtare të paktën në shkallën që patëm gjatë Rilindjes Kombëtare. Të tjerat vijnë lehtë.”, thotë për Zhurnal, Profesori Jashari.

Që në fillim të përcaktimit për këtë profesion, është e qartë se mjeti i parë i punës është gjuha. Prandaj, gazetarët duhet ta shfrytëzojnë dhe përdorin atë me kujdes dhe përgjegjësi. Gabimet jo vetëm që shkaktojnë huti te lexuesit gjatë pranimit të mesazhit, por ju përçojnë atyre të dhëna të gabuara për përdorimin e gjuhës. Në këtë rast, shkelet një nga misionet primare të medias, edukimi.

E, të mos flasim për dëmin që i bëhet kualitetit të debatit publik në përgjithësi. Tani për tani, mund të themi se gjuha nuk është mjet, por viktimë në diskursin që përdorin një pjesë dominuese e mediave dhe gazetarëve, si dhe atyre që formësojnë opinionin publik. Për çfarë kualiteti të debatit mund të flasim, në qoftë se artikulatorët dhe përçuesit kryesorë të atij debati nuk mund as vetë të artikulohen ashtu siç duhet.

 

"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."
 19.09.2017, 17:30  | A.SH | 1,051 i lexuar

 

© ZHURNAL.mk

 Më tepër 

MË TË LEXUAR
Aksident fatal, vdes një grua nga Maqedonia 
« Analistët » LSDM-ja fuqishëm do të mbështet BDI-në raundin e dytë
Ja këshilltarët e ri të Komunës së Çairit
Big Mama: Me traktor do të shkoj nuse
Big Mama prezanton motrën: Ajo ka ditën e veçantë (Foto)
 


MARKETINGU    |    IMPRESUM    |    KONTAKT    |    ARKIVA

AGJENCIA E LAJMEVE "ZHURNAL"


Shkup, R. Maqedonisë
Fon: 02 3217 815
E-mail: info @ zhurnal.mk

maqedoniakosovashqiperiabotaekonomikronikasportkultureshowbizteknologji
© 2017 ZHURNAL
Të gjitha të drejtat e përmbajtjes në këtë portal janë të rezervuara.
Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit "Zhurnal".
Çdo përdorues publik i përmbajtjes sonë pa autorizimin e posaçëm nga "Zhurnal" rrezikon të ballafaqohet me ligjin.