Tani e ardhmja e qytetarëve lidhet me fatin e të korruptuarve
opinion
Tani e ardhmja e qytetarëve lidhet me fatin e të korruptuarve

Tani e ardhmja e qytetarëve lidhet me fatin e të korruptuarve

Diplomatët e lartë “fluturues” nuk e kishin parasysh dyfytyrësinë prej ketmani të autoriteteve politike të vendit, të cilët një gjë thonë, tjetër bëjnë e krejtësisht diçka të tretë mendojnë. Tani çështja është lënë në duart e këtyre politikanëve, për të cilët më e rëndësishme është pasuria e fituar me korrupsion e disa figurave kyçe, sesa e ardhmja e qytetarëve.

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Ish-sekretari i jashtëm amerikan dhe shkrimtari i famshëm, Henry Kissinger, u pyet një herë për të shpjeguar se çfarë ishte e ashtuquajtura “shatëll diplomacia” (diplomacia fluturuese).

Ai u përgjigj se kjo është një metodë e vjetër e diplomacisë, që nuk ka munguar kurrë. Më lejoni – tha ai – t’ju jap një shembull. Supozoni se doni ta martoni vajzën e Rockefeller-it (një nga më të pasurit në Botë) për një djalosh fshati.

– E si do ta bëni këtë?, e pyetën diplomatin hijerëndë.

– E lehtë, tha ai. Shkoj në cilindo fshat, gjej aty një djalë të ri dhe e pyes: “A do të donit të martoheni me një vajzë amerikane të qytetit?” Ai do të përgjigjet: “Pse?! Ne kemi vajzat mahnitëse këtu në fshat!”
E unë shtoj: “Por ajo është vajza e një miliarderi”.
Djali i fshatit atëherë thotë:”Oh! Kjo i ndryshon gjërat … ”
Pastaj shkoj në Zvicër dhe marr pjesë në një takim të bordit të një banke të madhe dhe e pyes pronarin: “A do të dëshironit të kishit një njeri nga fshati si president i bankës suaj?”
Bankieri do të përgjigjet: “Oh, jo, asnjëherë!”
Atëherë i sqaroj: “Po sikur të them se ai është dhëndri i Rockefeller-it?”
“Oh! Kjo i ndryshon gjërat … “, do të përgjigjet ai.
Pastaj unë shkoj të shoh Rockefellerin dhe e pyes: “A dëshironi që vajza juaj të martohet me një djalë nga një fshat?”
Ai me arrogancë do të përgjigjet: “Çfarë do të thuash?! Ne jemi familje bankare, ç’na duhet një bujk si dhëndër?”
E atëherë i theksoj se ai djali i fshatit është në të vërtetë një president i një banke zvicerane.
“Oh! Kjo ndryshon gjërat…”, do të përgjigjet Rockefeller.
Në fund kryhet me sukses misioni i quajtur “shatëll diplomaci”, ku djali nga fshati martohet ma vajzën e pasur dhe bëhet president banke, banka fiton një president të ri kurse Rockefeller një dhëndër të mirë që do t’ia bëjë të lumtur të bijën.

Kjo anekdotë për diplomatin më të fuqishëm amerikan, i cili ka dhënë dhe po jep kontributin kyç në formësimin dhe gjetjen e një rendi funksional botëror, në fakt tregon fuqinë e pakrahasueshme të diplomacisë dhe politikës.

Edhe në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë kishim një “shatëll diplomaci”, me ç’rast në Shkup e Athinë erdën diplomatë të kalibrit të lartë. Ky mund dhe investim i Uashingtonit, Berlinit, Parisit, Londrës dhe Brukselit u kurorëzua me arritjen dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës në qershor të këtij viti.

Faza e dytë e “shatëll diplomacisë” kishte për qëllim bindjen e pjesës më të madhe të qytetarëve të këtij vendi që të përkrahin referendumin duke dalë në votime më 30 shtator. Paraprakisht, “u bindën” liderët partiakë që të punojnë që i njëjti të ketë sukses.

POR, kur bëhet fjalë për Ballkanin (në rastin konkret për Maqedoninë, përherë ka një “por”. Diplomatët e lartë “fluturues” nuk e kishin parasysh dyfytyrësinë prej ketmani të autoriteteve politike të vendit, të cilët një gjë thonë, tjetër bëjnë e krejtësisht diçka të tretë mendojnë. Rezultati i referendumit i ka befasuar deri në shtangie për atë se deri ku mund të shkojë hipokrizia e një kaste politike që pretendon se udhëheq me shtet.

Tani çështja është lënë në duart e këtyre politikanëve, për të cilët më e rëndësishme është pasuria e fituar me korrupsion e disa figurave kyçe, sesa e ardhmja e qytetarëve.

Në Parlamentin e Maqedonisë duhet të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese për të miratuar amendamentet që burojnë nga Marrëveshja e Prespës, edhe pse nuk është siguruar një shumicë e nevojshme prej dy të tretave të deputetëve.

Nuk ka asnjë fluturim të asnjë diplomati pas referendumit, pasi nuk besojnë më në marrëveshjet që arrijnë me to. E vetmja gjë që u është bërë me dije janë sanksionet – që nga zgjerimi i listave të zeza, e deri te izolimi total i shtetit nga qasja në buxhetin e Perëndimit.

Dikush do të thotë se qytetarët padrejtësisht do të bartin pasojat më të rënda të atyre masave, edhe pse dolën në numër të konsiderueshëm në referendum. Por në demokraci vendimet i merr shumica, kurse pasojat i bartin të gjithë (edhe pakica). Siç thotë populli, në krah të drurit të thatë digjet edhe i njomi.

Jorastësisht vendet demokratike i vënë theksin cilësisë së arsimit të të gjithë qytetarëve, kurse vendet diktatoriale kujdesen që arsim cilësor të ketë vetëm kasta udhëheqëse.

Ish-presidenti amerikan Franklin D. Rusvelt ka thënë: “Demokracia nuk mund të ketë sukses përderisa ata që votojnë nuk janë të përgatitur të zgjedhin me mençuri. Për këtë arsye, mbrojtësi i vërtetë i demokracisë është arsimi”.

Se çfarë arsimi kemi në Maqedoni, sidomos kur bëhet fjalë për universitetet, e tregon rezultati i referendumit por edhe i cikleve zgjedhore gjatë dekadës së fundit. E tregon edhe fakti se votuesi më shumë udhëhiqet nga emocionet apo urrejtja për tjetrin, sesa nga vizioni dhe guximi i një politikani apo partie politike.

Në librin e tij me kujtime “Në Shtëpinë e Bardhë”, Kissinger thotë se vetëm një politikan që ka guxim dhe vizion mund të jetë lider. Së këndejmi, ai që ka guxim, por jo edhe vizion, udhëhiqet nga emocionet e çastit.
Ai që ka vizion, por jo edhe guxim, udhëhiqet nga oportuniteti dhe më shumë preferon konformizmin.

Thuhet se shumica e njerëzve mbahen mend si heronj për vepra të bëra si rezultat i gabimeve të tyre. Pra heronj pa paramendim. Të shpresojmë se kur të votohet për ndryshimet kushtetuese, deputetët e opozitës gabimisht të shtypin sustat e gjelbërta. Në të kundërtën, as “shatëll diplomacia” çudibërëse e Kissingerit e as politika e kulaçit apo karrotës e Brukselit nuk do të ndihmojnë. Atëherë do të presim të shohim kërbaçin dhe shkopin e diplomacisë dhe teatrin e madh shkatërrues të (gjeo)politikës.

© ZHURNAL 15.10.2018, 10:06 | Xh.I. | 341 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."