Qorsokaku i identiteve
opinion
Qorsokaku i identiteve

Qorsokaku i identiteve

Janë të paqarta disa qëndrime se globalizimi rrezikon të zhdukë një fe duke ia imponuar asaj një tjetër, se globalizmi rrezikon asimilimin e një kombi a një populli të tërë. Këtë frikë do e quaja “Sindromi i të dobëtit”, por Islami është fe e shpallur nga Zoti për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohët dhe nuk mund të tretet në qorsokaqet identitare.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Të gjithëve, besoj, n’a ka ndodhur që duke ecur nëpër ndonjë rrugë të pa njohur, të ndeshemi me një mur dhe për një moment të ndihemi të pa shpresë, të humbur në qorsokak. Dhe, na ka rastisur që duke kërkuar ndonjë shteg të padukshëm, ndonjë vrimë, ndonjë dalje që nuk ekziston, në fund të kuptojmë se s’kemi çare tjetër përveç se të kthehemi rrugës që kemi ardhur sadoqoftë e gjatë dhe e mërzitshme.Kthimi në vendnisje përherë esullon, të kthjellë dhe të mundëson të analizosh më mirë rrugën që do e zgjedhësh, nëse s’do që përsëri të gjendesh përpara ndonjë muri.

E qorsokaqet, të mos harojmë, nuk janë vetëm të atij lloji që shkaktojnë lodhje fizike për shkak të bredhjes, qorsokaqet mundë të jenë të natyrës ideologjike, kulturore, sociale, politike, shpirtërore , nacionale, identitare. Ato mundë të shkaktojnë rrëmujë në mendje e mbamendje, rrëmujë në dinjitet e në botëkuptime, rrëmujë në orientime dhe synime, rrëmujë në kërkimin e vetvehtes, mundë të shkaktojnë një turlitavë qëndrimesh lidhur me dilemat dhe paqartësitë me të cilat njeriu ballafaqohet gjatë përditshmërisë.
Sidoqoftë, në këtë epokë të globalizimit të përgjithshëm, njeriu i sotëm ndjenë nevojë konstante të përcaktojë vehten karshi sferave dhe vlerave të ndryshme që jeta bashkëkohore po i imponon si orientues. Por, cilat janë rrugët që nuk shpiejnë në qorsokak dhe nuk të detyrojnë që dukurisë së globalizimit t’ia flijosh vehten, traditën, kulturën, besimin dhe identitetin tënd ? Si të mbetesh vetvehtja dhe njëkohësisht të ndihesh pjesë e procesit të pakthyeshëm të krijimit të shoqërisë globale ?Si të mbetesh ai që je nëse jeton dhe funksionon në një shtet që gjeneron kushte jo fortë stabile shoqërore? Si të kuptosh e të ndërtosh qëndrimin ndaj, t’a zëmë, integrimeve evroatlantike duke mos u frikësuar nga tretja dhe t’huajësimi nga të cilat zakonisht frikësohen popujt e vegjël me shtetet e tyre miniaturale ?
S’do mendë se inkorporimi i identitetit individual dhe atij kolektiv në marëdhëniet ndërkombëtare dhe në mozaikun e përgjithshëm, pra edhe në procesin e globalizimit, kanë një peshë dhe vend shumë të rëndësishëm. Kjo, nga ana tjetër është në lidhje të drejtëpërdrejtë se në ç’ mënyrë një individ apo kolektiv e ka kultivuar dhe po e kultivon identitetin e vetë shtetëror, kombëtar, fetar, kulturor. Unë pajtohem se një popull e ngritë dhe e forcon identitetin e vetë duke u homogjenizuar rreth një strumbullari që mundë të jenë kombi, feja, gjuha e kultura , por ama nëse kjo ndodhë duke e padrejtësuar nje popull tjetër me të cilin bashkëjeton, atëherë identiteti i kultivuar në atë mënyrë futet në qorsokak. Dhe, një identitet i krijuar e i zhvilluar në atë mënyrë, ka shumë pakë gjasa të mbijetojë në procesin e globalizimit, apo “amerikanizimit të botës”, siç po e quajnë disa.

Kyçja në proceset që po i dikton revolucioni informatik i cili botën përfundimisht do e shndërojë në një fshat global, është e sigurtë se do i gllabërojë e do i tretë identitetet e rrejshme, individët e popujt inertë do të margjinalizohen e do shndërrohen në soditës pasiv të asaj që po ndodhë. Të fuqishmit, pra ata që janë të gatshëm të përcjellin në hap zhvillimet maramendëse të shoqërisë njerëzore, të sigurtë në vlerat e tyre identitare, me doemos do pranojnë standardet dhe maniret ndërkombëtare. Refuzimi për t’u kyçur në sistemet juridike dhe në ato të sigurisë ndërkombëtare, paraqet izolacionizëm, paraqet jetë të thurur nga mjegullnajat e fantazisë të cilat pamundësojnë të dallosh vogëlsinë nga madhështia e imagjinuar, thjeshtë paraqet një qorsokak. 

Pse po i them të gjitha këto ? Po i them sepse , e pranuam ne ose jo, procesi i globalizimit ka filluar tani e një kohë të gjatë dhe të gjithë ne, me ose pa dashje, jemi bërë pjesë e fshatit global. Iku dhe s’kthehet dot koha kur jeta e njerëzve zhvillohej në suaza ekskluzivisht të një komuniteti a të një shteti. Sot çdo individ, çdo kolektiv dhe çdo popull ka të drejtën dhe mundësinë të informohet për çdo gjë, të marrë atë që mendon se i nevoitet dhe të ofrojë atë që mundë t’i nevoitet tjetrit. Ky proces mundëson depërtimin e kulturave lokale dhe shndërimin e eksperincave individuale në informacione që përhapen brënda çastit në mbarë rruzullin tokësor . Në këtë mënyrë, vetvetiu luftohen edhe nacionalizmi, edhe etnocentrizmi të cilat, siç është e njohur, gjenerojnë ksenofobi ndaj asaj që është e ndryshme dhe prodhojnë kultura të izoluara 

Kjo që e thashë më lartë, sigurisht që nuk e eliminon nevojën e natyrshme të njeriut për të pasur e për të kultivuar identitetin e vetë që kryesisht krijohet përmes elementit kulturë dhe elementit fe, siç është e kuptueshme edhe frika nga humbja e atij identiteti.Është e drejtë absolute e çdo individi dhe çdo kolektivi të ruajë identitetin e vetë dhe të marrë nga kulturat tjera atë që dëshiron, por njëkohësisht ai është i obliguar të respektojë ,të nderojë e të tolerojë identitetet e të tjerëve. 

Për fund, më duhet të përkujtoj këtu se edhe vetë feja Islame është ngritur, zhvilluar e forcuar duke i tejkaluar kufinjtë brënda të cilëve ka lindur. Islami ka rezatuar duke u takuar me kultura, zakone e doke të popujve të ndryshëm dhe mënyra se si ka vepruar ai mundë të quhet lirisht si një zanafillë e globalizimit. Andaj, i kam të paqarta disa qëndrime se globalizimi rrezikon të zhdukë një fe duke ia imponuar asaj një tjetër, se globalizmi rrezikon asimilimin e një kombi a një populli të tërë. Këtë frikë do e quaja “Sindromi i të dobëtit”, por Islami është fe e shpallur nga Zoti për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohët dhe nuk mund të tretet në qorsokaqet identitare.

© ZHURNAL 16.10.2018, 16:16 | D.J. | 3,858 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."