Dilema e cila i lë pa gjumë kosovarët
opinion
Dilema e cila i lë pa gjumë kosovarët

Dilema e cila i lë pa gjumë kosovarët

Shkruan FADIL LEPAJA

Kush do të jetë kryetari i ardhshëm i PDK? E di se titulli dhe kjo fjali hyrëse do të i bëjë të buzëqeshin shumë lexues të cilëve nuk u bëhet fare vonë se kush do të jetë në krye të PDK, e lëre më të i lë pa gjumë. Kush do të jetë, pra, kryetar i PDK-së, partisë e cila asnjëherë nuk ishte partia më e madhe në vend por e cila, realisht, direkt apo indirekt, “institucionalisht apo jashtë institucionalisht”, qeverisi me Kosovën, që nga Qeveria e Përkohshme e pasluftës, e deri më sot. A ekziston kjo dilemë?

Dilema tjetër, e cila na imponohet këtë javë, dhe e bënë të ketë kuptim titulli i këtij shkrimi është deklarata kategorike e njërit nga dy nënkryetarët e LDK, të njohur për afrinë e tij me PDK.  Kurrë më nuk do të bëjnë koalicion me PDK, u shpreh, ai.

Në politikën tonë e kemi parë edhe më herët se “kurrë”, në fakt është deklarim dashurie, e kësaj radhe mund të jetë edhe xhelozie. “Ata bënë koalicion me dikë tjetër, prandaj kurrë më”, pak a shumë kështu ka thënë nënkryetari. Është e pa imagjinueshme, hyrja në koalicion me kryetarin aktual të PDK, ishte kategorik  nënkryetari i cili përflitet si njëri nga kandidatët më serioz për të ardhur në krye të LDK, vitin e ardhshëm!  Po me ndonjë kryetar tjetër, të PDK?
Nëse dikur, deklaratat e tipit “Kurrë me SHIK-un”, dhe të ngjashme, dolën të jenë hyrje në koalicionin e pa imagjinueshëm deri atëherë në mes të LDK dhe PDK, çfarë kuptimi ka deklarata e nënkryetarit të LDK se “kurrë më” nuk do të ketë koalicion LDK-PDK? Është përgjigje në ndonjë ofertë jo publike? Është përgjigje pa ofertë fare, për të parandaluar apo nxitur një të tillë në fakt? Apo është thirrje për ndryshime në kreun e PDK-së, nëse dëshirohet një koalicion i tillë, sepse kreu aktual ka bërë koalicion me tjetërkënd?

Kur kihet parasysh, se iniciativa e dy presidentëve, për korrigjim kufijsh, shumë më herët ishte propozuar zyrtarisht madje ishte protokoluar nga ana e  nënkryetarit të LDK,  deklaratat e  tij, fillojnë të marrin kuptim. Kush qëndron prapa kësaj deklarate është pyetje tjetër?. Kreu i LDK? Presidenti Thaçi? Apo vetëm nënkryetari i LDK, i cili po e shtron kështu edhe kandidaturën e tij për kryetar të LDK,  dhe po kërkon mbështetjen e presidentit?

Kemi qenë, më herët, dëshmitarë në përfshirjen e PDK dhe ndikimin e sajë (in)direkt në zgjedhjen e kreut të LDK, pas vdekjes së presidentit të saj historik. Për këdo që e njihte pak a shumë skenën dhe prapaskenën në të cilën u zhvillua i ashtuquajturi kuvend i karrigeve, dukeshin qartë duart e PDK, dhe ndikimi i saj në këtë duel. Dalja nga salla, nën masa të rrepta sigurie, e kryetarit të ri të LDK, të përcjellë me kordonin e policisë speciale, asokohe, dhe rrënimi i imazhit të kësaj partie, konsiderohej fitore e PDK, brenda LDK,  edhe pse kryetari Sejdiu ishte njëri nga njerëzit më të afërt dhe më besnik të presidentit të ndjerë. Shto kësaj edhe lojën e vazhdueshme politike të PDK, me pasardhësit biologjik të ish presidentit Rugova, dhe hapjen e çështjes së kryetarit të LDK sa herë numrat dhe idetë e reja në LDK e rrezikojnë pushtetin e PDK, atëherë do të shihet, qartë mekanizmi i PDK për të kontrolluar partinë, lëvizjen e dikurshme masive për pavarësi, e cila përkundër luftës, ku ishte inferiore, pas lufte sërish e dominoi skenën politike.

Pra, ka apo nuk ka dilemë se kush do të jetë kryetari i ri i PDK?   Dilema ka edhe rreth pasardhësit të kreut aktual të LDK dhe në mënyrë paradoksale, epilogu i zgjedhjeve në PDK do të ndikojë në mënyrë vendimtare edhe në atë se kush do të jetë kryetar i ardhshëm i LDK por edhe anasjelltas. Platforma e paralajmëruar e LDK për bisedimet Kosovë-Serbi na tregon se në këtë parti janë më se të vetëdijshëm për  këtë.

Mosmarrëveshjet në mes të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, lidhur me iniciativën për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, nxorën në sipërfaqe edhe mospajtimin e kryetarit aktual të PDK, i cili po ashtu është kundër “idesë” së presidentit.
Iniciativa për ndryshimin e kufijve, pra, e dy presidentëve, Vuçiç dhe Thaçi, krijoi qarje të thella në skenën politike. Një ndër to është edhe lufta  për karrigen e kryeministrit, por duke marrë parasysh rreshtimin e kryetarit të PDK ka shumë gjasë që edhe ulësja e tij po dridhet. Kështu në procesin e zgjedhjeve brenda partiake në PDK , në mënyrë të mbuluar do të  zhvillohet edhe lufta në mes njerëzve të kryetarit të saj aktual dhe atyre të presidentit.

Përgjigjja në dilemën që përflitet në titullin e këtij shkrimi, është përgjigje se kah po shkon Kosova. Nga kjo varet edhe fati i koalicionit qeverisës. Po shkon në zgjedhje të reja apo po e nxjerr përfundimisht z. Thaçi nga partia e tij e dikurshme?

Pa hijen e tij, e sidomos pa mekanizmat (jo) formal që ai i kontrollon që nga (pas)lufta, PDK e ka të vështirë të ketë fuqinë e saj të dikurshme për të kontrolluar  politikën e këtij vendi. Përpos, nëse me koalicionin e ri,  kryetari i PDK tashmë e ka gjetur alternativën, modelin e ri të qeverisjes pa oligarkët e mbledhur rreth presidentit, dhe të cilët me shkuarjen e tyre nga PDK do të e linin atë pa mekanizmat joformal, të interesave dhe  fuqisë represive,  me të cilët kjo parti diktonte vazhdimisht zhvillimet (jo)politike dhe ekonomike në vend.
Pra, me deklarimet e njerëzve pro presidentit se kryetari i PDK është “burrë më i mirë, se Thaçi” por nuk është lider, dhe ato të anës tjetër se “Thaçi ka rrëshqitur në tradhti”, dilema se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i PDK duket më reale! Do të hyj LDK sërish me PDK, apo do të qëndrojë partneriteti aktual i cili e mban qeverinë, kjo është dilema që shtrohet me deklarimin kategorik, “ kurrë më”, të nënkryetarit të LDK...

© ZHURNAL 17.10.2018, 11:20 | Xh.I. | 530 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."