A e ndihmoi Referendumi udhëtimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së?!
opinion
A e ndihmoi Referendumi udhëtimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së?!

A e ndihmoi Referendumi udhëtimin e Maqedonisë drejt NATO-s dhe BE-së?!

Nga Vebi Bexheti

Rezultati jo i mjaftueshëm i referendumit, në jetën politike të Maqedonisë solli mosmarrëveshje të reja dhe huti brenda spektrit politik të vendit, sidomos mes koalicionit qeveritar, të udhëhequr nga LSDM dhe atij opozitar të VMRO-së. Cenzusi i lartë për realitetin demografik të Maqedonisë, për të cilin edhe optimistët më të mëdhenj nuk ishin të bindur se do përmbushet, ishte shkaktari kryesor i kontestimit të rezultateve nga ana e VMRO-së së Mickovskit dhe koalicionit të tij. Edhe pse Zaevi tentoi që mungesën e legjimitetit eventual ta kompenzojë me ate që të jetë konsultativ, e jo obligativ, si duket, nuk pati sukses që t’i bindë kundërshtarët politikë për këtë legjimitet, të bazuar vetëm në rezultatin pozitiv të atyre që dolën në këtë referendum. Për mospërmbushjen e kushtit të cenzusit nuk ishte optimist as edhe vet Zaevi, prandaj shtrohet pyetja pse ai me shumicën parlamentare nuk tentoi ta ulë këtë përqindje në më pak se pesëdhjetë, kur për këtë nismë kishte plot argumente, duke filluar nga dyshimi i numrit aq të madh të votuesve në listat zgjedhore nga numri i përgjithshëm i banorëve të Maqedonisë, te argumenti i numrit aq të madh të qytetarëve të këtij shteti që jetojne dhe punojnë nëpër botë, e deri te mospastrimi i listave zgjedhore.

Gjithsesi, edhe me këto kushte të disfavorshme për referendum real, rezultati ka mundur të jetë më i madh sikur partitë politike pro- referendumit, ditën e votimit të ishin angazhuar ashtu siç angazhoheshin në zgjedhjet parlamentare ose në ato vendore, kur ditën e zgjedhjeve përmes aktivistëve të vet, të organizuar nëpër shtabe, bënin ç’mos që dalja e votuesve të vet në vendvotime të jetë sa më i madh. Me gjithë angazhimin dhe ftesën që këto parti ua bënin anëtarëve dhe votuesve të vet, gjatë fushatës, të ndihmuar fuqishëm edhe nga personalitete shumë të njohur, përfaqësues të BE-së dhe SHBA-ve, nuk u arrit një numër më i madh i atyre që dolën të votojnë. Qëndrimi i VMRO-së, edhe pse i padefinuar tërësishtë, që kaloi në bojkot të heshtur, nuk mund të jetë arsye për koalicionin qeveritar për daljen jo të mjaftueshme, edhe jashta konsensusit, madje konstatimi i disa qarqeve të afërta me LSDM-ën se numri i shqiptarëve që dolën të votojnë ishte shumë i vogël, pët ta amnestuar trupin votues të partisë më të madhe në pushtet, është qëllimkeq dhe jokorrekt, kur dihet se numri i shqiptarëve në botën e jashtme, krahasuar me numrin e përgjithshëm të banorëve të shtetit është shumë më i madh.

Dalja jo aq e mjaftueshme e përkrahësve të orientimit properëndimor, erdhi edhe nga mossuksesi i bartësve të fushatës, që nuk arritën ta bindin trupin zgjedhor se këto votime dallojnë nga ato politike dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për interesa partiake, por para së gjithash për interesin dhe ardhmërinë e shtetit të përbashkët të të gjithëve. Fushata e disa krerëve politikë për dalje në referendum nuk dallonte fare nga ajo për zgjedhje parlamentare e lokale, ku duhej matur forcat partiake mes veti. Mungesa e argumentimit se me këtë rast bëhet fjalë për interesin e qytetarëve në pëgjithësi e jo të anëtarëve dhe të simpatizantëve partiakë, votuesit i la të grupuara në suaza të grupacioneve politike, gjë që dëshmohet edhe me disa etiketime brenda partive pro-evropjane, përfshirë edhe ato shqiptare, se gjoja njëra ose tjetra parti po e bojkoton referendumin. Një fushatë e këtillë, që nuk pati sukses në unitetin e trupit votues, pavarësisht dallimeve partiake, rezultoi me dalje të zbehtë, madje nga shumë votues të mundshëm, ky tip fushate, dhe disa liderë që i dhanë aq shumë zor, jo që s’i i bindi ato për të dalë në numër më të madh, por përkundrazi, i iritoi edhe ato më militantët e referendumit për mosdalje, që gjithsesi nuk arsyetohet.

Ky referendum që kaloi si kaloi, nuk e ndërpreu rrugëtimin e aktiviteteve dhe obligimeve që dolën nga Marrëveshja e Prespës. Edhe kreu i Qeverisë dhe tërë shumica parlamentare, përfshirë edhe Partinë më të madhe opozitare shqiptare, Aleancën Shqiptare të Selës, bashkë me BESËN e Kasamit, duke e njohur mirë qëndrimin e VMRO-së, ishin të vetëdishëm se ky proces do e ketë vështirë t’i kalojë pengesat për të ardhur deri në shumicën e tetëdhjetshit, që do e hapte rrugën për ndryshimet kushtetuese, si domosdoshmëri e rrumbullaksimit të suksesshëm të Marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Situata u bë më e paqartë për qarqet qeveritare, kur tërë kësaj dileme se do sigurohet apo jo numri i mjaftueshëm në Parlament, iu shtua edhe paralajmërimi i arsyeshëm i zotit Sela, se do propozojë edhe amandamente të reja për avansimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për ndryshimin e pikave të disa neneve të Marrëveshjes së Prespës lidhur me shtetësinë, ku shqiptarët në pasaportë do quhen maqedonas, në vend të ,,shtetas të Republikës së Maqedonisë veriore”. Angazhimi i Aleancës për shqiptarët, që ndryshimet kushtetuese, t’i shfrytëzojë edhe për korrigjimin e disa neneve të Kushtetutës aktuale dhe atyre që parashihen me këtë marrëveshje, e komplikoi edhe më tepër situatën në Parlament, edhe ashtu jo të qartë se çka do sjellin ditët e ardhshme.

Deklaratat e para do kohëve të liderëve politikë se nëse nuk sigurohet numri tetëdhjetë i deputetëve, do shkohet në zgjedhje, sikur u zbeh, meqë tani më mbisundon mendimi se zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, sikur u frikësohen të dy partitë më të mëdha maqedonase dhe BDI, prandaj këto ditë sikur i jepet më tepër rëndësi zgjidhjes me çdo kusht të krizës brenda Parlamentit. Krahas luftës së ashpër politike në arenën e shtëpisë ligjdhënëse, mes partive në pushtet dhe VMRO-së, sikur ekziston edhe dilema për ndonjë marrëveshje të fshehtë mes pushtetit dhe deputetëve të opozitës maqedonase, që do rezultonte me sigurimin e shumicës së nevojshme për ndryshimet kushtetuese , ku nuk përjashtohen edhe pazarllëqet me amnestinë e kriminelëve të 27 Prillit të vitit 2016. Idenë e faljes dhe pajtimit në emër të unitetit në këto momente kritike për shtetin, që këtyre ditëve në foltoren e Parlamentit e paralajmëroi vet Kryeministri Zaev, sikur e përkrahin edhe një pjesë e madhe e deputetëve të shumicës parlamentare maqedonase dhe e atyre të opozitës që ndodhen në proces gjykimi. Mickovski dhe partia e tij e kanë vështirë ta gëlltisin aq lehtë qëndrimin se nuk do pajtohen assesi me ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimin e emrit të shtetit, prandaj ai do vazhdojë të qëndrojë në pozicionet e veta, por pa i penguar disa deputetë në nevojë të partisë së tij, që me votën e tyre ta blejnë lirinë, mbase një qëndrim i këtillë i liderit të VMRO-së, nga Bashkësia ndërkombëtare mund të llogaritet si lëshim pe para presioneve të njëpasnjëshme të tyre dhe hapje rrugë për integrimet Maqedonisë në NATO dhe BE, dhe kështu ,,edhe ujku do jetë i ngirë edhe kopeja do jetë në numër”. Sidoqoftë, epilogu i tërë kësaj katrahure politike me plot të panjohura, do dihet brenda dy-tri ditëve të ardhëshme!

© ZHURNAL 18.10.2018, 15:48 | D.J. | 615 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."