VITI I MBRAPSHTË
opinion
VITI I MBRAPSHTË

VITI I MBRAPSHTË

Habitem tek arrij të vështroj më ftohtë e qartë sjelljen e politikës përfaqësuese shqiptare, e cila është marrë në mirëbesim se përfaqëson shqiptarët, gjatë këtyre viteve kaotike, të cilat po arrijnë kulmin me largimin masiv të popullit që po ndodh ditën me diell e pa diell, natën me hënë a errësirë fare, se njerëzit po ikin kur të mundin e si të mundin!

Dr. Arben TARAVARI

Telenovela e emrit vazhdon. Nuk di pse kjo situatë më asocion me romanin “Viti i Mbrapshtë” të shkrimtarit Ismail Kadare.

Ngjarjet në roman zhvillohen në vitin e largët 1914, kohë në të cilën princ Vidi, i caktuar nga Ndërkombëtarët si mbret i Shqipërisë, e cila në atë botë ishte rrëmujë, nuk dihej ku fillonte dhe ku mbaronte. Në këtë mot të veçantë për shqiptarët, në qiell shfaqet dhe një kometë e cila interpretohet si ndjellakeqe për fatin e popullit dramatik me një histori edhe më dramatike.

Romani i Kadaresë është një nga të preferuarit e mi, sarkazma me të cilën shkrimtari i shpallur Princ i Asturias, përdor për të analizuar kombin e tij dhe kombin tonë, shqiptarët pra, është nga më të mprehtat dhe absolutisht e ndershme. Mirëpo sado përkon me sagën e atyre viteve, gjithsesi mbetet një roman, pra fiksion, pjellë e fantazisë së mendjes së begatë të Ismail Kadaresë.

Ajo që më shqetëson mua, është se sot jetojmë 1 shekull e 4 vjet më vonë se ngjarjet teatraliste të kombëtarëve e ndërkombëtarëve të vitit të kometës që desh bëri “qametin” dhe situata është në kufijtë e një romani interesant.
Ai që më ngushëllon është fakti që nuk jemi i vetmi popull i çuditshëm në Ballkan, falë Zotit kemi sllavët që janë të çuditshëm e shpesh herë të çmendur madje, por mua më djeg më shumë populli im dhe kjo është një ndjenjë totalisht e përligjshme dhe e kuptueshme nga Amerika Kapitaliste e deri në Kinën Komuniste.

Habitem tek arrij të vështroj më ftohtë e qartë sjelljen e politikës përfaqësuese shqiptare, e cila është marrë në mirëbesim se përfaqëson shqiptarët, gjatë këtyre viteve kaotike, të cilat po arrijnë kulmin me largimin masiv të popullit që po ndodh ditën me diell e pa diell, natën me hënë a errësirë fare, se njerëzit po ikin kur të mundin e si të mundin!

Me probleme të mëdha, të pazgjidhura, të barazisë, të punësimit, të arsimit, të shëndetësisë e qindra probleme të tjera të shkaktuara nga ato të cituara më lart, politika përfaqësuese shqiptare çfarë ka bërë?!

Është pasuruar duke treguar se çfarë gabimesh ka tjetri. Janë zënë e janë grirë duke rrezikuar dhe vrasje liderësh e më pas janë puthur e përqafuar si dashnorë françez.

Kanë flirtuar me maqedonasit, me amerikanët, me shqiptarët e Shqipërisë e me ata të Kosovës, me Evropën merkeliste dhe me Evropën putiniste, me Gruevskin dhe me Zaevin, me Rusinë dhe me Kinën e largët, ndonjëherë dhe pa e kuptuar aspak madje, pasi diplomacia nuk është pika e tyre e fortë. Me pak fjalë shqiptarët të bërë sallatë nga politika dhe çuditërisht jo aq të kthjellët sa t’i kundërvihen, janë përfaqësuar deri tash nga një parti që ka thënë vetëm “Po” pavarsisht se cilin ka pasur përballë!

I vetmi rast ku duket se po i luan në këmbë është rasti i riemërtimit të Maqedonisë.

Sherri për këtë proces ka qenë kaq i madh aq sa dhe vet Ndërkombëtarët po hutohen nga anomalitë që shfaq populli ballkanik dhe në 2018-ën.

Pas ndryshimit të emrit qëndrojnë aq shumë hesape të brendshme politike sa nuk ka kokë diplomati që i shkoklavit.
Të vendosur në një pozitë të vështirë janë veçanërisht politikanët shqiptarë që na përfaqësojnë në pushtet. Ata kanë qënë dhe janë të lidhur fort me partinë nacionaliste dhe madje me krahun e saj me prirje shoviniste, si është ai gruevskist, por dhe me atë proevropian të Zaevit!

Për më tepër që disa nga funksionarët e partisë pozitiviste të BDI-së janë nën hetim për krime ekonomike të mëdha, situata është tepër e vështirë për t’u menaxhuar!

Partia shqiptare që thotë gjithnjë “Po” ka hapur telashe me stilin e saj hipokrit…tash ndodhet në pozitën
“Bir Selman i nënës,

kujt t’ia ndreq më parë,
njërin e kam bir
e tjetrin e kam djalë!”

Dilema të tilla nuk janë të lehta për t’u zgjidhur nga një parti që nuk di te zgjedhë tjetër përveç pushtetit…
Sherri i emrit është nga më të rëndët që ka trokitur në derën e tyre…

Aq e komplikuar është për ta sa do i duhej ndonjë diplomat kariere si z.Henri Kisinxher për t’iu dhënë zgjidhje!
Unë nga pozita ime modeste ju sugjeroj që të zgjidhni Po-në më besnike që nuk ju tradhëton, atë evropiane, bindni dhe shokët tuaj të partive tjera, se ju jeni aq afër sa jam i sigurtë që keni qëndrime të përbashkëta.

Bëni gajret burra, le të jemi njëherë normal në sy të Evropës dhe Amerikës, se nuk kanë aq kohë për t’u marrë me ne, sa do kishte fjala zëmë Serbia dhe Rusia… (koha.mk)

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)

© ZHURNAL 21.10.2018, 19:26 | B.M. | 209 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."