E drejta për të qenë i ngushëlluar
opinion
E drejta për të qenë i ngushëlluar

E drejta për të qenë i ngushëlluar

Referendumi nuk pati sukses, por Maqedonia, bashkë me ata që janë të interesuar për stabilitetin e saj, do të duhej seriozisht të ridefinojnë përpjekjet që do ta bënin atë më ndryshe se ç’është tani

Nga Emin AZEMI

Arsyet e dështimit të referendumit po del të jenë të shumta, dhe këtë e morëm vesh pasi i lexuam shumë veta, që kishin pritur të dështojë referendumi dhe pastaj të na tregojnë se pse dështoi referendumi. Të gjitha këto që tash po i thonë, nuk i thanë para referendumit. Nuk i dihet, po ti kishin thënë më parë, ndoshta referendumi do të kishte pasur sukses. Njerëzit, sidomos ata që e organizuan referendumin – partitë politike dhe institucionet, do të ishin vetëdijesuar nga kritikat dhe do të ishin ndërgjegjësuar deri në atë masë sa të mos i bënin gabimet që i bënë.
Referendumi dështoi edhe për mungesën e sensit kritik të atyre që u munduan të bëjnë analiza politike e gjeostrategjike. Përfaqësuesit e politikës ishin të kursyer nga kritikat para referendumit dhe tek tash po e shohin se ku paskan gabuar. Mirëpo tash është vonë. Kritika ose bëhet me kohë dhe me vend, ose nuk bëhet hiq. Tani, s’ka vend për kritika. Tani ka vend për esullim dhe për eliminim të të gjitha dobësive e defekteve që nxori në sipërfaqe referendumi. Duke filluar nga metodologjia e fushatës, e cila ishte më tepër politike se sa qytetare, e deri te censusi i fryrë dhe listat zgjedhore me votues fiktivë, duhet rishikuar edhe njëherë dhe vetëm atëherë mund të presim një qartësim të ndikimit të kritikës publike dhe drejtpeshimi të faktorëve politik (pushtet-opozitë) në ridizajnimin e jetës politike në vend.
Para referendumit patëm shkruar për të(pa)përbashkëtat e kundërshtarëve të referendumit dhe po del që kundërshtarët maqedonas paskan qenë më të motivuar për kauzën e status-quos. Ata po arsyetohen se ishin kundër ndryshimit të emrit të shtetit, por në fakt dëshmuan se janë më fanatik të patriotizmit partiak se sa atij shtetëror. Lidhja e tyre me partinë nuk i la të shohin përtej relievit të zhubravitur që ua krijoi lidershipi i mëhershëm, ndërkohë që pushteti nuk arriti të krijoi interaksionin e nevojshëm për një konsensus të brendshëm politik, që do të ishte i domosdoshëm në këtë situatë kur nevojitej një pjesëmarrje më e madhe në referendum.
Politikanët gjithmonë gjejnë ngushëllime kur dështojnë. Madje ata as fjalën “dështim” nuk e përmendin. Zakonisht parapëlqejnë të thonë “nuk ia dolëm”. Pati ndonjë prej tyre që u mundua sërish të na tregojë se shqiptarët sa të interesuar paskan qenë për NATO e BE. Një retorikë e ezauruar tash më, që shumë shpejt do të duhet zëvendësuar me një tjetër por që kërkon veprime konkrete, hapa konkret. Askush nuk duhet të na bind se një Maqedoni siç është tani do të jetë e ndryshme nga një Maqedoni tjetër, që nesër do të jetë në NATO e BE. Fundja për këtë diferencë votuan të dielën shqiptarët, mirëpo kjo është gjysma e rrugës. Ose kjo do të ishte rrugë e paplotë nëse Maqedonia nuk bëhet shtet i qytetarëve të barabartë, ku bizneset nuk kontrollohen nga akrabatë e kryeministrave, vend i qytetarëve dinjitoz ku institucionet janë garantues të vlerave e jo promovuse të halakabëve, vend i të ardhmes ku politika do të ndërpresë praktikën e përdorimit të kriminelëve shqiptarë në jetën tonë të përditshme.
Referendumi nuk pati sukses, por Maqedonia, bashkë me ata që janë të interesuar për stabilitetin e saj, do të duhej seriozisht të ridefinojnë përpjekjet që do ta bënin atë më ndryshe se ç’është tani.
Krejt në fund: E drejta për të qenë i ngushëlluar, por del të jetë më parimore se arsyet e dështimit të referendumit. (koha.mk)

© ZHURNAL 02.10.2018, 22:57 | B.M. | 639 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."