Kazamatet e mendjes
opinion
Kazamatet e mendjes

Kazamatet e mendjes

“Ne jemi mjaftueshëm religjioz për t’a urrejtur njëri tjetrin, por njëkohësisht jemi besimtarë shumë të dobët për t’a respektuar e për t’a dashur atë që është i ndryshëm nga ne”(Jonathan Swift).

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Para disa vitesh pata takuar babain e nje djali të ri për të cilin thoshin se ka dëshirë shumë të madhe të bëhet hoxhë. Babai i tijë insistonte gjithsesi që djali të regjistrohej në Medrese dhe kur e pyeta se për ëfarë arsye mendon se djali i tijë duhet të hyjë në ujërat teologjike dhe të bëhej hoxhë, më tha se i biri I ka inat “shkijet”. “Dhe ti mendon se nëse dikush i ka inat “shkijet” automatikisht i ka të hapura dyertë e hoxhallëkut, mendon se zemra dhe shpirti i hoxhës duhet të jetë e mbushur me urrejtje ndaj pjesëtarëve të një feje të shpallur, ndaj njerëzve për të cilët Kur’ani urdhëron të kemi konsideratë dhe ndaj të cilëve Muhamedi a.s. ka pasur qëndrim shumë korekt dhe shumë human…”, i thashë njeriut që të birin e shihte si hoxhë të ardhshëm. Sot, ai djalë është një student i dalluar, me zemër të pastruar dhe mendje të hapur. Dhe – nuk është hoxhë.

Këtë storie e përmenda duke dashur të koncentrohem te njëanshmëria, te bindjet dhe përcaktimet përjashtuese që mundë lehtësisht të identifikohe te shumë njërëz, muslimanë, të krishterë, hebrenjë, bindje këto që shpiejnë drejtë qëndrimit se bota doemos do të ballafaqohet me përplasjen e civilizimeve.Por, a duhet dhe a do të përplasen detyrimisht civilizimet?

Në këtë rrafsh, mendoj se “përplasja e civilizimeve” që u aktualizua qysh me librin e Hantingtonit, në fakt, e ka një obcion dhe zgjedhje tjetër, shumë më njerëzore dhe shumë më humane, e ka mundësinë e – dialogut mes kulturave. Dhe, ky dialog është i nevojshëm që të përafrojë civilizimin perëndimor me civilizimin islam, duke e eliminuar fillimisht atë formulimin e ëoroditur e fatkeq që rrezaton nga qarqe të caktuara intelektuale e sipas të cilit, nisma e dialogut mes Islamit dhe Perëndimit duhet të jetë –ridefinimi i Islamit. Sepse, nëse duhet të ridefinohet Islami, nëse atij i heqet diëka dhe diëka tjetër i shtohet, pse të mos ridëefinohet edhe krishterizmi? Cështja e ridefinimit të Islamit, kuptohet, anipse shumë aktuale, është një tezë e pakuptimtë, është një iluzion, dhe për më tepër, është një herezi që drejtëpërsëdrejti synon të zhveshë besimin islam dhe Kur’anin nga shenjtëria . Islami nuk është një ideologji, pra atë nuk e ka krijuar njeriu, Kur’ani nuk është një libër me ligje që i kanë shkruar njerëzit të cilëve tani ju paska kujtuar t’i ndryshojnë e ti’i modifikojnë ato, t’i përmirësojnë e t’i adaptojnë sipas nevojës.

Mendjet e ndrydhura nëpër kazamatet e njëanshmërisë ideologjike, mjerisht, nuk mundë të udhëheqin dialogun mes kulturave nga I cili mundë të dalin ngjajshmëri dhe interesa e interesime befasuese të cilat i tejkalojnë përkufizimet që janë etabluar në mendjen e njerëzve sikur ai djaloshi nga fillimi i këtij teksti.Dialogu mes kulturave, mes njerëzve të besimeve e të përkatësive të ndryshme etnike, nxjerr në pah segmente përafruese të cilat i tmerojnë idhtarët e konflikteve e përplasjeve. Një musliman dhe një i krishterë apo pjesëtar i nje besimi tjetër, mund të gjejnë njëri tjetrin e të krijojnë marëdhënie korekte dhe tolerante t’a zëmë si intelektualë, si shkencëtarë, si partner biznesi, si sportistë e artistë, si tregtarë, si politikanë e diplomatë, e pse jo edhe si teologë.Këtë gjë, pra këtë përafrim dhe gjetje të njëri tjetrit, mundë t’a bëjnë pa marrë parasysh se i takojnë dy civilizimeve të ndryshme, dy feve të ndryshme, dy kulturave të ndryshme.

Dhe, kur i konstatojmë faktet e lartëtheksuara duke u përpjekur problemin e përplasjes mes civilizimeve, mes kulturave, mes feve e kombeve, t’a transferojmë nga globalja në një hapësirë më të ngushtë, t’a zëmë në Maqedoni, cfarë do konstatojmë?

Do konstatojmë se, duke qenë një shoqëri e tensionuar artificialisht nga turlifarë bashibozuku të veshur me robe politikani që mbijeton vetëm duke injoruar e ofenduar përkatësinë, kulturën e besimimin e tjetrit dhe duke luajtur në tehun e marrëdhënieve ndërfetare e ndëretnike , padiktueshëm këtu kanë zënë fill kolektivite që vetëm besojnë se besojnë. Njëkohësisht, duke kultivuar një lloj besimi që në fakt nuk është besim sepse bazohet në mohim dhe përjashtim të tjetrit, ato kolektivitetet e grupacione kanë arritur të etno-ideologjizojnë pikëpamjet e tyre fetare, të gërshetojnë besimin falco me idetë e shthurura nacionaliste e shoveniste. Por, një fe e etno-ideologjizuar është diëka që nuk mundë të quhet fe, ajo, do kisha thënë, është -mosbesim. Dhe,kështu, nga njerëz që nuk e ndjejnë e nuk e njohin as fenë që thotë se askush dhe asgjë nuk mundë të jetë më i rëndësishëm dhe më i madh se Zoti,që nuk e njohin as historinë dhe vlerat e njëmendëta të popullit që i takojnë, është krijuar një miks i përëudshëm shoqëror i cili, sië po shihet kohëve të fundit, kursesi nuk po mundë të kyçet në ndryshimet që po ndodhin.

Për fat, në Maqedoni ka besimtarë dhe përfaqësues të denjë të besimit dhe kulturës të cilës i takojnë, besimtarë të bindur se ka vetëm një Zot, jo dy, jo disa, jo asnjë. Këtu ka njerëz të cilët besojnë se feja dhe besimi mundë të jetësohen në përditshmëri, në jetën praktike, ka njerëz që besojnë se shoqëritë multietnike dhe multikonfesionale janë begati e dhuruar nga Zoti të cilën vetëm duhet kultivuar me pakëz më tepër dashuri.

Pra, ideologjitë e ushqyera me copëza të shkëputura nga cilado fe dhe kulturë duke iu shmangur tërësisë dhe porosive univerzale që ato i përhapin, mundë të prodhojnë vetëm jotolerancë.Andaj,për të rikuperuar raportet ndërfetare e nderetnike këtu në Maqedoni, është më shumë se i nevojshëm zëri dhe mendimi kritik që do krijonte një hapësirë racionale në të cilën nuk do kishte vend për qëndrimin përjashtues, për njëanshmërinë, për fanatizmin e cilitdo lloj.

Sidoqoftë, një propagandë e bashibozukët politik që përpiqet t’a ideologjizojë fenë, ka mundësinë të manipulojë ndjenjat dhe qëndrimet e njeriut të rëndomtë duke e zhytur atë në ujërat e ndasive dhe të urrejtjes . Pastaj, njeriu i rëndomtë, në mungesë të ndonjë arsyetimi racional, urrejtjen e vetë përpiqet t’a legalizojë duke u thirur në emër të fesë. Dhe, gjithnjë kështu, qarku vicioz zgjërohet duke i gllabëruar njerëzit në kazamatet e mendjes.

Përfundimisht, në shoqërinë në të cilën ne po jetojmë e që mundë të karakterizohet si një shoqëri e cila e ka tradhëtuar edhe vetë jetën, edhe njeriun, bile edhe Zotin, dialogu mes kulturave të njerëzve që i takojnë feve të ndryshme, është ai që gjërat mundë t’i kthejë në vendin e duhur. Dhe, sot është koha për të filluar atë dialog sepse nesër është vonë, hezitimi për të njohur njëri tjetrin shpie domosdo te përplasja e civilizimeve.

 

© ZHURNAL 28.10.2018, 18:22 | T.E. | 1,155 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."