Marrëveshja e Prespës: Sukses për Greqinë dhe fitore për Maqedoninë
opinion
Marrëveshja e Prespës: Sukses për Greqinë dhe fitore për Maqedoninë

Marrëveshja e Prespës: Sukses për Greqinë dhe fitore për Maqedoninë

Shkruan: Denko Maleski

Me Marrëveshjen e Prespës fituan edhe Maqedonia edhe Greqia. E pra, kush e humbi atëherë? Humbi ultra-nacionalizmi grek dhe ai maqedonas. Por, te kompromiset mes dy shteteve, të dy palët janë të kënaqura në mënyrë të barabartë apo jo? Tani e di se, megjithatë, në rastin tonë, nuk është ashtu. Të pakënaqur janë të dy ultra-nacionalizmat, kundrejt kënaqësisë së njerëzve liberalë se është zgjidhur një problem për ekzistencën e të cilit janë më pak fajtorë. Në fakt, nëse pyeten njerëzit liberalë nga të dyja anët e kufirit, problemi nuk do të ekzistohej. Maqedonasit e tillë, në këtë anë të kufirit, pra, asnjëherë nuk kanë pasur problem të kuptojnë se gjuha dhe identiteti ynë bazik janë sllavë, ndërsa grekët me pamje liberale nuk kanë pasur problem ta pranojnë emrin e vendit tonë të plotësuar me një përmbajtje të tillë.

Ultra-nacionalizmi nga të dy anët e kufirit, duke refuzuar të pranojnë këtë pikëpamje, ndjek frikën historike të njerëzve, dhe pastaj, duke përdorur propagandën, përhap urrejtje mes dy popujve tanë. Nacionalizmi ekstrem, patriotizmi ekstrem, si doni, kudo në botë, është ai që krijon ksenofobinë, urrejtjen, intolerancën, dhe shkakton dhunë… Të gjitha këto gjëra na ndodhin neve, maqedonasve dhe grekëve. Shikuar në një periudhë më të gjatë, ilaçi për këtë lloj të nacionalizmit malinj, të mbushur me frikë dhe urrejtje, është edukimi më i mirë i popullsisë, sidomos i gjeneratave të reja, i cili do të mbështetet mbi të vërtetën objektive historike. Para asaj, para së vërtetës, bien mitet nacionaliste dhe frika e mbledhur në mendjet e njerëzve.

Në fakt, nëse për një moment lëmë anësh historinë e largët, Maqedonia është provinca e fundit etnikisht e përzier evropiane e Perandorisë Osmane në të cilën kryqëzohen fatet e më shumë popujve. Ajo ka qenë e ndarë gjatë dy Luftërave Ballkanike, pak para se të fillonte Lufta e Parë Botërore. Kur, pas përfundimit të saj janë shkatërruar Perandoria Austro-Hungareze, Turke dhe Ruse, Presidenti amerikan Woodrow Wilson në Konferencën e Paqes të vitit 1919 në Paris ka mbërritur me parimin e ri në marrëdhëniet ndërkombëtare të quajtur “vetëvendosja kombëtare”. Politikanët evropianë kanë ngritur vetullat: Edhe një marrëzi tjetër e një politikani amerikan, i cili nuk e kupton politikën reale të Evropës. Përshkrimet e Walter Lippmann-it se si janë vizatuar kufijtë e shteteve të shumta të reja, si  Jugosllavia, Çekosllovakia, Hungaria dhe Austria, për shembull, janë komike.

Ai rrëfen se si në një moment kishte ndodhur një turmë të madhe rreth tryezës mbi të cilën ishin përkulur përfaqësuesit e fuqive të mëdha, kështu që kanë vendosur ta vinin hartën e Evropës në qilim. Por, sepse duke qëndruar rreth saj, nuk kanë mundur të shohin asgjë, janë ulur në gjunjë dhe kanë filluar të zvarriten dhe të shtyhen për të treguar se cili kufi ku duhet të jetë. Në një moment, shkruan Lippman, po ndiej se si koka e Ministrit të punëve të jashtme të Italisë shtyhet në prapanicën time duke u përpjekur t’i afrohet hartës. Dhe duhet të dihet. Këta nuk kanë qenë njerëz mizorë të cilët janë kënaqur duke luajtur me fatin e popujve të vegjël: thjesht, fuqitë e mëdha kanë fuqinë për të rregulluar dhe për të ruajtur kornizën globale të sistemit të shteteve, dhe, deshëm apo jo, ata e bëjnë atë. Në të kundërtën, do të kishim një kaos të përhershëm dhe luftëra të pandërprera. Duke ndjekur interesat e vetë, sipas të cilave udhëhiqen edhe shtetet e vogla, fuqitë e mëdha e kanë bërë atë ndonjëherë më mirë, e ndonjëherë më keq. Pra, narrativit tonë të njohur ballkanik për fuqitë e këqija të mëdha, të cilat gjithmonë na copëtojnë dhe na ndajnë, duhet t’i kundërshtohet një pamje objektive e sistemit anarkik ndërkombëtar të shteteve, në të cilin mungon pushteti qendror. Prandaj, të gjithë i kanë drejtuar sytë tek ata, ndërsa në fillimin e viteve të nëntëdhjeta destinacioni ynë kryesor u bënë Uashingtoni dhe shtetet e fuqishme evropiane. Kështu, në një kontekst të ri historik të një Evrope të bashkuar, me mbështetjen e tyre kemi realizuar politikën tonë të vetëvendosjes paqësore dhe, në mes të zjarreve të luftërave etnike jugosllave, ne fituam pavarësinë në mënyrë paqësore. Sot, njëzet e pesë vjet më vonë, përsëri me mbështetjen e tyre, përmes zbatimit të Marrëveshjes së Prespës, ne bëhemi aleatë. Për Greqinë, ky është një sukses i madh. Për Maqedoninë, megjithatë, kjo është një fitore.

*Shkrimi është shkruar eksluzivisht për Inbox7.

© ZHURNAL 29.10.2018, 10:33 | Xh.I. | 357 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."