Secili t’i kthehet profesionit të vet, berberi briskut të rrojës…
opinion
Secili t’i kthehet profesionit të vet, berberi briskut të rrojës…

Secili t’i kthehet profesionit të vet, berberi briskut të rrojës…

Shkëlzen Halimi

(Shkrime të botuara vite më parë)

Shoqërisë shqiptare ka kohë që i mungon ndjenja e përgjegjësisë. Kjo mungesë çon drejt zbehjes së vlerave morale, kurse pa këto të fundit nuk mund të fitojmë asnjë betejë. A është kjo pikërisht ajo që na bën të ndjehemi shpesh si humbës, apo as këtë nuk mund ta perceptojmë për shkak të ngurtësisë së brendshme shpirtërore. Kjo ngurtësi prodhon vetëm egoizëm, ftohje në raport me të tjerët, injorantë, individë pa parime e kështu me radhë. Një konglomerat i këtillë shoqërinë shqiptare e bën shoqëri pa gjak. Krimbi i këtyre dukurive tashmë është duke e brejtur arsimin, kulturën, mbase edhe politikën. Injoranca më e dukshme vërehet në sistemin e arsimit, ndonëse këtë askush nuk dëshiron ta vërejë, edhe përkundër faktit se këtë në çdo kohë e dëshmon realiteti.

Michel Eyquem de Montaigne ka arritur deri te një konstatim brilant: kemi dy lloje injorantësh, ka thënë ai – “njëri e ka rrjedhjen nga analfabetizmi dhe tjetri nga njerëzit me doktoraturë”.

Çarjet në arsim janë evidente në çdo nivel, kurse kjo kalon nëpër një heshtje të çuditshme. Dhe askush nuk shqetësohet për këtë verigë të rëndësishme për të pasur një shoqëri të shëndoshë, të aftë dhe kreativë. Ndaj gjithnjë e më shumë gjeneratat e reja janë gjenerata të hutuar, pa vizion dhe ideal. Shtërzimet politike, ekonomike dhe sociale imponojnë nevojën e kërkimit të alternativave të reja. Një pjesë e konsiderueshme e rinisë kanë vetëm një objektiv: sigurimin e një të nesërme më të mirë diku në ndonjë shtet perëndimor. Kurse ata që nuk arrijnë ta realizojnë ëndrrën perëndimore, bëhen pjesë e një paradoksi: angazhohen në politikë. Kjo ka bërë që të kemi një ambient dukshëm të politizuar, një ambient të kontaminuar, ku të gjithë, pa përjashtim, i madh e i vogël, politikën e kanë bërë profesion të përditshëm. Të vet-pëlqyerit që janë aq shumë, vazhdimisht tentojnë të imponojnë të vërtetat e tyre, përmes të cilave insistojnë që të mbeten në sipërfaqe, gjithnjë duke u fshehur prapa vlerave familjar, morale, intelektuale, kombëtare dhe mbi të gjitha prapa vlerave politike. Krahas politikës së hapur, që është e çiltër, parimore, e urtë, largpamëse, e drejtë e paqësore, ne njohim edhe politikë grabitqare, politikë të grushtit të hekurt, politikë të kulaçit e kërbaçit, politikë të kërcënimit e shtrëngimit. Shqiptarët i kanë provuar të gjitha këto politika.

Është koha që të krijojmë kushte që të fillojë profilizimi i të gjithëve sipas afiniteteve dhe aftësive që posedon secili prej nesh. Kuptohet, nevoja për politikanë është e domosdoshme, por jo për të atillë që brenda natës konvertohen nga, bie fjala, mësuesi në politikan. Përkundrazi, politikanët duhet të jenë individë të shkolluar, të përgatitur, që i kanë lexuar ato vepra, pa të cilat politika është pa përmbajtje. Patjetër do të duhet ta kenë lexuar edhe “Poetikën” e famshme të Aristotelit, pikëpamjet politike dhe sociale të të cilit themelohen në tezën se njeriu për nga natyra është qenie shoqërore dhe politike. Përcaktimi i kritereve do të bënte që të kemi një profilizim të qartë dhe gjërat pastaj do të kishin një rrjedhë normale, duke e liruar politikën nga ata që e kanë bërë si pronë të veten. Në këtë mënyrë, secili do t’i kthehej profesionit të vet: berberi gërshërëve dhe briskut të rrojës, mësuesi abetares, hoxha xhamisë, bujku tokës dhe bagëtisë, zejtari zejes, tregtari tregtisë, taksisti veturës, shitësi tezgës, studenti studimeve, daullexhiu daulles e kështu me radhë. Filtrimi i të gjithë atyre që janë futur në vorbullën e politikës do të ishte një proces i shëndetshëm për shoqërinë tonë. Çdo profesion është i shenjtë dhe duhet t’i besojmë, ashtu siç e bëjmë të bukur atë që e duam. Ky parim do të duhet të na përcjellë në të ardhmen tonë, bashkë me mesazhet për unitet rreth çështjeve që janë imediate. Është e rëndësishme që politikën ta vëmë në funksion të avancimit cilësor të të drejtave tona dhe jo të bëjmë politikë për t’i treguar njëri tjetrit se kush ka nofulla më të forta. Kuptohet, duke e kthyer edhe ndjenjën e përgjegjësisë.

(6 prill, 2013)

© ZHURNAL 30.10.2018, 15:54 | D.J. | 331 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."