A po e përdor Rusia të Drejtën e Vetos në Këshillin e Sigurimit për pengimin e anëtarësimit të Maqedonisë në UE dhe NATO
opinion
A po e përdor Rusia të Drejtën e Vetos në Këshillin e Sigurimit për pengimin e anëtarësimit të Maqedonisë në UE dhe NATO

A po e përdor Rusia të Drejtën e Vetos në Këshillin e Sigurimit për pengimin e anëtarësimit të Maqedonisë në UE dhe NATO

Nga Prof.Florion Metohu

Është folur shumë këto ditë për zgjidhjen, pas 27 vjetësh, të çështjes së emrit të Maqedonisë. Pas marrëveshjes ndërmjet kryeministrit grek dhe homologut maqedonas, u dukë se, me dështimin e referendumit popullor për ta aprovuar këtë marrëveshje, pres-pektiva euro-atlantike e Maqedonisë do vazhdonte të ngelej peng e qarqeve nacionaliste në të dy vendet. Por me një blic të qeverisë maqedonase dhe të partnerëve perëndimor, u arrit të gjendej shumica e cilësuar në parlament për të nisur procesin kushtetues te ndryshimit të emrit.

Ka një humbëse të madhe në të gjithë këtë poçes dhe ajo është Rusia. Me zgjidhjen e çështjes së emrit, Maqedonisë i hapet rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kjo është goditja e dytë qe Rusia merr në një kohë të shkurtër, pas ftesës që Mali i Zi mori për tu bërë pjesë e NATO-s. Këto dy ngjarje, shumë të rëndësishme për stabilitetin rajonal, e vendosën përfundimisht Maqedoninë dhe Malin e Zi në orbitën e aleancës euro-atlantike.

Rusia ka një histori shekullore ndërhyrjesh dhe influencash në Ballkan, kjo dhe prej lidhjeve etno-kulturore me popujt sllav të gadishullit. Ka qenë gjithmonë një nga rajonet që ka marrë më shumë vëmendje të politikës së jashtme ruse, kjo dhe për pozicionin strategjik të gadishullit. Por  ngjarjet e fundit rrezikojnë ta zvogëlojnë, në minimumin historik, influencën ruse në rajon. Praktikisht, zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë dhe hapja e rrugës së integrimit, e lë Rusinë me një aleat, Serbinë.

Kjo shpjegon dhe raportimet e shumta, përpara mbajtjes së referendumit në Maqedoni, të një fushate diz-informimi por edhe pagesash të shumta nga ana e agjentëve rusë, OJF pro ruse, me qëllimin e dështimit të referendumit. Vota e parlamentit maqedonas është e para e disa votimeve te nevojshme, në muajt në vazhdim, për ti dhënë formën ligjore përfundimtare zgjidhjes së çështjes së emrit dhe fillimit të procesit të integrimit euro-atlantik, që mbaheshin pezull nga Greqia dhe që sigurisht që Rusia do vazhdojë të investohet ne dështimin e këtij procesi.

Pas përfundimit të luftës së ftohtë, marrëdhëniet ndërkombëtare u karakterizuan, për rreth çerek shekulli, nga një lloj idealizmi, ku sistemi liberal-demokratik triumfoi. Ajo që po ndodh së fundmi është një rikthim i fuqisë e asaj që ka qenë dhe normaliteti ndër shekuj, real politikës. Rikthimi i garës ndërmjet fuqive të mëdha për influencë politike, diplomatike dhe ekonomike.

Ballkani është një nga rajonet ku kjo garë për influencë, ndërmjet perëndimit dhe Rusisë, është më e dukshme dhe Maqedonia është fushëbeteja më e fundit. Moska zyrtare nuk nguron të përdori çdo mjet në dispozicion dhe me çdo kusht për të arritur qëllimet e saj. Duke nisur që nga statusi i përhershëm në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuar, ajo do të përdorë privilegjet që i garanton ky pozicion, sidomos e drejta e vetos, për të vazhduar ndikimin dhe përpjekjet për pengimin e anëtarësimit të Maqedonisë dhe rrjedhimisht zvogëlimit të ndikimit të saj në Ballkan.

Shqipëria duhet të qëndrojë vigjilente mbi çfarë po ndodh dhe sidomos që kur aksionet ndër hyrëse ruse po ndikojnë në vendet fqinje të saj. Roli I Tiranës zyrtarë është jetik për sa i përket influencës që ajo ka ndaj faktorit shqiptar në Maqedoni. Ndikimi i saj është I nevojshëm, sidomos në ruajtjen e kohezionit të forcave politike shqiptare në mbështetje të votimeve të ardhshme në parlament. Votime të cilat do ti japin fund kalvarit 27 vjeçar të emrit të Maqedonisë dhe do ti hapin dyert e integrimit euro-atlantik.

Rasti i Malit të Zi më parë dhe zgjidhja e çështjes së emrit të Maqedonisë tregojnë se, me gjithë arsenalin e propagandës ruse, së fundmi kemi një kundërpërgjigje të vendeve të rajonit të cilat nuk dëshirojnë që influenca ruse të futet brenda kufijve të tyre dhe të vendosin vetë për drejtimin e politikave të tyre.  Ky drejtim është më se i qartë tani dhe se duhet të vazhdojë rruga e  integrimit  i të gjithë  vendeve të Rajonit të Ballkanit  në Bashkimin Evropian dhe NATO.

© ZHURNAL 30.10.2018, 18:02 | T.E. | 405 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."