Repriza 2002-2006
opinion
Repriza 2002-2006

Repriza 2002-2006

Robert Nesimi

Javën e kaluar Maqedonia bëri edhe një hap gjigant në rrugën e saj drejt BE dhe NATo. 80 deputetë votuan fillimin e procesit për ndryshime kushtetuese që janë të nevojshme për implementimin e plotë të marrëveshjes me Greqinë, e këto vota supozohet se do të jenë “pro” edhe gjatë votimit të ndryshimeve në fund të procesit. Kjo gjithsesi është një fitore e rëndësishme për forcat pro-evropiane në vend, por siç duket plot e kanë marrur edhe si fitore të madhe të SDSM-së ndaj VMRO-së. Unë nuk pajtohem. Në të vërtetë mendoj se situata politike në vend i ngjan më shumë një përsëritjeje të mandatit të mëparshëm të SDSM-së në qeveri, nga viti 2002 deri 2006. Për të parë pse është ashtu na nevojitet një rishikim i asaj periudhe, përpara se të tërheqim paralele me gjendjen e sotme.

Në vitin 2002 SDSM erdhi në pushtet pas qeverisjes katërvjeçare të VMRO-së. Kjo qeverisje ishte përplot skandale, posaçërisht për shkak të papërgjegjësisë, keqpërdorimit të parave publike dhe pasurimit të shpejtë, si dhe manipulimeve zgjedhore në zgjedhet presidenciale 1999 dhe atyre lokale 2000. Mandati i saj kulminoi me krizë të plotë dhe kryengritjen shqiptare të vitit 2001. Kjo përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, ndërsa një vit më pas SDSM lehtë fitoi në zgjedhjet parlamentare. E detyruar nga numrat kjo parti formoi qeveri me BDI-në, e cila doli fituese absolute në kampin shqiptar. Atëbotë kjo konsiderohej hap kontraverz sepse BDI llogaritej si parti radikale, e cila sapo ishte transformuar në parti politike. Vetë SDSM më parë kishte deklaruar se nuk do të hyjë në koalicion të tillë.

Shumëkush priste se Maqedonia me qeverinë e re do të kthejë faqe të re në historinë e saj dhe përfundimisht do të bëhet shtet normal. Para së gjithash pritej që të vendoset sistem i mirëfilltë i sundimit të së drejtës, se pushteti do të jetë i përgjegjshëm, do të kishte përgjegjësi për krimet e bëra, ndërsa paratë e vjedhura do të kthehen në arkën e shtetit. Thuajse asgjë prej kësaj nuk u bë. I gjithë tranzicioni i pushtetit siç duket u bë me marrëveshje të heshtur për amnesti, të bërë nga dy partitë e mëdha.

Kah mesi i mandatit të saj qeveria u përball me referendum. Shkak për të ishte ndarja e re territoriale, të cilën VMRO në mënyrë të pandershme e ngjyrosi me terme nacionaliste duke thënë se ajo paraqet fitore për separatizmin shqiptar, i cili i kanoset seriozisht integritetit territorial të vendit. Por testi i referendumit kaloi me sukses dhe ndarja e re hyri në fuqi. Atëherë pretendohej se kjo ishte humbje e rëndë për VMRO-në. Në ndërkohë partia u nda nga brenda, ndërsa lideri i mëparshëm karizmatik Georgievski formoi parti të re. Pjesa më e madhe e deputetëve ju bashkangjitën atij dhe u bënë të padëgjueshëm ndaj partisë së tyre. Në këtë situatë të rëndë thuhej se parti shpejt mund të shkatërrohet dhe nuk ka gjasa të kthehet në pushtet për një kohë të gjatë.

Megjithatë doli se referendumi kishte qenë pikë kthese mes SDSM-së dhe VMRO-së. Larg nga të qenit humbje për VMRO-në, në të vërtetë ishte qeveria që u ndesh me rrënie të madhe të rejtingut. Disa muaj para zgjedhjeve vendi morri statusin kandidat për BE, por as kjo nuk i ndihmoi SDSM-së në zgjedhje. VMRO korri fitore të pastër. Pra duke u nisur nga një pikë e pashpresë në vitin 2002, ajo arriti të bëjë kthesë të madhe dhe të kthehet përsëri në pushtet, këtë herë për 10 vitet e ardhshme.

Ngjashëm si në vitin 2002 SDSM morri qeverisjen e një vendi thuajse të shkatërruar nga qeverisja e mëparshme e VMRO-së. Ajo përsëri, dhe këtë herë në shkallë shumë më të madhe, kishte keqpërdorur mjetet publike dhe manipuluar disa procese zgjedhore. Në fund përsëri u përball me krizë të madhe, me të ashtuquajturat bomba dhe protesta masive. Kështu SDSM prapë erdhi në pushtet me pritje të ngjashme si në vitin 2002, kryesisht për sundim të së drejtës dhe përgjegjësisë së pushtetit. Dhe përsëri numrat diktuan koalicion me BDI-në, e kjo përsëri ishte hap kontraverz, tani jo pse BDI konsiderohej si radikale, por pse kishte qenë partner i barabartë i gjithë ekceseve të regjimit.

Ndryshe nga ç‘pritej, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar gjatë dy viteve të mëparshme të SDSM në pushtet. Është e qartë se qeveria akoma ka ndikim të madh në çdo sferë të jetës, se përgjegjësia dhe transparenca e saj janë vetëm fasadë, ndërsa vazhdon të funksionojë në mënyrën e vjetër, shpesh me fytyrat e njëjta nga e kaluara. Është e vërtetë se janë procesuar disa lëndë korrupsioni në nivel të lartë, por kjo është shumë pak. Në përgjithësi fitohet përshtypje se po kalojmë procesin e njëjtë të amnestisë së heshtur, me marrëveshje të të dy palëve gjatë transferit të pushtetit.

Paralelja më e madhe me qeverisjen e mëparshme të SDSM gjithsesi është referendumi dhe marrëveshja për emrin. VMRO përsëri u bë udhëheqëse e një kauze të rrejshme kundër marrëveshjes, të cilën e paraqet si kërcëcnim për vetë ekzistencën e shtetit dhe identitetit maqedonas, ashtu siç bënte dhe me organizimin territorial. Poashtu duket se ajo përsëri ballafaqohet me ndarje të brendshme në disa vija, më e rëndësishme ajo mes deputetëve dhe kryesisë së partisë.

Për këto shkaqe gjasat e saj për të sfiduar partinë në pushtet llogariten të dobëta, njësoj siç bëhej para një dekade e gjysmë. Por nëse ndjekim ngjarjet e periudhës 2002-2006, ky mund të jetë gabim i madh. Atëherë doli se ndarjet e brendshme nuk i shkaktuan partisë ndonjë dëm të madh. Ajo përdori referendumin e atëhershëm për të kalëruar mbi një valë nacionalizmi, të kombinuar me sulme të përditshme për çdo gabim sado të vogël të qeverisë së SDSM. Dhe s’ka asnjë arsye të mendohet se nuk do të bëjë kështu edhe kësaj rradhe. Larg nga disfata, marrëveshja për emrin do t’i shërbejë si thirrje për mobilizim të bazës së saj, e cila eventualisht do të lë në hije krimet e saj gjatë kohës kur qe në pushtet. Prandaj pres që ajo të vazhdojë kampanjën me retorikë patriotike, ndërsa në ndërkohë të sulmojë qeverinë çdo herë kur t’i jepet rasti.

Është gabim të shpresohet edhe te BE dhe NATO integrimet si baraspeshë për rejtingun e VMRO-së. Kjo parti në mënyrë konstante do të thotë se këto arritje janë të vogla për çmimin që duhej të paguajë vendi, njëlloj siç kritikonte statusin kandidat në vitin 2005, sepse nuk ishte marrë datë për të filluar bisedimet. Ashtu siç statusi kandidat nuk i ndihmoi SDSM-në zgjedhje atëherë, nuk ka arsye të mendohet se do t’i ndihmojnë tash.

Mandati i tanishëm i SDSM hë për hë duket si përsëritje e mandatit të mëparshëm 2002-2006. Nëse vazhdon me këtë dinamikë, VMRO nuk është kushedi sa e lëkundur dhe mund të kthehet në pushtet shumë më herët se që presin ekspertët.

© ZHURNAL 31.10.2018, 15:47 | Xh.I. | 466 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."