Ku janë « Gjeneralët » e « Ushtrisë » së dëshpëruar?!
opinion
Ku janë « Gjeneralët » e « Ushtrisë » së dëshpëruar?!

Ku janë « Gjeneralët » e « Ushtrisë » së dëshpëruar?!

nga Lirim Begzati

Në një qytet të mrekullueshëm të vlerave të shumëfishta të trojeve tona, siç është Prizreni, sot pamë shumë njerëz, një imazh të një popullate në kërkim të një shprese!

Jo, nuk ishte një tubim politik, e aq më pakë një tubim me ambicione argëtimi!

Pjesëmarrësit e « tubimit madhështor », përfshirë kryesisht rininë, por edhe shumë të tjerë, ishin mbledhur aty për me dëgjuar me kureshtje një ofertë të tregut gjerman të punës, pasi që tyre nuk iu dha aq shumë rasti dhe mundësia të dëgjojnë ofertat tona të brendshme të punës!

Shprehja e “entuziazmit” të tillë është krejtësisht e kuptueshme, gati se për të gjithë ne ; skamja, varfëria, politikat e dështuara, humbja e perspektivës për punë në vendin e vetë, një emërues ky i përbashkët i një problemi aq të përfolur e të njohur! 

Vendi vazhdon ritmin e « boshatisjes », të eksodit! Çka na përkujton kjo? Kurrgjë tjetër, përveç se një përvojë të hidhur, me siguri ! Kjo na përkujton edhe shumë shembuj të së kaluarës, të tashmes pra, por duket edhe të ardhmes fatkeqësisht. Një traditë e pashuar !

Nuk ka nevojë këtu që t’i gjurmojmë të gjitha arsyet që sqarojnë këtë fenomen, por as formulat për gjetjen e zgjidhjeve magjike !

Nëse e kemi pak më lehtë me i kuptuar njerëzit tanë të cilët tregohen të detyruar me lëshuar vendin e tyre, kjo nuk domethënë se të njëjtat lehtësi i kemi për me i kuptuar indiferencat që tregohen nga disa protagonistë tanë politikë apo aktorë që mbajnë përgjegjësi reagimi dhe veprimi ndaj këtij fenomeni.

Do të dukej interesant pra me e ditur dhe me e kuptuar më mirë se çfarë qasje tregon « udhëheqësia jonë e plogësht» ndaj këtij problemi ? Kush janë reagimet e tyre, si duket aksioni politik (në qoftë se ai ekziston!) përballë kësaj çështje ?

Çka është e mundshme dhe çka jo ? Pyetje legjitime këto, pasi që në moment kurrgjë konkrete nuk vërehet në punën e tyre, përveçse  ngritjes së zërit për njëfarë intensifikimi të politikave për “liberalizim të vizave”!

« Rentabiliteti i zbehtë » politik i veprimit për problemet e eksodit, nuk do të duhej të mbizotërojë në kuadër të reflektimeve për synimin e gjetjes së ndonjë zgjidhje, qoftë ajo simbolike për zbutjen e problemit të largimeve masive.

Nuk është koha që të tregohet vetëm kureshtja në cilësinë e një « spektatori » ndaj një çështje që mund të ketë pasoja të shumëfishta negative dhe afatgjate. Kërkohet pra një përgjegjësi serioze, për një çështje që i prek horizontet e ndryshme të shoqërive tona.

© ZHURNAL 01.11.2018, 08:08 | B.M. | 1,641 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."