Kaçifas, një kamikaz i Megaloidesë
opinion
Kaçifas, një kamikaz i Megaloidesë

Kaçifas, një kamikaz i Megaloidesë

Edhe atëherë kur në ndonjë burg grek ndodhë të masakrohet ndonjë i burgosur shqiptar, “Greqia ka gjithmonë të drejtë”. Edhe atëherë kur në tokën shqiptare hidhet fara helene, “Greqia ka gjithmonë të drejtë” në pretendimet e saja ekspansioniste. Kur një palë është e vetëmjaftueshme në idetë e saja të marra, nuk ke si e kursen nga ndëshkimi legjitim, sidomos kur ajo ide cenon lirinë dhe dinjitetin e tjetrit

Nga Emin AZEMI

Një fantazmë greke sërish u rishfaq këtyre ditëve mbi avllitë shqiptare. 35-vjeçari Kostandinos Kaçifas, ishte trajnuar një kohë të gjatë në kampet ekspansioniste helene dhe mjafton që të shikosh faqen e tij të ‘Facebook’ ku vihen re prirjet e tij ekstremiste. Ai nuk kishte qenë vetëm, sepse siç u tha, shoqërohej nga një skuadër që kishte planifikuar largimin drejtë Greqisë pas ngjarjes në Bularat. Por ai nuk arriti të kthehet në sheshin Omonia për të festuar atë që ai e kishte projektuar si tokë helene në kokën e tij të mbushur me mitologji boshe.

Mediat shqiptare kanë raportuar se Kostandinos Kaçifas ishte pjesë e lëvizjes pro Vorio-Epirit.
Në momentin që ai është përballur me policinë, është kthyer në banesë dhe më pas është veshur me uniformë ushtarake. Po ashtu ai ka marrë edhe fishekë. Atij i janë gjetur edhe armatime në çantë, mbi 100 fishekë, dy karikatorë të zbrazura.
Kaçifas ishte një kamikaz i Megaloidesë dhe atë e kishin stërvitur të hidhej pa parashutë në vendin e paramenduar si kungullishte, atje ku sajesa amatore e ekstremizmit helen ra në grackën që e kishte ngritur vet. Përveç që ishte një armëmbajtës pa leje, Kostandinos Kaçifas, ditën kritike po e provonte edhe gjuajtjen në distancë dhe krejt ky teatër tragjik, sipas mediave greke dhe politikanëve të Athinës, paska qenë një manovër, mbarëvajtjen e së cilës ka qenë dashur ta siguroj me çdo kusht RENEA shqiptare.

S’e kemi idenë se ku kanë mundur këto media t’i edukojnë profesionalisht gazetarët e tyre për të mbuluar rrethana të jashtëzakonshme, siç ishte edhe ngjarja e rëndë që ndodhi në Bularat të Gjirokastrës, por i këshillojmë të bëjnë një eksperiment, për t’u bindur se si do të mund të përgjigjej, bie fjala policia zvicerane, nëse mbi malet e Graubyndenit lëshohet ndonjë kamikaz i armatosur nga Austria.

Pse po deshka RENEA shqiptare të luajë rolin e manekinëve para një ekstremisti të armatosur , aq më tepër kur ai tash më njihet si një eksponent problematik i idesë barbare për aneksimin e të ashtuquajturit Vorio Epiri. Lëvizjet e dyshimta të Kostandinos Kaçifas disa ditë më parë, e që doli se ai nuk është i vetëm, për banorët e zonës kanë mundur të jenë krejt normale, por është tepër shqetësues fakti se si këto lëvizje nuk kanë mundur të hetohen nga shërbimet sekrete shqiptare.
Në Shqipëri gjenden eshtrat e rreth 15 mijë grekëve të rënë në luftën italo-greke, të cilët më në fund kanë dy varreza simbolike në Bularat dhe Këlcyrë. Bujaria e tepruar e shtetit shqiptar për të mbjellur këtë gjeografi varresh në territorin e vet, po shndërrohet në mekanizëm që po fut në sherr historinë me aktualitetin, ku “Greqia ka gjithmonë të drejtë”.
Edhe atëherë kur në mes të Athinës dhunohet barbarisht një emigrant shqiptar, “Greqia ka gjithmonë të drejtë”.

Edhe atëherë kur në ndonjë burg grek ndodhë të masakrohet ndonjë i burgosur shqiptar, “Greqia ka gjithmonë të drejtë”. Edhe atëherë kur në tokën shqiptare hidhet fara helene, “Greqia ka gjithmonë të drejtë” në pretendimet e saja ekspansioniste.
Kur një palë është e vetëmjaftueshme në idetë e saja të marra, nuk ke si e kursen nga ndëshkimi legjitim, sidomos kur ajo ide cenon lirinë dhe dinjitetin e tjetrit./Gazeta Koha/

© ZHURNAL 02.11.2018, 09:57 | D.J. | 648 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."