Frika nga "Ballkanizmi"
opinion
Frika nga "Ballkanizmi"

Frika nga "Ballkanizmi"

Shkruan: Denko Maleski

Pjesëmarrësit e shqetësuar në debatin e CNN-it përsëritën disa herë se nuk duhet të lejohet “ballkanizimi i shoqërisë amerikane”. Ata donin të thoshin se ndarjet, pas zgjedhjes së Donald Trumpit për president të Amerikës, janë aq të përhapura dhe aq të thella, ndërsa mungesa e unitetit është aq e theksuar saqë vendi i ngjan Ballkanit. Po, në terminologjinë botërore, “ballkanizimi” nënkupton pjesë të vogla, armiqësore të një tërësie, qoftë ajo një rajon apo një shoqëri, të cilat nuk janë në gjendje të ndërtojnë një unitet. Nocionin “ballkanizimi” e dëgjova për herë të parë si nxënës i shkollës së mesme në Addis Abeba, Etiopi. Këtu, domethënë, në vitin 1963, u vendos selia e një organizate të re të shteteve, Organizata e Unitetit Afrikan, ndërsa në konferencën e themelimit të saj, liderët e Afrikës u betuan se nuk do të lejojnë “ballkanizimin” e kontinentit të tyre dhe vendeve të tyre.

E dija pak se, dekada më vonë, do ta përjetoj ballkanizimin e shoqërisë jugosllave, në formën e saj më të keqe: luftëra të përgjakshme etnike në të cilat jetën e humbën mbi 200.000 njerëz dhe u shkatërrua jetesa e miliona njerëzve të tjerë. Domethënë, në vend që të ruajnë ndonjë unitet dhe të punojnë për një rregullim të ri të marrëdhënieve në federatën në drejtim të krijimit të një asociacioni të shteteve sovrane, liderët nacionalistë nxitën luftën, duke shkaktuar një ballkanizim të ashpër. Më vonë, vendet e Evropës Perëndimore, duke u përpjekur për ta fshirë fjalën “Ballkan” dhe për të na dhënë një shans për një fillim të ri, ato filluan ta përdorin nocionin Evropë Juglindore. Por, le të mos mashtrojmë veten: rrugën prej “Ballkanit” deri në “Evropën Juglindore” duhet ta ecim duke ndryshuar realitetin tonë, sepse etiketa e re, edhe pse mund t’i mbulojë, nuk mund t’i largojë veset tona ballkanike për grindje.

Prandaj, vlen t’u kushtojmë vëmendje tendencave që çojnë drejt ballkanizimit të shoqërisë së Maqedonisë. Ne jemi një shoqëri multietnike që përmban elementin më të rrezikshëm të ballkanizimit, konflikti etnik. Përvoja nga shpërbërja e Jugosllavisë, por edhe nga viti 2001 në Maqedoni, mund të na sjellë dobi për ta shmangur atë. Por, ne jemi nxënës të dobët. Assesi të kuptojmë se barazia e individëve dhe grupeve etnike është me rëndësi vitale për shtetin tonë të përbashkët. Kuptohet se përralla nuk ndalet këtu. Se në bazë të asaj barazie duhet të ndërtohet një unitet i cili është kompleks dhe se duhet shumë mund për të arritur atë. Në një tekst të tij të shkruar në vitin 1935, mendimtari dhe gazetari amerikan liberal Walter Lippmann (ja, po e përmend edhe në këtë tekst njeriun i cili me tekstet e tija ka lënë gjurma të përhershme mbi mendjen time të shkollës së mesme), ka shkruar: “Uniteti amerikane është plural dhe mund të ruhet vetëm si një ekuilibër permanent ndërmjet grupeve, religjioneve, interesave, rajoneve. Uniteti amerikan assesi nuk mund të jetë absolut, rigid, i thjeshtë dhe gjithmonë duhet të jetë një balancë e interesave të shumta të cilat përpiqemi t’i arrijmë me maturi dhe tolerancë”. Zëvendësoni fjalën “amerikan” me atë “maqedonas” dhe shtoni nocionin “grupe etnike” dhe thelbi është i njëjtë. “Nëse dëshirojmë të sigurojmë një jetë më të mirë për pasardhësit tanë, ne duhet të bashkohemi rreth një nacionalizmi të ri”, thotë Lippmann në tekstin e përmendur. Kështu edhe ne sot në Maqedoni: së pari duhet të bashkohemi rreth nacionalizmit të ri, i cili na detyron ta pranojmë dhe ta duam Maqedoninë ashtu siç është, multietnike, e jo siç ëndërron nacionalizmi ta shohë atë – etnikisht e pastër. Për këtë gjë duhet të punohet vazhdimisht dhe “me maturi dhe tolerancë”. Në jetën e përditshme, megjithatë, duhet të na bashkojnë parimet e shtetit ligjor demokratik, i cili do ta meritojë lojalitetin e të gjitha pjesëve të tija. Njëkohësisht, duhet të jemi të kujdesshëm se ne, për dallim nga Amerika, nuk kemi „melting pot“ (tenxhere për shkrirje) që krijon amerikanë nga grupe të ndryshme etnike, kështu që rruga e Maqedonisë drejt unitetit është barazia. Domethënë, barazia është rruga që shqiptari etnik të bëhet një “maqedonas politik”.

Shumica e maqedonasve kanë frikë se Ligji për Gjuhët, si një shprehje e barazisë së tillë, do ta shkatërrojë, do të ballkanizojë Maqedoninë. Kuptohet, ashtu siç mund ta përdorim thikën për ta prerë bukën ose për ta vrarë dikë, edhe parimi i barazisë mund të përdoret për ta përforcuar unitetin e vendit tonë apo për ta “ballkanizuar” atë. Forcat e matura politike në të dy anët e ndarjes etnike, me sjelljen e tyre, duhet ta largojnë atë frikë. Si? Duke shtrirë dorën njëri – tjetrit mbi hendekun etnik dhe duke kundërshtuar ultra-nacionalistët e tyre./Inbox7/

© ZHURNAL 05.11.2018, 14:03 | D.J. | 948 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."