Amerikanët në votime për Kongresin
bota
Amerikanët në votime për Kongresin

Amerikanët në votime për Kongresin

Një elektorat amerikan i ndarë prerazi po voton sot për të zgjedhur Kongresin e ri dhe për të dhënë gjykimin e tyre për punën e Presidentit Donald Trump. Rezultati mund të ndryshojë balancën e pushtetit në Uashington dhe dy vitet e ardhshme të presidencës Trump.

Të martën, amerikanët zgjedhin të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve (435 ligjvënës), 35 nga 100 anëtarët e Senatit, si dhe 36 nga 50 guvernatorët e shteteve amerikane.

Anketimet dhe analistët sugjerojnë se demokratët në opozitë kanë avantazhin në betejën për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Për të rimarrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratët duhet të fitojnë në këto zgjedhje 23 ligjvënës të tjerë.

Republikanët po mbështeten tek Presidenti Donald Trump për të mobilizuar mbështetësit e tij dhe për të ruajtur kështu shumicën e ngushtë në Senat prej 51 nga 49 senatorët. Nga 35 vendet në Senat për të cilat votohet sot, 26 janë aktualisht të mbajtura nga senatorë demokratë dhe 9 nga senatorë republikanë.

Fokusi tek emigracioni

Demokratët po përpiqen të ruajnë 10 vende senatorësh në shtetet ku Presidenti Trump triumfoi në vitin 2016, ndër to edhe shteti Tennessee.

Gjatë një tubimi rishtazi në Chattanooga, Presidenti Trump kritikoi demokratët për çështjen e emigracionit.

“Demokratët duan të ftojnë karvan pas karvani të huajsh të paligjshëm që të vërshojnë në vendin tonë. Nuk jam dakort”, deklaroi Presidenti Trump, duke risjellë imazhet e karvanit të emigrantëve nga Amerika Qendrore që po kalojnë përmes Meksikës. “Asnjë komb nuk mund të lejojë mësymjen e kufijve të tij. Ky është pushtim. Nuk më intereson se ç’thonë. Nuk më intereson se ç’thuhet nga mediat e rreme. Ky është një pushtim i vendit tonë”.

Demokratët kanë mobilizuar në fushatë personalitete të profilit të lartë, ndër ta edhe ish-Presidentin Barack Obama, i cili mobilizoi votuesit në shtetin e tij Illinois. Ai u tha mbështetësve se dërgimi i ushtarakëve amerikanë në kufi, në përgjigje të karvanit, ishte një “manovër politike”.

© ZHURNAL 06.11.2018, 19:37 | T.E. | 402 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."