Kandidatët myslimanë amerikanë në zgjedhjet e së martës
bota
Kandidatët myslimanë amerikanë në zgjedhjet e së martës

Kandidatët myslimanë amerikanë në zgjedhjet e së martës

Duke përballuar erën dhe shiun, dhe duke pritur në radhën e gjatë më shumë se zakonisht, votuesi nga Detroiti David White, doli për ta hedhur votën për kandidaten Rashida Tlaib, jo thjesht se ajo po bënte histori por sepse ai donte një ndryshim.

"Rashida Tlaib përfaqëson gjithçka që hedh poshtë paragjykimet," i tha ai Zërit të Amerikës jashtë stacionit të zjarrfikësve të Detroitit që dje, ditën e zgjedhjeve, shërbente si qendër votimi.

"Ajo nuk i bën thirrje vetëm komunitetit musliman, por një brezi të gjerë individësh, dhe qëlloi që është muslimane, prandaj mendoj se është e rëndësishme për komunitetin musliman, por është e rëndësishme për komunitetet e tjera .. për çdo komunitet... ta shohë Rashidën si një shërbyese publike si një shembull që raca nuk përcakton se kush jeni ", thotë David White

Raca gjithashtu nuk përcaktoi ish refugjaten somalezë dhe kandidaten e Kongresit të Minesotës, demokraten Ilhan Omar në një koalicion të ndryshëm votuesish që e ndihmuan atë të siguronte fitoren ndaj sfiduesit republikan në distriktin e Minneapolisit.

"Unë qëndroj këtu para jush sonte si përfaqësuese e zgjedhur, me shumë të tjerë pas emrit tim", tha ajo për një grup mbështetësish në partinë e saj duke shpallur fitoren. "Gruaja e parë me ngjyrë për të përfaqësuar shtetin tonë në Kongres, gruaja që do të mbajë një ‘hixhab’ për të përfaqësuar shtetin tonë në Kongres, ish-refugjaten e parë të zgjedhur ndonjëherë në Kongres dhe një nga gratë e para myslimane e zgjedhur në Kongres."

Duke korrur një fitore të qëndrueshme për kandidatet demokrate në zgjedhjet për në Kongres, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar tani janë të vendosura të bëjnë historinë kur të shkojnë në Uashington si përfaqësueset e para muslimanë amerikanë kur Dhoma e Përfaqësuesve të mblidhet në janar. Pritshmëritë janë të larta për të dyja gratë, përderisa kërkojnë të ndikojnë në politikat e SHBA-së për çështje që shkojnë nga reforma e emigracionit, në politikë të jashtme në një kohë kur besimi i tyre është nën goditje në rritje.

Ndërsa të dyja u zgjodhën në rrethe që mund të konsideroheshin liberale dhe progresive - duke favorizuar shumë partinë e tyre politike - votuesit si Allyson Brooks, të cilët e hodhën votën në të njëjtën vendnvotim në Detroit si Rashida Tlaibi, thotë se ky moment historik pritej prej shumë kohësh.

"Është e çuditëshme që është 2018 dhe kjo mund të jetë hera e parë që po ndodh. Ne kemi nevojë për më shumë muslimanë në Kongres, në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve."

"Të jesh arab dhe të jesh musliman do të jetë gjithmonë pjesë e asaj se kush jam"
, tha Rashida Tlaib për Zërin e Amerikës dhe shtoi se “ashtu si profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, ai kishte të bënte me drejtësinë, kështu edhe mendimi im është i përfshirë në drejtësi".

Rashida Tlaib, e cila gjithashtu bëhet amerikane e parë palestineze në Kongres, premton të jetë një kritike e hapur e presidentit Donald Trump dhe politikat e administratës së tij nuk do të ndryshojnë ndërsa ajo bën kalimin nga kandidate në anëtare të Kongresit.

"Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Nuk është vetëm me mua. Njerëzit më thonë gjithmonë, kemi dashur ndryshe dhe për këtë kemi votuar për ju. Kemi nevojë për dikë që do të hyjë dhe të luftojë ".

Votuesi David White, është i bindur se Rashida është e përgatitur për këtë, edhe nëse ai vetë nuk është i tillë.

"Stili im personal nuk është stil i Rashidas ... duke u ngritur në mes të një fjalimi dhe duke thirrur poshtë", - shpjegoi ai, duke iu referuar takimit të Rashida Tlaibit në gusht 2016 në paraqitjen e atëhershme të kandidatit të Donald Trump para klubit ekonomik të Detroitit.

Gjatë fjalimit të zotit Trump, Rashida Tlaibi foli nga turma dhe rojet e sigurisë e hoqën me forcë nga salla. "Ne kemi nevojë për diçka të tillë," këmbëngul David White, " kemi nevojë për një lloj qëndrese të fortë edhe pse nuk e identifikojdomosdoshmërisht veten me atë stil".

Një stil që do të vihet në provë në janar, kur Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar të fillojnë detyrën në Kongres si ligjvënëse në Dhomën e Përfaqësuesve ku partia e tyre do të kontrollojë shumicën e vendeve.

© ZHURNAL 07.11.2018, 18:17 | T.E. | 1,197 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."