Thaçi në Bruksel: Arritja e marrëveshjes është e vështirë, por do të diskutojmë
kosova
Thaçi në Bruksel: Arritja e marrëveshjes është e vështirë, por do të diskutojmë

Thaçi në Bruksel: Arritja e marrëveshjes është e vështirë, por do të diskutojmë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se arritja e një marrëveshjeje me Serbinë do të jetë shumë e vështirë. Por, sipas tij, do të bëhen përpjekje që në fund procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do tu hapë perspektivën të dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Këto komente, Thaçi i bëri në Bruksel, në prag të takimit të radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Thaçi tha se po qëndron në Bruksel që të diskutojë mundësinë e arritjes së një marrëveshje me Serbinë. Sipas tij, arritja e marrëveshjes nuk është e lehtë, por do të bëhen përpjekje maksimale që të përafrohen qëndrimet për të arritur deri te një marrëveshje dy-palëshe me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

“Synimi i Kosovës është që të ndërtojë fqinjësi marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, në këtë drejtim edhe me Serbinë në mënyrë që të ecim përpara drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe të hapim perspektiven globale për shtetin e Kosovës”

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini ka ftuar në Bruksel presidentin e Kosovës, Hashim thaçi dhe atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për të vazhduar me procesin e dialogut, i cili si synim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Pritet që Mogherini fillimisht të zhvillojë takime të ndara me Thaçin dhe Vuçiqin dhe më pas të realizojë edhe një takim të përbashkët.

Para këtij takimi, presidenti i Kosovës është kritikuar nga opozita për përfaqësimin e Kosovës në këtë dialog. Sipas opozitës, Thaçi nuk e ka mandatin e Kuvendit që të udhëheqë me procesin e negociatave me Serbinë. Po ashtu, edhe ideja e prezantuar e Thaçit për, siç e quan ai, “korrigjim të kufirit”, nga opozita është cilësuar vetëm si kamuflim i idesë për shkëmbim të territoreve, çka është kundërshtuar ashpër.

Institucionet e Kosovës, pushtet e opozitë, nuk kanë arritur të hartojnë një platformë për dialogun me Beogradin.

Dialogu në Bruksel, është paralajmëruar se po hyn në fazën finale e cila parashihet të prodhojënjë marrëveshje të obligueshme ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë.

© ZHURNAL 08.11.2018, 18:04 | T.E. | 633 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."