Shtetformësia, synim final
opinion
Shtetformësia, synim final

Shtetformësia, synim final

Dobësimi i VMRO-së do të shpijë në prishjen e mëtejme të balancave politike dhe për pasojë, ky disbalanc forcash mund të ketë efekte negative për të ardhmen e shqiptarëve, nëse ata nuk e shfrytëzojnë këtë momentum, duke u angazhuar për status shtetformues. Nëse kjo s’arrihet tash, nesër është tepër vonë

Nga Emin AZEMI

Shqiptarët (politikisht) nuk u mënjanuan nga bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit, mirëpo ata u mënjanuan si faktor bashkëshoqërues i shtetësisë së Maqedonisë në ndryshimet e ardhshme kushtetuese. Marrëveshja e Prespës, duhet kuptuar si zgjidhje e kontestit identitar në mes të grekëve dhe maqedonasve, mirëpo kushtetuta e re e Maqedonisë do të konsiderohet e pambyllur tërësisht nëse në të nuk inkorporohen edhe shqiptarët si shtetformues.
Rregullimi i brendshëm i Maqedonisë, që nënkupton edhe rajonalizimin e saj dhe krijimin e parakushteve për një zhvillim të barabartë ekonomik e social të të gjitha rajoneve (qarqeve) dhe një decentralizim të mirëfilltë fiskal, nuk do të duhej të jetë pengesë për negociatat e këtij shteti me partnerët ndërkombëtar për ta integruar vendin në NATO dhe BE. Në këtë rregullim gjithsesi duhet të përfshihet edhe faktori shqiptar, si garantues i deritanishëm thelbësor i shtyllave që e bëjnë një shtet rezistues ndaj lëkundjeve të brendshme dhe të jashtme.

Logjikisht dhe praktikisht Maqedonia asnjëherë nuk do të mund të bëhet anëtare e NATO-s dhe BE-së nëse nuk do ta kishte faktorin shqiptar që i siguroi stabilitet politik kundrejt tendencave të brendshme përçarëse (VMRO) dhe atyre të jashtme mohuese (Greqia). Maqedonia s’ka gjasa të ketë kurrfarë perspektive nëse në procesin e ardhshëm eurointegrues nuk i inkorporon edhe shqiptarët si faktor shtetformues. Prirjet politikaneske për t’i shty edhe më tutje këto tema, me alibinë që të mos pengohen proceset euro-atlantike, janë shkurtpamëse dhe tepër të dëmshme në planin afatgjatë.

Pse shqiptarët po dashka të jenë “gardian” të përhershëm dhe të vetëm të ruajtjes së ekuilibrave gjeopolitikë në Maqedoni dhe në rajon? Fundja çfarë ekuilibrash po prishkan nëse ata kërkojnë me ngulm të jenë element konstituiv – shtetformus në kushtetutën e re të shtetit. Çfarë procesi qenka më sublim se sa beteja politike për të fituar status shtetformues.

Orientimi properendimor i shqiptarëve prodhon në vetvete stabilitet për Maqedoninë dhe bashkë me këtë edhe parakushte për finalizimin e proceseve euro-atlantike. Por klasa politike, si ajo maqedone, ashtu edhe shqiptare, por edhe diplomatët e huaj, sikur po e neglizhojnë këtë fakt, duke abuzuar skajshëmisht me këtë orientim të shqiptarëve. Temat nuk mund të mbyllen, as të kamuflohen, sepse procesi i ndërgjegjësimit dhe vetëdijësimit të popujve gjithmonë është treguar më sfidues dhe më imponues se çfarëdo lloj politike konuikturale. Lënia hapur e disa temave në vitet nëntëdhjetë solli 2001-shin në Maqedoni dhe askush nuk do të donte të reprizohej ky vit në ndonjë variant tjetër në të ardhmen e afërt apo të largët.

Mospajtimet e brendshme maqedonase kanë filluar të marrin njëfarë epilogu në favor të LSDM-së, mirëpo kjo nuk është kurrfarë garance për marrëdhënie konstruktive me shqiptarët në të ardhmen. Dobësimi i VMRO-së do të shpijë në prishjen e mëtejme të balancave politike dhe për pasojë, ky disbalanc forcash mund të ketë efekte negative për të ardhmen e shqiptarëve, nëse ata nuk e shfrytëzojnë këtë momentum, duke u angazhuar për status shtetformues. Nëse kjo s’arrihet tash, nesër është tepër vonë. (Marrë nga Gazeta Koha - Maqedoni)

© ZHURNAL 09.11.2018, 13:56 | D.J. | 665 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."