Infermierët kërkojnë mbrojtje dhe siguri gjatë punës
maqedonia
Infermierët kërkojnë mbrojtje dhe siguri gjatë punës

Infermierët kërkojnë mbrojtje dhe siguri gjatë punës

Shkup, 9 nëntor - Oda e punonjësve shëndetësor kërkon nga institucionet e vendit formimin e një strategjie për mbrojtjen e sigurisë së infermierëve dhe të punësuarve të tjerë në sistemin shëndetësor. Incidenti i djeshëm ku u sulmua një infermiere derisa ishte në orar të punës, paraqet sulm ndaj të gjithë motrave medicinale, thonë ata, duke shtuar se ata po kryejnë orarin e punës pa asnjëfarë sigurie dhe me frikë se në çdo moment mund të sulmohen nga familjarë të pacientëve apo persona të tjerë.

"Patjetër të aktivizohen institucionet dhe të sillet një strategji e cila do të jetë e pranueshme në mënyrë afatgjate, me qëllim që të jemi të mbrojtur. Ashtu siç ne kujdesemi për sigurinë e pacientëve po ashtu dhe shoqëria dhe familjet duhet të kujdesen për sigurinë tonë. Duhet të ketë strategji, të ketë grupe pune të cilët do të punojnë për sigurinë e të gjithë punonjësve shëndetësor posaçërisht në ata reparte ku janë rastet më kritike dhe në të cilat kurohen rastet më të rënda të pacientëve",  deklaroi Violeta Kotevska, Oda e punonjësve shëndetësor me shkollim të mesëm profesional.

Infermieret shprehen të revoltuara me kushtet në të cilat punojnë. Pagat e ulëta si dhe mos ekzistimi i një ligji i cili do t’i precizonte kompetencat dhe përgjegjësitë e tyre mbeten problemet më pikante të këtij profesioni.

Pas sulmit të djeshëm ndaj infermieres nga familjari i personit që paraprakisht kishte ndërruar jetë në klinikën për kujdes intensiv, ministri i Shëndetësisë Venko Filipce deklaroi se në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme po planifikojnë rritjen e masave të sigurisë në Klinikat ku trajtohen pacientët me gjendje më të rëndë.

© ZHURNAL 09.11.2018, 15:06 | D.J. | 711 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."