Austria akuzon ish-kolonelin për spiunazh te rusët
bota
Austria akuzon ish-kolonelin për spiunazh te rusët

Austria akuzon ish-kolonelin për spiunazh te rusët

Një oficer i lartë i ushtrisë austriake besohet të ketë spiunuar për Moskën gjatë të paktën dy dekadave, ka bërë të ditur të premten Vjena zyrtare, duke iu bashkuar listës së vendeve që zbulojnë raste të spiunimit rus. Austria ishte njëra prej pak vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk kishte dëbuar ndonjë diplomat rus shkaku i helmimit të ish-spiunit, Sergei Skripal dhe të bijës së tij, Victoria, në Britani, për të cilën gjë Londra akuzoi drejtpërsëdrejti Moskën. Rusia, nga ana e vet, i hodhi poshtë të gjitha akuzat për përfshirje në këtë rast, transmeton Koha.net.

Kancelari konservator, Sebastian Kurz, i cili qeverisë në koalicion me të djathtën ekstreme dhe Partinë e Lirisë që ka qëndrime pro-Moskë, ka thënë të premten se vendimi është në përputhjet me politikat e neutralitetit të Austrisë dhe me traditën e ruajtjes së marrëdhënieve të mira me shtetet në të dyja anët e Perdës së dikurshme të Hekurt. Ama Kurzi i ashpërsoi tonet të premten, duke njoftuar se besohet që një kolonel i pensionuar kohë më parë kishte spiunuar për Moskën që prej viteve 90 deri më tani.

“Nëse dyshimet konfirmohen, rastet e tilla... nuk i përmirësojnë marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe Bashkimit Evropian”, ka thënë ai para gazetarëve, duke mos e identifikuar të dyshuarin. Rasti i është referuar prokurorisë dhe ish-koloneli tanimë është marrë në pyetje.

Ministrja e Jashtme austriake, Karin Kneissl, e cila vallëzoi me presidentin rus, Vladimir Putin, në dasmën e saj gjatë gushtit, e anuloi të premten udhëtimin e planifikuar në Moskë shkaku i këtij rasti. Ajo për më tepër e thirri në konsultime ushtruesin e detyrës së ambasadorit rus, meqë ambasadori ndodhet jashtë vendit. “Aktualisht jemi në kërkim të informatave transparente nga pala ruse”, tha Kurz. Në Moskë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se pretendimet e Vjenës përbëjnë “një befasi të pakëndshme” dhe shtoi se Moska nuk është në dijeni të rastit të oficerit të pensionuar. Në kundërpërgjigje ndaj veprimit të Vjenës, Moska e thirri në konsultime ambasadorin austriak në vend.

© ZHURNAL 09.11.2018, 15:06 | Xh.I. | 516 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."