Veliaj: Rikthehet linja e trenit në Tiranë, me tren hibrid
shqiperia
Veliaj: Rikthehet linja e trenit në Tiranë, me tren hibrid

Veliaj: Rikthehet linja e trenit në Tiranë, me tren hibrid

Tiranë, 9 nëntor - Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë 9 për Buxhetin 2019, kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social, Ogerta Manastirliu u shprehën të entuziazmuar për të gjitha ndryshimet e ndodhura, sidomos ato infrastrukturore, të cilat do të vijojnë me të njëjtin ritëm edhe vitin tjetër.

Veliaj tha se investimet në këtë njësi kanë nisur nga qendra e deri në periferi, aty ku Bregu i Lumit ka ndryshuar plotësisht pamjen e sot është një realitet krejt tjetër.

“Fakti që kemi kaluar tre stinë vjeshte dhe dimri pa përmbytje, do të thotë se problematika me lumin e Tiranës është si ‘përrallë nga e kaluara’”, tha ai. Sipas tij, është drejt përfundimit edhe një nga investimet më të rëndësishme për qytetin, projekti i Bulevardit të Ri. “Bulevardi i Ri ka pësuar ndoshta transformimin më të madh në këto 3 vite; jemi thuajse afër fundit, na ka ngelur vetëm sheshi fundor, ku jemi duke punuar aktualisht”, tha Veliaj. Edhe pse nuk ka përfunduar ende, shumë prej institucioneve dhe kompanive ndërkombëtare kanë shprehur interes që të zhvendosen aty, për t’i dhënë një zhvillim të ri kryeqytetit.

Lajmi i mirë jo vetëm për Njësinë 9, por për gjithë kryeqytetin, është edhe vendimi i qeverisë shqiptare për rivendosjen e linjës së trenit, pikërisht në ish stacionin e vjetër.

“Lajmi i mirë që na erdhi nga Edi dhe Damiani është se do t’i rikthehemi trenit të Tiranës, aty ku ka qenë stacioni i trenit. Risia është se do të kemi një tren elektrik në Tiranë. Kemi zgjedhur një tren hibrid, i cili do të punojë me karburant pasi lë Tiranën, por sa hyn në Tiranë, do të punojë me energji elektrike”, shpjegoi Veliaj.

Një tjetër lajm fantastik për njësinë është projekti për transformimin e Bulevardit “Zogu I”, në një zonë të dedikuar për turistët.

“Ambicia jonë është që Bulevardi “Zogu I”, nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi “Skënderbej” të transformohet në një rrugë shopingu, siç kemi bërë me pjesën e Pazarit të Ri; për këtë do të rregullojmë të gjitha fasadat, do ta zgjerojmë akoma më shumë trotuarin, do të kemi 4 sheshe dhe 4 ‘piaceta’. Do të jetë një nga rrugët më të bukura në Tiranë, pa dalluar shumë nga Bulevardi i Ri”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës.

Njësia 9 është një nga zonat që do të përfitojë edhe nga projekti për ndërtimin e rrethrrotullimit “Shqiponja”, duke përmirësuar ndjeshëm qarkullimin e makinave. Puna pritet që të fillojë edhe për rehabilitimin e një prej blloqeve më të njohur në kryeqytet, që kufizohet nga rrugët “Mine Peza”, “Fortuzi”, “Zogu I”, “Haxhi Hysendalliu”, “Asim Vokshi”. Veliaj shtoi se këto investime dhe projekte transformuese nuk do të ishin bërë nëse qytetarët nuk do t’i jepnin besimin Partisë Socialiste. Ndaj, ai kërkoi që kjo mbështetje të vijojë, si e vetmja mënyrë që investimet të mos ndalen.

Duke folur për shëndetin, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të minimizojnë përdorimin e automjeteve dhe përdorimin e mjeteve alternative, të cilat shkaktojnë më pak ndotje e për pasojë përmirësojnë cilësinë e jetës në qytet. “Pjesa më e madhe e problematikës po na vjen nga makinat. Sipas OBSH-së, fëmijët janë më të predispozuar të thithin të gjitha grimcat që dalin nga marmita e makinës. Ndaj, i jam shumë mirënjohës Edi Ramës, Ogertës, qeverisë sonë, shumicës socialiste, që votoi për herë të parë ligjin që ndalon vjetërsirat që vijnë nga Europa, me mbi 10 vjet përdorim. Për të marrë një makinë jemi gati që t’i fusim fëmijëve helm në mushkëri, por kjo nuk shkon”, deklaroi Veliaj, ndërsa bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të japë shembullin e para, duke futur autobusët elektrikë në transportin publik.

Në fjalën e tij, Veliaj u ndal edhe në përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve të edukimit dhe arsimimit, ku Njësia 9 do të jetë përfituese e projektit për ndërtimin e shkollave të reja. Në këto tre vite ka pasur edhe një pasurim të jetës artistike dhe kulturore në kryeqytet, ç’ka ka bërë që Tirana të jetë një kandidate serioze që në vitin 2024 të jetë Kryeqyteti Europian i Kulturës.

Pjesë e planit për ruajtjen e kulturës është dhe projekti për kthimin në shtëpi muze të banesave të dy prej korifejve të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit.

“Shtëpinë e shkrimtarit të madh Ismail Kadare tashmë e kemi shpronësuar, pra e ka marrë bashkia për ta kthyer në një muze. Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë edhe me familjen e Dritëroit, për t’u siguruar që ajo pjesë e Njësisë 9 përfiton edhe nga një zonë muzeale. Ne duam që ta rikonstruktojmë atë pallat dhe ta kthejmë në një vend të aksesueshëm sepse besoj që edhe njësisë i ka hije që një ndërtesë ikonë, ndërtesa e famshme e Maks Velos për të cilën ai u fut edhe në burg, sot ritransformohet nga bashkia dhe kthehet në një zonë muzeale”, përfundoi Veliaj.

© ZHURNAL 09.11.2018, 16:05 | Xh.I. | 376 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."