Ashikët e sofrave… të letrave shqipe
opinion
Ashikët e sofrave… të letrave shqipe

Ashikët e sofrave… të letrave shqipe

Nëse do të gërmonim në bibliotekën e botës do të gjenim libra pa fund, autorë pa fund, histori pafund, personazhe pafund… që e lidhin kuzhinën me letërsinë a me letrarët.

Nga Arta Marku

Letërsia dhe kuzhina. Takohen padyshim. Madje shumë më tepër se sa mund të merret me mend. Se jeta në kuzhinë apo në tryezën e ngrënies, si pjesë e rëndësishme e jetës së njeriut, s’ka se si të rrijë jashtë faqeve të letërsisë. Se gatesat, recetat, mënyra e të ushqyerit janë pjesë kulturash a traditash që letërsia s’ka si i shpërfill. Se shkrimtarët, burra a gra qofshin, mund të kenë lidhje të ngushta me kuzhinat. Si Allende për shembull që hyn në kuzhinë (lexo Buka nje e mirë e Zotit) plot pasion e energji për të nxjerrë s ‘andejmi “Afërditën” s’ka gjë se provokueset e mirëfillta nuk janë ndjesitë e qiellzës.

Nëse do të gërmonim në bibliotekën e botës do të gjenim libra pa fund, autorë pa fund, histori pafund, personazhe pafund… që e lidhin kuzhinën me letërsinë a me letrarët. Mënyrat e kësaj lidhjeje po aq të pafundme, të papritura shpesh.

Në bibliotekën e botës thashë, por biblioteka jonë nuk përjashtohet. Sado që takimi mes një shkrimtari shqiptar dhe kuzhinës, në pamje të parë duket vështirë i mendueshëm. Akoma më i pamendueshëm nëse shtyhemi larg në kohë. E megjithatë nuk është krejt kështu.

***

Më erdhi në mendje Konica, dashnor tryeze, pijesh e ushqimi. E pata zbuluar si të tillë te libri “Dritëhijet e një diplomati” i Agron Alibalit. Aty mora vesh se tryezat e tij tërhiqnin vëmendjen aq sa shkruhej për to edhe në shtyp. Ish bërë e famshme pija e tij, ajo që u quajt e mori dhenë si Kokteili Konica, e që ende sot, gjendet i dokumentuar në shtypin amerikan të kohës, tashmë pjesë e arkivave.

“Faik Konica – citohet shtypi amerikan në librin “Dritëhijet e një diplomati” – ministri i Shqipërisë të cilit nuk i mungon iniciativa, ka shpikur një koktej të ri që premton të bëhet shpejt si njëri ndër më të kërkuarit midis diplomatëve të huaj në Uashington. Si pije bazë ka martinin, xhinin dhe vermuthin Italian, të cilit i shtohet një grusht bajamesh të thërrmuara dhe të përziera me konjak si dhe një lugë çaji me biters…”

Vetë e pat shpikur Konica. Padyshim, më parë ka njohur shijet dhe sidomos mundësitë e kombinimit. Specialistët e kuzhinës e dinë mirë se kombinimi nuk është aspak i thjeshtë, përkundrazi. E fakti që për Konicën nuk paskësh qenë problem, diçka nënkupton. Për vete, e përfytyrova burrin elegant duke bërë eksperimente (se duhen provuar më parë gjërat), teksa ka parashikuar të mbledhë miq e bashkëpunëtorë në ndonjë mbrëmje që premton të jetë e gjatë dhe plot shije.

E megjithatë nuk po them se kjo figurë tejet interesante e kulturës shqiptare, e letërsisë gjithashtu, thjesht hynte e dilte lirshëm në kuzhinë, për të eksperimentuar aty e për të vënë në punë shijet e veta të sofistikuara. Po e lë mënjanë edhe lidhjen e tij me verën, njohjen dhe porositë e zgjedhura që bënte, po aq të zgjedhura sa ato të librave. Më shumë se kaq, po them se ai nuk ngurroi të shkruante me hollësi, e bardha mbi të zezë, për kuzhinën, shqiptaren sigurisht.

Dikur, nga tryeza e kuzhinës, Konica u ul në skrivani, mbi letrën e bardhë, dhe shkroi dy mënyra të gatimit të peshkut:

-Peshku fërgohet kështu: një sasi e bollshme vaji ulliri hidhet në tigan dhe digjet deri në pikën e vlimit. Pasi përzihet me erëza, peshku hidhet në tigan dhe fërgohet. Para se të vendoset në vajin e nxehtë të ullirit peshku nuk mbathet me miell apo diçka të ngjashme.

-Tava e peshkut përgatitet kështu: peshku vendoset në një tavë të thellë dhe atij i shtohen qepë e domate të grira, patëllxhanë e kungulleshka të prera feta-feta, speca të kuq, kripë, pak ujë dhe një dorë gjalpë. Mandej piqet në zjarr të ngadalshëm, në furrë…

Edhe një herë, mënyra e përshkrimit të bën të përfytyrosh dikë që e menaxhon mirë situatën mbi avujt e sobës. Por mbi të gjitha dikë që dokumenton gatesën, shkruan për të, pa e shpërfillur, pa menduar se këto janë punë amvisash, me siguri, duke besuar se letërsia dhe gatimi fare mirë mund të takohen, sa edhe shkrimtari me shefin e kuzhinës.

***

Si për ta mbështetur edhe më bindjen se kuzhina nuk është shpërfillur nga shkrimtarët shqiptarë, tërhoqa nga biblioteka një libër të hollë sa një fletorkë që më kujtonte fletoret e shkollarëve të cilat amvisat e dikurshme i mbushin me receta për t’i shkëmbyer më pas mes njëra–tjetrës, në mungesë të librave të mirëfilltë të kuzhinës. Por përmasat e librit s’duan të thonë gjë përsa kohë përmbajtjes nuk i kalon dot tangent. Akoma më tepër në rastin konkret kur mbi kopertinë shkruhej me shkronja të mëdha: “Në tavolinë me Koliqin”.

Nuk është rasti i një libri që të informon mbi këtë personazh kaq interesant të kulturës shqiptare. Nuk është pra një libër biografik, edhe pse na bën me dije se Koliqi paskësh qenë një njohës i zellshëm i përmbajtjes së tryezave të mira, “një ashik i tavolinës”, siç do të ma përcaktonte në një bisedë të dikurshme, autorja e librit, Elektra Çapaliku.

Koliqi e quan veten shijues të andshëm gjellësh shqiptare të zgjedhura… por të dish të shijosh nuk do të thotë të dish të gatuash, aq më pak do të thotë të dish të shpikësh kombinime pijesh a gjellësh. Sidoqoftë Koliqi i ka pasur përzemër tavolinat e shtruara me shije. Pasi çohej prej tyre nuk se e ndalte vrapin te skrivania për të vijuar të jetë, në një farë mënyre, njëkohësisht në kuzhinë… Sidoqoftë, për të shkruar mbi receta, kuzhinë e shije gatesash, dikur do të ulej në skrivani edhe ai.

E ndërsa Konica rri te dy receta peshku, Koliqi i jep akoma më shumë hapësirë kuzhinës. Padyshim,  duke besuar se njerëzit e kulturës, të letërsisë mbi të gjitha, duhet ta gjejnë pikën e lidhjes së shkrimit dhe gatimit, se lipset hedhur në letër kjo përmasë kulturore që mbërrin prej kuzhinës, pse jo, nga ata  vetë…

***

Në libërthin “Në tavolinë me Koliqin”, zbulova ngasjen e tij.

Kish qenë fillimi i viteve ’70 kur Koliqit i mbërriti nga një kushërirë e largët, murgeshë në një kuvend të Trevizo-s, një pako e vogël. Një fletore e zverdhur nga koha e përdorimi bashkë me shënimin: “Po ju dërgoj, […] një tefterë që kam kopjuar unë prej të afërmve të Çividales, me mënyra si me ba gjellë dhe disa fletë të zgjidhme, shkruar prej nanës sime kur ishte e re, për me ba ambëlsina...”

Ishte kjo fletore me përmbajtjen e saj që e udhëhoqi  shkrimtarin drejt skrivanisë. Sepse: “aty ndjeva amën e një jete tashma të perëndueme, fisnikin e dokeve të kalesës kur e ama bashkë me pajë i shtinte n’arkë bijës, qi shkonte nuse, edhe shënime e mësime si me u sjellë në shtëpi te burri. Natyrisht sofra ka shumë randësi në jetën familjare e prandej edhe mënyra se si me përgatitë haenat në kujdes të madh.”

Paskëtaj, Koliqi bëri një përzgjedhje, me qëllimin për t’i botuar, recetat e shkruara në atë tefterë në përmbajtje të të cilit ishin 186 mënyra gatimi dhe në  fletët e shkëputura 15 receta ëmbëlsirash. Dhe i boton në revistën Shejzat.

***

“Aroma e sofrave të dikurshme të vendit tonë, që del e përhapet prej këtyre fletëve zverdhë nga vjetërsia urojmë të thekë a të përmallojë lexuesit me zgjimin e një flladi kujtimesh të një kalese tashmë të varruar në gjire të kohës… Nji njeriut dashamirë shkrimesh të moçme dhe, deri ku mundet e din, edhe hulumtues e lavrues së historisë së zakoneve t’ona, çfarë dhurate ma të çmueshme mund t’i bahet se një tefterë të vjetëruem me faqe zverdhuke në të cilin përshkruhet shqip mënyra si me gatue gjellë e ambëlsina?”, shkruan Koliqi…

E pra, e ka një lidhje shkrimtari me kuzhinën, përveç asaj të shijuesit të gjellëve. Dhe pastaj, e ka apo e gjen gjithnjë një arsye shkrimtari për ta shtrirë pasionin e tij nga kuzhina, mbi avujt e sobës apo tryeza ngrënies, tek faqet e shkrimeve të tij. Një fletore e zverdhur me receta të vjetra, një tryezë e mbytur në shije, një dëshirë për të eksperimentuar, bindja se flladet e kujtimeve përcjellin aroma gjellësh, këmbëngulja për të përçuar traditë… nuk mund ta lënë një shkrimtar shpërfillës.

 

“Ja vlen të kalosh një drekë me Koliqin” më pat thënë Elektra Çapaliku. Kësisoj, padyshim, ia ka vlejtur edhe shoqëria në tryezë me Konicën. Duhet të ketë të tjerë që e plotësojnë këtë shoqëri të këndshme. Ashikë sofrash e skrivanish në të njëjtën kohë… Shkrimtarë pra, njerëz të letrave që tryezat elegante të bukës i shtrojnë edhe në një mënyrë tjetër, faqeve të shkrimeve të tyre… Se kuzhina dhe letërsia takohen gjithnjë. Mënyrat janë të pafundme.

© ZHURNAL 19.09.2018, 10:28 | D.J. | 976 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."