Çfarë debate mbi religjionet kemi?
opinion
Çfarë debate mbi religjionet kemi?

Çfarë debate mbi religjionet kemi?

Kritikuesit dhe mbështetësit e Islamit dhe Erdoganit, kanë pikëpamje shumë ekstreme për njëri-tjetrin. Ata kanë vetëm një gjë të përbashkët: aftësinë për të qenë mohues arbitrar, pa përfillur argumentin dhe arsyen. Prandaj ata e kanë vështirë të mobilizojnë një masë kritike që do të gjykonte drejt për këto problematika. Ky debat ka nevojë për një tjetër stil dhe një tjetër qasje. Ka nevojë për TË TJERË debutues

Nga Emin AZEMI

Një debat i kahmotshëm mbi fenë që po zhvillohet nëpër media (kryesisht sociale), përpos përçarjeve e hasmërive edhe më të mëdha, nuk ka arritur të prodhojë ndonjë efekt pozitiv publik. Projektimi i kundërshtarit si armik që duhet asgjësuar dhe mosgjetja e argumenteve për ta sjellë debatin  në rrafsh idesh e jo në atë të përplasjesh edhe më të theksuara, ka bërë që publiku më tepër të hutohet se sa të sqarohet, më tepër të frikësohet, se sa të kthjellohet. Debatuesit, të ardhur nga platforma të ndryshme kulturore-financiare i kanë rënë fortë tezës mbi ndikimin e modeleve të huaja në sjelljen tonë kolektive dhe për rrjedhojë shpërfytyrimin e identitetit tonë nacional, mirëpo ata pavetëdijshëm kanë rënë në grackën e të qenit vet model përçarjeje.

Në radhë të parë, për religjionet po flasin njerëz jokompetent.

E dyta, për religjionet po flasin ateistë e të konvertuar.
E treta, mohuesit e njërit, apo religjionit tjetër, kritikën e zhvillojnë duke i barazuar devijimet e caktuara me vetë religjionet si doktrina dhe si besime.
E katërta, të gjithë kritikuesit vijnë prej taborëve që nuk kanë ndonjë interaksion gjithaq të zhvilluar me mjedisin ku sillen e veprojnë. Kritikuesi më i mirë i devijimeve brenda një etnie a religjioni, është ai i cili i takon asaj etnie a religjioni. Te ne kjo nuk po ndodhë dhe në mungesë të kësaj kritike, po paraqiten vullnetarë nga radhët e ateistëve, të konvertuarve dhe pjesëtarëve të religjioneve të ndryshme. Një person ka të drejtë të jetë ateist, i krishterë, mysliman, hebre, budist etj. dhe është krejt legjitime të ndjen afërsi emocionale e botëkuptimore me religjionin të cilit i përket.
Mirëpo, gabimi i parë që bëhet, lidhet me qëndrimin natë e ditë qafëpërpjetë e majegishtave për të pa oborrin e huaj. Këta kritikues shumë pak dhe gati hiq fare flasin, bie fjala,  për pedofilinë e priftërinjve, por janë shumë më të zëshëm kundrejt dukurive në mjediset e religjioneve të tjera.
Në anën tjetër, janë kritikuesit që nuk flasin për modelet e stërkequra të ardhura nga Lindja në mjediset tona myslimane, por gojën e kanë plot me islamofobi. Këta ende nuk arritën të na e shpjegojnë se terrorizmi është i importuar, apo është pjellë e edukimeve e doktrinave të mbrapshta të imamëve e xhamive të ndryshme. Ende nuk arritën të na shpjegojnë këtë mosunitet të myslimanëve kundrejt politikave të huaja me prapavijë përçarëse. Këta ende nuk arritën të na shpjegojnë se si është e mundur që shqiptarët me apo pa vetëdije po iu nënshtrohen provokimeve trushpërlarëse  që shpijnë në mohimin e figurave tona kombëtare, përfshi edhe Gjergj Kastriotin Skenderbeun, dhe ndonjë tjetër.
Përqindja e atyre që po debatojnë është shumë e vogël, kurse e atyre që po bëjnë sehir, është shumë e madhe. Në këto rrethana është e pamundur të krijohet ndonjë masë kritike që do t’iu jepte përgjigje dilemave që  imponon koha. Në kushtet çfarë po zhvillohen këto polemika e këto përplasje, ndoshta është më mire që nuk ka një përfshirje më masive të publikut dhe kjo flet, megjithatë, për një pjekuri të njerëzve që të mos iniciojnë tema të cilat më tepër sjellin përçarje se sa mirëkuptim.

Kritikuesit dhe mbështetësit e Islamit dhe Erdoganit, kanë pikëpamje shumë ekstreme për njëri-tjetrin. Ata kanë vetëm një gjë të përbashkët: aftësinë për të qenë mohues arbitrar, pa përfillur argumentin dhe arsyen. Prandaj ata e kanë vështirë të mobilizojnë një masë kritike që do të gjykonte drejt për këto problematika. Ky debat ka nevojë për një tjetër stil dhe një tjetër qasje. Ka nevojë për TË TJERË debatues. (koha.mk)

© ZHURNAL 22.09.2018, 19:52 | B.M. | 972 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."