Në vend të apelit për dalje në referendum: Jo, ky popull nuk është suicidal
opinion
Në vend të apelit për dalje në referendum: Jo, ky popull nuk është suicidal

Në vend të apelit për dalje në referendum: Jo, ky popull nuk është suicidal

Duke analizuar atmosferën e përgjithshme të krijuar në Maqedoni para referendumit, me gëzim po konstatoj se ky popull në tërësi, jo i ndarë e i copëtuar etnikisht, fetarisht, komito-majmunisht dhe ballisto- shvercerisht, kulturologjikisht, e partiakisht, nuk po pranon të udhëheqet e të orientohet sipas asaj thënies idiotike-Populli im, bagëtia ime.

Shkruan h. Sulejman ef. Rexhepi

Muajin që po e lëmë pas, nga instancat dhe personalitetet më të larta europiane e amerikane, erdhi përkrahje e hapur dhe e qartë për Maqedoninë ,asaj iu ofrua një zgjedhje që deri tani nuk e kishte, duke ia bërë me dije rregullin e artë se politika dhe diplomacia, pas çdo përpjekjes së dështuar nxjerrin mbi tavolinë kompromisin për t’a zgjidhur ndonjë mosmarrëveshje a kontest që në dukje është i pazgjidhshëm.Faktorë me relevancë, qofshin të huaj apo vendor, apeluan që të dilet në referendum dhe të thuhet PO. Kush e morri porosinë, e morri. Ata që nuk e morrën e nuk e kuptuan,do të bojkotojnë për t’a fshehur dobësinë dhe jorelevancën e tyre, të vetëdijshëm se perëndoi koha e tërheqjes së votuesit për veshi, ardhja një ditore e Pustecit në Shkup, ngjallja e shpirtërave të vdekur që edhe nga bota tjetër brengoseshin për rezultatet e zgjedhjeve gjithfare nëpër Maqedoni.

Pas tërë kësaj, mendoj se po bëhen nga pakë të deplasuara thirrjet për referendum që s’po ndalen dhe shpeshë herë janë të motivuara nga nevoja e individëve për të dëshmuar se, ja, edhe ata na qenkan për një Maqedoni euro-atlantike. Mjerisht, po e bëjnë këtë gjë vetëm tani kur është i qartë drejtimi në të cilin do ecë ky vend, por nejse, më mirë kurdoqoftë se asnjëherë.

Kujtoj se kaptina për referendumin në këtë librin tonë është e kryer dhe e lexuar, se lexuesit i kanë konsoliduar tani më përshtypjet e tyre dhe se vota e tyre vendimarëse do jetë pozitive. Jo se Marrëveshja e Prespës është ideale po sepse, duke kaluar nëpër labirinthet e tranzicionit të stërzgjatur e të mbuluar me kriminalitet,shqetësime, korupcion e paqartësi, lexuesit e kuptuan se çfarë dëshiron të thotë shkrimtari, se ai po ju ofron obcion, diçka sikur dritë në fund të tunelit.

Duke analizuar atmosferën e përgjithshme të krijuar në Maqedoni para referendumit, me gëzim po konstatoj se ky popull në tërësi, jo i ndarë e i copëtuar etnikisht, fetarisht, komito-majmunisht dhe ballisto- shvercerisht, kulturologjikisht, e partiakisht, nuk po pranon të udhëheqet e të orientohet sipas asaj thënies idiotike-Populli im, bagëtia ime. Dhe, populli që s’po pranon të bëhet bagëti, nuk po dëshiron të jetojë në mitologjinë antike të maqedonizuar deri sa zhvillimi teknologjik e shkencor po prekë sfera të paimagjinueshme deri sot. Duke mos e dashur një gjë të atillë, ky popull ntyrisht di të pyet- cila është oferta e kundërt nga marrëveshja me Greqinë, nga integrimi në NATO dhe BE. Heshtje,asnjë përgjegje nuk po vie nga askund, nuk ka ofertë,nuk ka obcion.Bojkotimi është dobësi dhe fshehje, tërheqje e të pafuqishmit në margjinat e zhvillimeve politike, po thotë populli.

Përfundimisht, suiciditeti është veti e atyre të cilët jetën e vetë e konsiderojnë të pa vlerë dhe me vetëvrasje përpiqen t’a ndërprejnë. Suicidin e konsideroj një haram të madh, gjynah i icili sipas Islamit është i pafalshëm, por jam i vetëdijshëm se ekzistojnë individë autodestruktivë të cilët vërtetë më dhembsen. Megithatë, popull autoagresiv, suicidal,nuk ekziston,nuk ekziston popull i cili mes diçkasë dhe asgjësë do të zgjedhte të bëjë vetëvrasje. Ja pra, për këtë shkak po frikësohem se mos po e teprojmë me apele e thirje për diçka që tani i është e bërë e qartë çdokujt.Kuptohet, bojkotuesit kanë të drejtë absolute të mbeten në margjina dhe atë të drejtë s’guxon askush t’ua marrë.Por, sidoqoftë, ky popull nuk është suicidal.

© ZHURNAL 23.09.2018, 19:43 | T.E. | 8,243 I LEXUAR
"Kopjimi i kësaj përmbajtjeje ose një pjese të saj pa ndonjë marrëveshje të arritur me redaksinë e ZHURNAL.mk, do të thotë se pranoni kushtet për kopjim, të cilat janë publikuar KËTU."