BEXHET MUSLIJA
Ditën e hënë, kur do të keni në dorë numrin e parë të një gazete të re në gjuhën shqipe, shumica prej jush lexues të nderuar me siguri do të parashtroni pyetjen, a u nevojitej shqiptarëve në Maqedoni edhe një gazetë e re? Jemi të bindur se kjo dilemë do të zhduket sapo t’i shihni titujt në ballinë dhe sapo të shfletoni faqet e para të gazetës. Informatat interesante të përgatitura nga një staf i cili ka dëshmuar profesionalizmin e vet, pa dyshim do të ju bindin se gazeta “Zhurnal Plus” është një hap i qëlluar për të pasuruar hapësirën mediale në Maqedoni. Do të bindeni se prej sot e tutje, për çdo ditë do të keni edhe një mundësi më tepër për të fituar informata reale, sa më shpejtë që është e mundur. Do të shihni se moton të cilën e kemi zgjedhur “Lajme të dorës së parë”, nuk është thjesht një frazë boshe, por një pikë orientues për punën tonë.
“Zhurnal Plus”, nuk është futur në tregun medial për të uzurpuar hapësirën e ndonjë mediumi tjetër. As nuk do të konstatojmë (siç bëhet zakonisht kur hapen media të reja) se jemi më të mençurit dhe paraqitemi në treg “për të përmirësuar gjendjen e vështirë në hapësirën mediale shqiptare”. Ose që kemi për qëllim “të përmirësojmë mangësitë dhe dobësitë që kanë mediat tjera”. Përkundrazi, ne futemi në këtë garë me respekt të jashtëzakonshëm për mediat tjera shqiptare që ekzistojnë këtu në Maqedoni dhe për punën që kanë bërë ato gjatë këtyre viteve.
Në pajtim me këtë ne do të tregojmë gatishmëri për bashkëpunim të plotë dhe konstruktiv me të gjithë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund të realizojmë misionin e përbashkët që kemi si media në gjuhën shqipe – mbrojtjen e hapësirës informative shqiptare nga ata që nuk ua donë të mirën shqiptarëve. Paralelisht me gatishmërinë për të bashkëpunuar me mediat tjera shqiptare, ne do të synojmë për të realizuar në praktikë idetë dhe konceptet tona për një qasje origjinale ndaj informacionit dhe ngjarjeve. Mbështetje kemi përvojën dyvjeçare të veb -portalit “Zhurnal”. Edhe pse nuk na takon neve ta themi, dhjetëra mijëra vizitorët që për çdo ditë kanë vizituar këtë ueb- portal janë argument se bëhet fjalë për përvojë jashtëzakonisht të suksesshme.
Pse Zhurnal Plus?
Caktimi i emrit të një kompanie, klubi futbollistik, organizate joqeveritare, partie politike, ose çfarëdo subjekti tjetër, s’do mend se mbetet një moment historik për subjektin në fjalë. Pa dyshim se një vend të atillë do të ketë edhe momenti kur ne si ekip e caktuam emrin e gazetës të cilën ju lexues të nderuar prej sot do ta keni për çdo ditë në duart tuaja. Vendimi për të quajtur gazetën tonë “Zhurnal Plus” ishte një moment jashtëzakonisht spontan, duke pasur parasysh se kjo gazetë do të jetë pjesë e të njëjtës kompani që menaxhon ueb portalin “Zhurnal.mk”.
Emri “Zhurnal Plus”, nuk do të thotë se ne paraqitemi në treg me prioritet kryesor të realizojmë profit plus. Pronarët e medieve shqiptare që aktualisht ekzistojnë në tregun medial në Maqedoni, më së miri e dinë se sa vështirë është të sigurohet ekzistenca e një mediumi e lëre më të realizohet ndonjë profit prej tij. Ambicia për të zgjeruar aktivitetin tonë nuk u paraqite prej nesh, por u imponua nga përvoja pozitive dyvjeçare me ueb portalin “Zhurnal”. Koha do të dëshmojë se kemi bë hapin e vërtetë me vendimin që aktivitetin ta zgjerojmë edhe me një gazetë ditore. Emri “Zhurnal Plus” para së gjithash buron nga fakti se prioriteti jonë kryesor është që të ofrojmë sa më tepër informata për lexuesin shqiptar në Maqedoni. Krahas kësaj ne ofrojmë mundësinë për një variant plus që lexuesi shqiptarë sa më shpejtë dhe në mënyrë reale të informohet për të gjitha ngjarjet në vend dhe në botë. Synimi i angazhimit tonë do të jetë që në fokus të jetë vetëm interesi i lexuesit, e jo interesi i partive politike, ose grupeve tjera të interesit. Ne do t’i bashkëngjitmi përpjekjeve për të bindur sa më tepër lexues shqiptarë se nuk humb asgjë, por fiton shumë nëse jep 10 denarë për të blerë një gazetë.
Kuptohet se për të arritur këtë qëllim do të nevojitet angazhim i madh dhe i parezervë i të gjitha resurseve që i posedojmë ne si redaksi. Besimi që do të na jepni ju do të jetë jo vetëm stimul, por edhe obligim që të avancojmë punën tonë në drejtim të duhur. Edhe pse është numri i parë i gazetës sonë të përditshme, ajo që mund të ju premtojmë prej tani është se me “Zhurnal Plus” më së tepërmi do të fitoni ju të nderuar lexues.