Kosovë

​Qeveria e Kosovës ndan 70 mijë euro për nxënësit e Luginës së Preshevës

Zhurnal Ads

Qeveria e Kosovës ka ndarë 70 mijë euro për librat në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës së Preshevës. Në mbledhjen e sotme në mesin e shumë vendimesh, ekzekutivi vendosi që paga e koordinatorit për dialogun, Skender Hyseni të jetë sa e një zëvendësministri, ndërkohë miratuan edhe plotësim ndryshimin e Ligjit për Lirinë Fetare. Qeveritarët ndanë 2 milionë euro për regjistrimin e popullsisë në vitet 2021-2023. Derisa morën vendim edhe për kompensimin e delegatëve të Kuvendit të Kosovës në vitin 1990.

Duke arsyetuar vendimin që paga e koordinatorit Skender Hyseni të jetë sa e një zëvendësministri, i treti i qeverisë, Driton Selmanaj tha se i njëjti mund të angazhojë asistentë, ndihmës dhe ekspertë të përkohshëm të cilët do të paguhen sipas legjislacionit në fuqi.

“Paga e koordinatorit të dialogut me Serbinë është e barasvlershme me pagën e një zëvendësministri sipas praktikave me raste të ngjashme, përkatësisht vendimin e qeverisë të datës 2016. Ndihmësit, asistentët profesional të koordinatorit shtetëror për dialog me Serbinë sipas pikës 10 të vendimit të qeverisë kompensohen ngjashëm me asistentët, ndihmësit e kryeministrit. Koordinatori mund të angazhojë ekspert të përkohshëm për tema specifike për të cilat paguhen sipas legjislacionit në fuqi. Përfshirë kompensimin dhe shpenzimet e udhëtimit duke u bazuar në udhëzimin administrativ të vitit 2004”, tha ai.

Zëvendëskryeministri Selmanaj njoftoi se në plotësim-ndryshimin e Ligjit për Lirinë Fetare, krahas pesë bashkësive fetare do shtohet edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës. Përmes këtij projektligji, Selmanaj tha se qëllimi është rregullimi i statusit juridik të tyre.

“Si bashkësi që përbënë bashkësi trashëgimi historike kulturore të vendit. Në projektligj është shtuar edhe Bashkësia e Tarikateve të Kosovës e cila ka rreth 60 mijë anëtarë dhe ekzistencë të gjatë prej 350 vjetëve në Kosovë”, tha ai.

E zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi tha se 70 mijë eurot e ndara për nxënësit e Luginës së Preshevës do të jenë nga rezervat shtetërore.

“Jemi pajtuar që kërkesën për mbështetje në vlerë prej 140 mijë euro t’i përgjigjemi me pjesë të barabarta prej 70 mijë euro. Këto mjete planifikohet të ndahet nga rezervat, prandaj kërkoj aprovimin e juaj për ndarjen e mjeteve për mbulimin e kostos librat në gjuhën shqipe për nxënësit e Luginës”, tha ai.

Në kabinetin qeveritar, mes tjerash u bë e ditur se këtë të premte në Shkodër do të jetë mbledhja e qeverive shqiptare.

Zëvendëskryeministrja Albulena Balaj-Halimaj, e cila është edhe koordinatore për këtë takim, tha se shumica e draft-marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve kanë përfunduar.

“I kërkoj mirëkuptim ministrave tonë nëse ndonjë draft-marrëveshje nuk do të kalojë për marrëveshje atje. Për shkak të procedurave ligjore që i kanë pala shqiptare. Por besoj që deri më tash shumica e tyre kanë përfunduar, por një finalizim do të bëhet nesër”, tha ajo.

Krahas këtyre qeveria në mbledhjen e sotme miratoi edhe disa projekt-rregullore, në mesin e të cilave edhe ajo për riintegrimin e personave të riatdhesuar.

Postime të ngjashme

​Selimi: Kodi Civil i Kosovës siguron trajtim të barabartë të bashkëshortëve në çështje personale dhe pasurore

admin

Kosova regjistron 16 viktima dhe 626 të infektuar me koronavirus

T E

Weber: Lajçaku ra në kurthin e Vuçiqit për Asociacionin që t’i lihet faji Kosovës

admin
duke ngarkuar....

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read more...