Shkup, 26 gusht – Sot, së bashku me Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Ministrin e Kulturës Zoran Lutkov, u bashkuam në një ceremoni nderimi për bijën shqiptare nga Shkupi, Nënë Terezën, me rastin e kremtimit të ditëlindjes së saj.
U mblodhëm për të nderuar jetën dhe veprën e saj të jashtëzakonshme – një grua shqiptare që, përmes përkushtimit të saj ndaj më të varfërve dhe të braktisurve, u bë simbol i dhembshurisë dhe shërbimit ndaj gjithë njerëzimit.
Gjatë kësaj ceremonie, u ndjeva krenar që si komb i saj, e kujtojmë dhe e respektojmë trashëgiminë e saj të jashtëzakonshme, e cila vazhdon të ndikojë jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.
Ky nderim nuk është vetëm një kujtesë për një jetë të kaluar në shërbim të të tjerëve, por edhe një thirrje për të gjithë ne që të vazhdojmë rrugën e saj, duke vepruar për të mirën e përbashkët dhe duke mbështetur ata që kanë më shumë nevojë.
“Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe në botë; ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri,” – janë fjalët e Nënë Terezës, që mbeten një shembull i përjetshëm i forcës që vjen nga dashuria dhe përkujdesja për të tjerët.
Fjalimi i plotë:
I nderuar kryetar i Parlamentit,
I nderuar ambasador i Republikës së Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Më paraqet nderë dhe privilegj që të drejtohem këtij auditorium me rastin e 114 vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës. Për figurën e ndritur dhe veprën e madhe të saj me përulje flitet në mbarë botën, humanizmi i saj dhe dashuria pakushte për njeriun e bën atë ambasadore të veçantë të mirësisë, dhe emri i saj sot njihet e nderohet në çdo kontinent nga çdo racë dhe secili popull në rruzullin tokësor. Me rastin e këtij përvjetori dëshiroj të them që për mua si shkupjan është fat dhe kënaqësi që kam lindur dhe jam rritur jo larg lagjes ku ka lindur Gonxhja jonë që kam ëndër të njoh të afërm të saj dhe përmes tyre të kuptoj edhe më mirë madhështinë e shpirtit të Gonxhes, njerzillëkun që mbante në vete ajo grua. Ky manifestim kulturor në nderë të së madhes Nënë Terezë, është vetëm një shënim i vogël nga ana e Qeverisë për një njeri që me zemër të madhe që ka punuar që botën ta bëj një kopsht për paqe dhe dashuri mes njerëzve. Sot poashtu vendosëm si Qeveri të vazhdojmë përmendoren e Nënës Terezë që është simboli jonë.