Shkup, 5 shtator – Sa më shumë shtohen përvjetorët, aq më të dashur bëhen. Ndoshta dikush mendon se me kalimin e kohës përvjetoret bëhen të bezdisshëm, por besoni se me përvojën tonë 14 vjeçare mund të ju garantojmë se është e kundërta. Kjo sepse çdo përvjetor sjell me vete bagazh të ri, e fatmirësisht përvjetoret e Zhurnal-it gjatë këtyre viteve kanë qenë të mbushur përplot suksese të reja.
Secili përvjetor paraqet mbylljen e një rrethi të ri prej 365 ditësh. E kur ky rreth mbyllet me suksese, këaqësia është edhe më e madhe, kurse motivi për të festuar gjithsesi edhe më i madh.
Çdo përvjetor, veç tjerash është rast i mirë për të bë bilancin e kontributit që kemi dhënë vitin e fundit. E Zhurnal, si Agjenci Lajmesh që dallohet si emër në Maqedoninë e Veriut e më gjerë, po e mbyll edhe një vit me bilanc pozitiv në kuptimin e plotë të fjalës.
Nuk bëhet fjalë vetëm për aspektin financiar. Mbi të gjitha, si staf udhëheqës, pozitivitetin e këtij përvjetori të 14-të e shohim tek qëndrimi besnik ndaj misionit fillestar për të qenë të shpejtë, neutralë dhe në anën e së vërtetës. I kemi qëndruar besnik këtij misioni, duke mos menduar për asnjë moment të lëshojmë pe para presioneve, shantazheve ose tentimeve për kërcënime. Përkrahja juaj në këtë drejtim ka qenë dhe mbetet vendimtare!
Ky mision ishte vlerë orientuese për “Zhurnal” që kur është paraqitur në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit 2009.
Përmbajtjet tona të rregullta nga sfera politike, ekonomiko-financiare, historike, akademike, sociale, kulturore, muzikore, argëtuese, sportive, etj. edhe gjatë këtij viti të kaluar i kemi zgjeruar dhe plotësuar edhe më tepër, krejt kjo në interesin tuaj lexues, si forcë që na jep fuqinë të mbetemi lokomotivë e informimit të shpejtë, të drejtë dhe të pavarur në vendin tonë.
Këto vlera i kemi mbështetur dhe vazhdojmë t’i mbështesim në konceptet e avancuara euro-perëndimore të informimit.
Synimi ynë ishte dhe mbetet që me përkushtim dhe profesionalizëm, të ruajmë pozitën e pakontestueshme në mesin e mediave të besueshme dhe me ndikim në vend.
Me qëllim të informimit real dhe në kohë të opinionit, Zhurnal do të zhvillohet vazhdimisht, me potencial njerëzor dhe teknologji moderne.
Ideja për ngritjen e këtij mediumi ishte në fillim një ëndërr, pastaj u bë mision e vizion, që bashkarisht me Ju, të nderuar lexues, arritëm ta bëjmë realitet.
Kjo ide ishte e detyrueshme të bëhej realitet për të dhënë sadopak kontribut në ngritjen e nivelit të informimit objektiv dhe të shpejtë.
Përveç informimit të përgjithshëm, Zhurnal vazhdon të jetë një alternativë më ndryshe me qasje origjinale ndaj informacionit.
Zhurnal është mediumi sinonim që gjithmonë është i hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që kanë ide të ndryshme për avancimin e informimit të saktë, të shpejtë dhe objektiv.
Urojmë që së bashku të festojmë edhe shumë përvjetore tjera. Për ne është nder të jemi në shërbimin tuaj si publik që na keni përkrahur vazhdimisht edhe në çaste të mira edhe në çaste të vështira.
Gëzuar!