Agjencia Zhurnal.mk
Editorial Maqedoni Rekomanduar

EDITORIAL: Hesapet elektorale, partitë i çojnë në aleancë edhe me “djallin”!

Shkup, 19 janar – Skena politike në Maqedoninë e Veriut është aq shumë e polarizuar sa në zgjedhjet e ardhshme lokale, priten të formohen koalicione të shumta parazgjedhore, me qëllim që partitë të dalin triumfuese në komunat ku i synojnë. Koalicione formale dhe të fshehta ka pasur çdoherë në të kaluarën dhe pikërisht kjo metodë pritet të funksionojë sërish edhe në të ardhmen.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në muajin tetor, por “Zhurnal.mk” mëson se partnerët e koalicionit po përgatiten për skenarë të ndryshëm. Regjistrimi i popullatës në muajin prill do të ketë ndikim shumë të madh në skenën politike në Maqedoninë e Veriut dhe nuk përjashtohet mundësia që bashkë me zgjedhjet e ardhshme lokale të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ky opsion nuk është i pranueshëm për partitë në pushtet sepse në këtë formë do të humbin kredibilitetin e tyre para votuesve, të cilët janë të lodhur nga zgjedhje të parakohshme. Kësaj duhet t’i shtohet se nëse nuk zgjidhet çështja me Bullgarinë, atëherë kjo qeveri nuk do të ketë se çfarë t’i ofrojë votuesit, si meritë për të fituar edhe një mandat të tretë. Prandaj, gjasat që Zaev të pranojë zgjedhje të parakohshme parlamentare janë minimale.

Përkundër gjitha skenarëve që në politike duken që nuk vlen logjika, partitë do të duhet t’i mbajnë zgjedhjet lokale. Zakonisht këto zgjedhje janë determinuese dhe tregues i rëndësishëm se kush në të vërtetë e kontrollon terrenin. BDI në zgjedhjet e fundit lokale i humbi disa komuna të rëndësishme, ndër ta edhe Gostivarin ku kryeson Arben Taravari, nga Aleanca për Shqiptarët, ndërsa fitoi në komuna kyçe si Struga, Tetova dhe Çairi, falë mbështetjes direkte nga partneri i koalicionit, LSDM-ja.

Javët e fundit po ndodhin kontakte intensive ndërpartiake si midis atyre që përbëjnë koalicionin qeverisë, ashtu dhe në mes të forcave opozitare, qofshin ato maqedonase apo shqiptare.

Garat më interesante në kampin politik shqiptar do të jenë për Tetovën, Gostivarin e Strugën, ndërsa për ato maqedonase – gjithsesi për Shkupin, Manastirin, Prilepin e Kumanovën. LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja, natyrisht se do të bëjnë çmos që kryeqyteti të jetë i tyre, njësoj si dhe BDI-ja që mëton të ruaj Tetovën.

Në të gjitha kalkulimet është dukshëm e qartë se asnjëra parti nuk do të mund të dalë triumfuese si e vetme, prandaj do të duhet mbështetje dhe koalicione parazgjedhore.  PDSH e Menduh Thaçit mund të mbështesë BDI-në e Ali Ahmetit, rivalin e tij të vjetër në politikë, me të vetmin qëllim që të dëmtojë dhe mos të lejojë që triumfues në Tetovë të dalë Aleanca për Shqiptarët e Ziadin Selës, një krah i shkëputur nga PDSH-ja.

Nga ana tjetër veç se më është i betonizuar koalicioni qeverisës ndërmjet opozitës shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës, të cilët priten të fokusohen në disa prej komunave kyçe, siç është Çairi, Tetova, Gostivari e Struga. Gara e rreptë do të zhvillohet në Çair dhe Strugë, ku opozita e ndjen veten mjaft të fuqishme.

Por, kësaj radhe vendimtare do të jenë edhe koalicionet e partive shqiptare me ato maqedonase. Nëse u thye tabuja në zgjedhjet e fundit parlamentare kur koalicionuan LSDM-ja me BESË-n, kësaj radhe mund të ketë bashkëpunim edhe më intensiv ndërmjet forcave të ndryshme politike. Fotografitë e fundit dhe iniciativat që të ketë bashkëpunim sa më të madh ndërmjet opozitës mund të rezultojnë me koalicione qoftë publike ose të fshehta ndërmjet VMRO DPMNE-së dhe Aleancës për Shqiptarët e Alternativës. Të dy blloqet i kanë kuptuar leksionet se nëse nuk bashkëpunojnë ndërmjet veti do të dështojnë sërish, prandaj mund të ketë bashkëpunim në stilin maqedonasit t’i përkrahin kandidatët shqiptarë në qytetet ku ata mund të dalin fitues, dhe shqiptarët t’i përkrahin kandidatët maqedonas në komunat ku kryesisht fitues janë maqedonasit.

BDI është më komode në këtë drejtim sepse mund të kushtëzojë koalicionin qeverisës me LSDM-në nëse kjo e fundit nuk i mbështet në zgjedhje lokale, që nënkupton se nëse Zaev nuk e mbështet BDI-në për Strugën, Tetovën, Gostivarin, Çairin …, BDI mund të largohet nga koalicioni për qeverinë qendrore. 

Regjistrimi do të japë pasqyrë më të qartë se ku janë të pozicionuar popullata shqiptare dhe ku ajo maqedonase, dhe në bazë të këtyre të dhënave do të ketë edhe ndërtime të koalicioneve, por gjithsesi duke marrë parasysh të gjithë faktorët dhe interesat që u përmendën më lart.

Është e qartë se asnjëra parti shqiptare nuk ka guxim të dalë e vetme në zgjedhje, pa bërë koalicion, qoftë edhe të fshehtë me partitë e tjera, sepse është fakt i pamohueshëm se asnjëra parti dhe asnjëri kryetar komune nuk ka arritur me punën e tij të kthejë besimin e plotë të qytetarëve. Prandaj, partitë frikësohen që të dalin të vetme në zgjedhje dhe fatkeqësisht në kurriz të qytetarëve do të bashkëpunohet dhe do të koalicionohet edhe me “djallin” vetëm e vetëm që t’ia arrijnë qëllimin. (Zhurnal.mk)

Postime të ngjashme

Tërmeti dridh vendin, epiqendra në Mavrovë

T E

Aksioni policor në “Bogorodicë”, kapen qindra kilogramë marijuhanë

T E

Alarmojnë mërgimtarët me dokumentacion të skaduar, përmes postës nuk mund të nxjerin të ri

T E

Milososki: Bujar Osmani mund të ndryshojë statutin e BDI-së, jo Kushtetutën e Maqedonisë

R Zh

“Miqtë e Sharrit”/Hidrocentralet dëmtojnë natyrën

T E

Mickoski nga Klinika Infektive: Nuk ka pakt me krimin dhe kriminelët

T E

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Akcepto Më tepër...