Agjencia Zhurnal.mk

50 shërbime të Ministrisë së Infrastrukturës online prej 1 janarit

Tiranë, 15 janar – Kryeministri Edi Rama ishte sot në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikes, për të parë nga afër mënyrën dhe lehtësitë e bërjes së një aplikimi online, në vetëm tre minuta. Kryeministri theksoi se administrata do të marrë një tjetër rol në funksion të qytetarit dhe do të vihet përpara përgjegjësisë nëse nuk e përmbush atë siç duhet. Ai tha se puna e tyre tashmë do të shumëfishohet sepse do bëjnë edhe atë procedurë që më herët e bënte qytetari. “Sportelet do mbyllen, por këtyre do t’u shumëfishohet puna sepse do bëjnë punën për qytetarin. Nuk do jenë aty si polic trafiku që “e ke dosjen në rregull kalo, nuk e ke, ik mbushe”, por do ta mbushin vetë. Në rast se një dokument shtetëror që duhej të merrej, nga brenda administratës mungon, do konsiderohet i dhënë, nuk do i thuhet qytetarit “prit” dhe do gjobitet zyra përgjegjëse. Drejtuesi i zyrës do gjobitet për shkelje të ligjit. Një herë, dy herë, herën e tretë të iki fare pastaj sepse ndryshe nuk funksionon, nëse ne i themi qytetarit do e plotësojmë ne dosjen dhe pastaj për shkak të mosplotësimit nga ana jonë, të vonohet qytetari. Kjo praktikisht e zhduk komplet ryshfetin, radhën, se nuk ka më”.

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku tha se shërbimet online të ofruara nga kjo ministria që ajo drejton dhe institucionet e varësisë do të shtohen përgjatë vitit, duke e vënë administratën në shërbim të plotë të qytetarit, pa radha dhe pa shpenzime korruptive. “Ne kemi 23 shërbime aktualisht që janë të aksesueshme dhe përpunohen online. Nga këto, siç po themi, 9 janë shërbimeve të vlerësimit të pasurive dhe 14 shërbimet e tjera kanë të bëjnë me projektimin. Të gjitha strukturat e varësisë bashkë me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë sot ofrojnë 50 shërbime online dhe kemi deklaruar që deri më 30 qershor të shtojmë dhe 46 shërbime të tjera duke arritur 96 dhe në janarin e 2021 të kapim shifrën e 162 shërbime”, – shpjegoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikes Belinda Balluku.

Të njëjtat lehtësi sa i përket aplikimit online do të ofrohen edhe për qytetarët shqiptarë që ndodhen jashtë shtetit, të cilët do të asistohen nga Konsullatat përkatëse për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. “Për qytetarët që janë jashtë, duhet që vula elektronike shqiptare, që në shtetin tjetër ka nevojë për një sigël, duhet ta marrë përsipër konsullata dhe çdo konsullatë duhet të marrë përsipër këtë njësoj si administrata. Direkt, nga Italia, nga Gjermani, nga Australia, qytetari bën aplikimin, e merr online dhe në ato raste kur duhet dokument për shtetin atje që ka të bëjë me vulë të thatë, shkon në konsullatë dhe i vë vulën”, deklaroi ministrja.

Por si mund të bëhet një aplikim online? Çdo qytetar mund të regjistrohet te e-Albania nga kompjuteri ose telefoni. Dokumentet shoqëruese që jepen nga shteti sigurohen nga punonjësi, ndërsa qytetari duhet të bashkëngjisë vetëm vetëdeklarimet dhe dokumente që jepen nga privati. Te e-Albania do të gjeni edhe listën e shërbimeve që do të aplikohet vetëm online. Qytetarët do të mund ta ndjekin online ecurinë e aplikimit të tyre dhe do të paraqiten në sportel vetëm nëse prezenca e tyre është e detyrueshme nga përcaktimet ligjore për të marrë shërbimin. Ky proces transformues rrënjësor sipas kryeministrit do të zhdukë brenda 2020-ës, radhët për të kërkuar një shërbim; shkurtojë kohën e humbur për të marrë një shërbim; eliminojë masivisht ryshfetin. Ndërkohë që në qershor do të hyjë online blloku i dytë prej 395 shërbimesh dhe deri në fund të vitit 2020 do të jenë 91% të të gjitha aplikimeve për shërbime. Kalimin e shërbimeve online kryeministri Rama pak javë më parë e cilësoi si një nga shtatë prioritetet e qeverisë së tij për vitin 2020.

Marketing 2/1

Marketing 2/2

Marketing 2/1

Marketing 2/2

XH.I

Lajmet e fundit

Loading...