Shkup, 8 tetor – Zhurnal.mk – Për vetëm pesë ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor, në izolim gjithsej janë vendosur 53 nxënës dhe 8 mësues. Këto shifra janë të larta duke patur parasysh se në vendin tonë me prezencë fizike mësojnë vetëm filloristët deri në klasë të tretë, informon Zhurnal.
Nga tetë mësuesit, gjashtë prej tyre nuk kanë qenë në kontakt direkt me nxënësit, sepse ligjeratat i kanë mbajtur online.
Nga dje në izolim janë edhe 10 nxënës të klasës së dytë nga shkolla “Koço Racin” në Radovish. Në Shkup në shkollën “Goce Dellçev” sot në izolim janë futur edhe 22 nxënës të tjerë.
Në këtë shkollë pozitiv me Covid janë dy mësues dhe një nxënës, dhe rreth 39 janë në izolim shtëpiak.
Nga Ministria e Arsimit thonë se në gjitha shkollat ku ka raste pozitive me covid, po veprohet me kohë sipas protokoleve, me qëllim që të pengohet përhapja e virusit dhe nxënësit e tjerë të jenë të mbrojtur. Ata mësues që gjenden në izolim, ligjeratat i mbajnë online.
MASH njofton se gjithashtu edhe në televizion po emitohen nga 15 minuta orë mësimore në RTVM. //Zhurnal.mk