Ish-trajneri i Barcelonës, Quique Setien, ka thënë se ai ende po pret që Barcelona t’i paguajë atij shumën e plotë të parave që i kanë borxh.
Edhe katër vite pas largimit të tij, ka ende një pjesë të parave që blaugranasit i detyrohen teknikut spanjoll.
Vlen të theksohet se hera e fundit kur ai kishte qenë i punësuar ishte tek Villarreali, një pozitë të cilën e ka mbajtur deri në shtator të vitit 2023, kur edhe u shkarkua.
Tani, vite më vonë, Setien thotë se është ende duke u ballafaquar me pasojat financiare gjatë kohës sa ishte pjesë e blaugranasve.
Ai ka përmendur se pagesa e fundit nga klubi do të bëhet në fund të këtij muaji, një situatë e cila ai ka thënë se është zvarritur më gjatë se sa që pritej.
“Unë ende nuk i kam marrë të gjitha paratë. Pagesa e fundit do të bëhet në fund të këtij muaji”, ka thënë Setien.