Tiranë, 9 qershor 2025 (MIA) – Ndajmë të njëjtat vlerësime se komuniteti shqiptar në Bullgari dhe komuniteti bullgar në Shqipëri kanë mbështetjen e parlamenteve, qeverive dhe institucioneve, për ruajtjen e gjuhës e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin e prosperitetin, si asete me vlerë dhe ura miqësie mes dy vendeve, tha kryetarja e Parlamentit shqiptar, Elisa Spiropali në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit me homologen e saj bullgare Natalia Kiselova, e cila është për vizitë në Shqipëri.
Spiropali vlerësoi lart “mbështetjen e fortë të Bullgarisë për integrimin europian të Shqipërisë”.
“Mbështetja e Kuvendit Popullor dhe personalisht e kryetares Kiselova do të jetë garanci shtesë për këtë qëllim. Ky synim i yni shkon paralelisht me prioritetet e agjendës së Komisares së Zgjerimit Marta Kos, të paraqitura në Komisionin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Ne kemi besim në mbështetjen e Bullgarisë, edhe në mbledhjet e Këshillit të Bashkimit Evropian, si shtet anëtar”, tha Spiropali.
Ajo shtoi se me Kiselovën shprehën vullnetin e tyre të përbashkët për intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar, përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe deputetëve, duke theksuar se të dy vendet “kanë bashkëpunuar dhe do të vazhdojnë të bashkëpunojnë si anëtarë aktivë të NATO-s, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon, Evropë dhe më gjerë” dhe se “ato bashkërisht dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe popullit ukrainas”.
Kiselova e uroi Shqipërinë për arritjet serioze në procesin e anëtarësimit në BE, duke e cilësuar atë një “kampione në përpjekjet për integrim të plotë në BE”.
“Ju jeni kampionë në përpjekjet për integrim të plotë në BE, në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Kuvendi, por edhe qeveria, çdo ministër, pavarësisht nga konjuktura politike mendon se integrimi i plotë i Shqipërisë është një faktor stabiliteti për Ballkanin Perëndimor”, tha Kiselova.
Ajo nënvizoi, në një konferencë për shtyp ku nuk pati pyetje, se “Asambleja Kombëtare Bullgare do të bëjë çdo përpjekje për t’ju ndihmuar, nëse është e nevojshme, në punën tuaj intensive gjatë viteve të ardhshme, në mënyrë që të festojmë së bashku kur të jemi të gjithë pjesë e BE-së”.
