Shkup, 4 korrik – Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, ka njoftuar një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të kalimeve kufitare me vendosjen e sistemit “One Stop Shop” – një qasje që do të sjellë ndryshim rrënjësor në përvojën e udhëtimit për qytetarët dhe mërgimtarët tanë.
Ai ka bërë të ditur se po hapin një rrugë drejt atdheut, e cila sipas tij, është më e shpejtë, më e lehtë dhe më afër se kurrë më parë.
“‘One Stop Shop’ nuk është thjesht një teknologji moderne është një mënyrë e re e të menduarit, një qasje që vendos qytetarin në qendër dhe synon t’i ofrojë atij shërbim më të mirë, më të shpejtë dhe më dinjitoz, që nga momenti që prek tokën e vendit tonë”, ka thënë Dauti përmes një postimi në rrjetin social facebook.
Ai ka potencuar se ky sistem është një hap i rëndësishëm përpara për infrastrukturën kufitare.
“Ai bashkon të gjitha kontrollet në një vend të vetëm, duke e bërë kalimin më të shpejtë dhe më të thjeshtë për qytetarët dhe mërgimtarët tanë, sidomos gjatë sezonit të verës. Ky investim tregon qartë përkushtimin tonë për të pasur kufij funksionalë: të hapur për njerëzit dhe të mbyllur për pengesat. E gjitha kjo, në shërbim të qytetarit dhe të zhvillimit të zonave tona”, ka nënvizua Dauti.
