Shkup, 8 korrik – Prej mbrëmë në orën 21:50 komunikacioni në VK Bllacë, në dy drejtimet po zhvillohet normalisht për automjetet e udhëtarëve, në mënyrë alternative për maunet, ndërsa ende është e ndaluar lëvizja për automjete transportuese me tenda, kumtoi mëngjesin e sotëm LAMM.
Komunikacioni në rrugët e vendit po zhvillohet pa ndërprerje, nëpër rrugë të thata.
Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
LAMM rekomandon shpejtësi të adaptuar të lëvizjes, respektimin e sinjaleve të vendosura të komunikacionit e veçanërisht drejtim të kujdesshëm të automjetit, posaçërisht në rrugët nëpër gryka malore dhe lugina të lumenjve ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për akset rrugore Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Nga 1 korriku deri më 31 gusht në rrugët shtetërore në Maqedoni po vendoset regjim i përkohshëm veror i komunikacionit me të cilin ndalohet lëvizja e automjeteve transportuese me masë totale mbi 15 tonë, gjatë fundjavave dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta.
