Shkup, 18 gusht – Tentativa për ndryshimin e Kodit Zgjedhor në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, pa konsultim me OSBE-ODIHR dhe pa përfshirjen e plotë të të gjitha partive, zbulon një praktikë politike që jo vetëm sfidon standardet demokratike, por vendos në pikëpyetje vetë legjitimitetin e politikanëve që sot përfaqësojnë shqiptarët në pushtet. Falë mekanizmit të shumicës së dyfishtë të njohur si Badenter kjo nismë nuk kaloi. Por pyetja që lind është pse VLEN një forcë që erdhi në politikë si zë i ndryshimit lejon të futet në lojëra të tilla? shkruan Zhurnal.
Kodi Zgjedhor mes demokracisë dhe manipulimit –
Tentativa e dështuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, pa konsultim me OSBE-ODIHR dhe pa përfshirjen e opozitës shqiptare në një proces transparent, është më shumë sesa një përpjekje për “rregull teknik” të sistemit. Ajo është një simptomë e një sëmundjeje më të thellë politizimit të skajshëm të institucioneve dhe degradimit të kulturës demokratike. Në këtë kontekst, roli i partive shqiptare në pushtet, e veçanërisht i VLEN, bëhet thelbësor për të kuptuar se në cilin drejtim po lëviz përfaqësimi politik i shqiptarëve.
Badenteri si frenë e demokracisë së manipuluar –
Fakti që ndryshimet e propozuara nuk kaluan falë mekanizmit të Badenterit është tregues se ende ekziston një garanci minimale për të mbrojtur barazinë etnike dhe përfaqësimin politik. Pa këtë mekanizëm, shumica do ta kishte imponuar me lehtësi vullnetin e saj, duke e lënë komunitetin shqiptar në pozitë të pafuqishme. Por a mundet një popull të mbështetet vetëm te një dispozitë kushtetuese, nëse përfaqësuesit e tij politikë janë të gatshëm të hyjnë në lojëra që e rrezikojnë vetë substancën e barazisë?
Kur koalicioni VLEN u paraqit në skenën politike, ajo u paraqit si alternativë ndaj “elitave të vjetra” dhe si garanci për një politikë më të pastër, më transparente dhe më të afërt me qytetarin. Sot, në qeveri, VLEN po përballet me testin më të madh të tregojë nëse është vërtet përfaqësuese e interesave shqiptare apo thjesht një instrument që legalizon politika të imponuara nga partnerët maqedonas.
Përplasja mbi Kodin Zgjedhor e ka nxjerrë në pah këtë dilemë. Heshtja ose pranimi i lojërave të mbyllura politike është një kompromis që nuk shkon në favor të shqiptarëve. Përkundrazi, ai e zbeh fuqinë e tyre politike dhe e shndërron VLEN në bashkëfajtor të një procesi që rrezikon të minojë demokracinë.
Kujtojmë që, në vende të tjera të rajonit ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë bërë gjithmonë me tensione të larta politike. Serbia, Shqipëria, Kosova të gjitha kanë kaluar nëpër kriza kur rregullat e zgjedhjeve janë ndryshuar pa konsensus të gjerë. Rezultati gjithmonë ka qenë i njëjtë mungesë legjitimiteti, mosbesim qytetar dhe krizë institucionale. Maqedonia e Veriut në këtë mes nuk bën përjashtim. Nëse nuk respektohen standardet ndërkombëtare dhe nëse nuk përfshihet opozita, çdo ndryshim në Kod do të shihet si i motivuar politikisht dhe i destinuar të dështojë në praktikë.
Një nga problemet themelore në këtë debat është keqkuptimi se demokracia është thjesht “lojë numrash”. Në fakt, demokracia është proces përfshirje, transparencë, konsensus. Në momentin që një qeveri apo një parti mundohet ta ndryshojë sistemin zgjedhor pa këto elemente, ajo e shkatërron themelin mbi të cilin qëndron vetë. Për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kjo është edhe më e ndjeshme, sepse ata nuk kanë luksin e shumicës numerike barazia e tyre varet pikërisht nga rregullat e lojës.
VLEN duhet të vendosë a do të mbetet në anën e idealit për të cilin erdhi në pushtet demokraci të pastër, përfaqësim të drejtë, barazi reale apo do të zhyten në pragmatizmin e pushtetit që shpesh përfundon në kompromis me parimet. Nëse zgjedh këtë të fundit, rrezikon të humbasë legjitimitetin dhe të përsërisë gabimin e atyre që premtoi se do t’i zëvendësonte.
Prandaj, edhe tentativa për ndryshimin e Kodit Zgjedhor pa konsultim dhe pa përfshirje të gjerë u ndal falë Badenterit, por kjo nuk është fitore përfundimtare. Është thjesht një kujtesë se demokracia është e brishtë dhe se roli i partive shqiptare është vendimtar. VLEN sot gjendet para pasqyrës ose të tregojë se është forca e ndryshimit, ose të bëhet shembulli i radhës se si pushteti i shndërron idealet në iluzione. /Zhurnal.mk
